Meta: 102 vjetori i pavarësisë na jep shpresa se për shqiptarët po vijnë ditë më të mira
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi sot në Gjilan se “102 vjetori i pavarësisë na jep shpresa se për shqiptarët po vijnë ditë më të mira, falë sakrificës që kanë bërë paraardhësit tanë dhe falë vizonit tonë të përbashkët për një të ardhme evropiane”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryeparlamentari Meta tha se “të gjithë ne e dimë se ngritja e flamurit në Vlorë identifikohet me dy figura të mëdha kombëtare, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, që simbolizojnë përpjekjet e të gjithë patriotëve shqiptarë, anembanë trojeve tona, për të shpëtuar kombin, për të krijuar shtetin dhe për t`i dhënë një të ardhme kombit tonë”, tha Meta.
Me iniciativën e Hazirit, Kuvendi Komunal i Gjilanit nderoi kryeparlamentarin Meta me çmimin “Qytetar Nderi”, me motivacion për kontributin e dhënë në procesin e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, si ish-kryeministër e zëvendëskryeministër, si ministër i Jashtëm dhe funksionet e tjera shtetërore e politike që ka ushtruar ai në Shqipëri.
Haziri tha se “në kuadër të javës së Flamurit, ne nderojmë edhe udhëheqësin tonë të luftës për pavarësi, Idriz Seferin, i cili në atë kohë, me luftëtarët e vet arriti të çlirojë kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, duke luftuar për lirinë e të gjithë shqiptarëve. Natyrisht se ky nëntor është i madh, por për Gjilanin, është edhe i dhimbshëm, sepse liria e asaj kohe u pagua me jetën e shumë dëshmorëve dhe martirëve të kësaj ane”.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka mbajtur edhe një takim me përfaqësuesit e Shoqatës “Vatra”, që tubon shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe u ka dhënë përkrahje kërkesave të tyre të drejta për kthim në shtëpitë dhe vatrat e tyre, nga të cilat janë larguar qoftë për arsye politike, më herët, qoftë për arsye ekonomike, së voni. Meta ka vizituar edhe gjimnazin “Zenel Hajdini” si dhe ka marrë pjesë në Akademinë me rastin e 102-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ku atij i është dorëzuar edhe çmimi “Qytetar Nderi” i Gjilanit. Kjo është vizita e parë e një udhëheqësi të lartë të Shqipërisë në Gjilan.
Qyteti i Gjilanit, më i madhi në pjesën lindore të Kosovës, me plot mirëseardhje priti sot kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. “Mirësevjen Ilir Meta, Gjilani ju mirëpret në nëntorin e krenarisë”, shkruan në pano-bilborda me fotografitë e kryeparlamentarit shqiptar, derisa flamujt kuqezi të kombit shqiptar dhe flamujt shtetërorë të Kosovës mbushin rrugët dhe sheshet.
“Të hënën Gjilani është zgjuar me flamuj të shumtë nëpër tërë qendrën e qytetit dhe bilborda të Ilir Metës, duke i uruar mirëseardhjen kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë”, raporton media lokale duke sjellë edhe foto të atmosferës.
Axhenda e vizitës së kryeparlamentarit shqiptar Meta nisi me takimin me kryetarin e komunës dhe u përmbyll me akademinë me rastin e 102 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.