Mes meritës dhe mikut…; Kosova po na jep leksione dhe Shqipëria vazhdon të humbasë veten në sport
Në një fjali të ashpër, emocionale dhe deri diku të padrejtë, një zë tifozi përmblodhi debatin që po zien prej vitesh: a po e kalon Kosova në sport Shqipërinë? Dhe nëse po, pse? Pas toneve të ndryshme dhe gjuhës së zgjedhur fshihet një realitet që nuk mund të injorohet më. Nuk është çështje krenarie lokale apo rivaliteti vëllezërish të një gjaku, por diferencë modeli, sistemi.
Kosova është qartësisht modeli i urisë dhe meritës. Ajo nuk e ka luksin e gabimeve të mëdha. Si një sistem sportiv i ri, ai kosovar është ndërtuar mbi dy shtylla të qarta: meritokracia si domosdoshmëri dhe investimi i targetuar e pragmatik. Në shumë raste, një sportist në Kosovë nuk ka rrugë tjetër përveçse ta fitojë vendin me performancë.
Nuk ka hapësirë për kompromise afatgjata, sepse baza është më e ngushtë dhe presioni për rezultate më i madh. Kjo filozofi ka prodhuar rritje të shpejtë në futboll, deri te finalja e “play off”-it të Botërorit ndaj Turqisë, që do të luhet në martën në Prishtinë; dominim relativ në basketbollin rajonal (e tregoi Liga Unike e Basketbollit së fundi), identitet më të fortë ekipor.
Nga ana tjetër, Shqipëria nuk vuan nga mungesa e talentit. Përkundrazi. Problemi është çfarë ndodh me këtë talent. Kritikat e përsëritura në vite fokusohen në disa plagë të njohura; klientelizmi në përzgjedhje, mungesë strategjie në zhvillimin e të rinjve, investime pa impakt afatgjatë, varësi nga lojtarët e huaj në disa sporte si futbolli, basketbolli, mundja etj.
Në këtë pikë, kontrasti bëhet i dukshëm: Ndërsa Kosova detyron aktivizimin e lojtarëve vendas, në Shqipëri ndodh krejt e kundërta, janë hapur dyer e dritare për të huajt. Kësisoji, iu zihet fryma talenteve te reja, në çdo sport, sepse klubet sakrifikojnë produktin vendas, të ardhmen e tyre, për rezultate afatshkurtra, që as nuk vijnë.
Një nga shembujt më konkretë është futbolli dhe basketbolli. Në Kosovë ka rregulla të qarta për aktivizimin e lojtarëve vendas, vazhdimësi dhe identitet. Në Shqipëri shohim skuadra të mbushura me të huaj, mungesë zhvillimi për lojtarët vendas, rezultate të dobëta ndërkombëtare. Ky nuk është thjesht problem sportive, por problem politikash dhe vizioni.
Një nga frazat më të forta të reagimit ishte metafora e “qofteve në tym”. E tepruar, por simbolike. Ajo ngre një pikë të rëndësishme; sa seriozisht trajtohet sporti si profesion në Shqipëri nga ata që e ushtrojnë dhe drejtojnë? Ndërkohë që në Kosovë është ndërtuar një narrativë sakrifice dhe përkushtimi, në Shqipëri perceptimi publik shpesh flet për mungesë disipline, standarde të paqarta profesionale, mungesë përgjegjësie.

Edhe nëse nuk është plotësisht e drejtë për të gjithë, ky perceptim publik dëmton vetë sistemin. Rezultatet nuk gënjejnë, por duhen lexuar drejt. Kosova është në ngjitje, Shqipëria në luhatje. Kosova po dëshmon ritëm zhvillimi, energji, identitet. Nga ana tjetër, Shqipëria shfaqet me kulme të izoluara, paqëndrueshmëri. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria është më e dobët në potencial sportiv, përkundrazi. Do të thotë se potenciali nuk po menaxhohet si duhet.
Kritikat e fundit ndaj kombëtares së Shqipërisë, sidomos pas eliminimit ndaj Polonisë, janë deri diku të papranueshme në ashpërsi, por të kuptueshme në përmbajtje emocionale. Ato nuk janë analizë e strukturuar, por frustrim i akumuluar. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku. Nëse kritika nuk kthehet në reflektim, ajo mbetet vetëm zhurmë.
Nëse Shqipëria do të rikthejë drejtimin nga suksesi, rruga është e qartë: rregulla për aktivizimin e lojtarëve vendas, investim real në akademi, jo vetëm në fasadë. Fushat dhe stadiumet e reja janë investim për t’u përshëndetur, por kush po stërvitet dhe luan në to? Më së shumti dyzinat e të huajve, që po ia marrin frymën futbollit tonë vendas, në të gjitha kategoritë. Prioritet për aktivizim në klubet tona duhet të kenë së pari të rinjtë e akadamive respektive, talentet shqiptare, jo të huajt pa hesap.

Në të gjitha kombëtaret, të moshave e deri tek ajo e drejtuar nga Sylvinho, duhet transparencë dhe meritokraci në përzgjedhje. Me rëndësi të madhe është ndërtimi i kulturës profesionale, edhe stërvitore, që në moshat e reja.
Konkluzioni? Kosova nuk është “më e mirë” rastësisht. Ajo është produkt i një sistemi që, me të gjitha kufizimet, ka zgjedhur të funksionojë mbi meritën dhe nevojën për të ecur përpara. Shqipëria, ndërkohë, mbetet peng i potencialit të saj të pashfrytëzuar. Dhe në sport, si në çdo fushë tjetër, një e vërtetë mbetet absolute: talenti të çon deri diku, por sistemi vendos gjithçka.
The post Mes meritës dhe mikut…; Kosova po na jep leksione dhe Shqipëria vazhdon të humbasë veten në sport appeared first on Telesport.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.