Meta-Brownfield: SHBA mbështetje në implementimin e reformës në drejtësi
Kretari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Washington DC, u prit në Departamentin e Shtetit nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, ambasadori William Brownfield.
Pasi e falënderoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i japin Shqipërisë në të gjitha fushat dhe veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, kryetari i Kuvendit e njohu zyrtarin amerikan me ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe ndryshimeve të Paketës Kushtetuese, duke vlerësuar se procesi tashmë ndodhet në fazën e tij përfundimtare, atë të miratimit, pas paraqitjes së Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe interpretimit të misioneve të asistencës ligjore të SHBA dhe BE, OPDAT dhe EURALIUS.
Meta theksoi se asistenca e ekspertëve amerikanë përmes OPDAT dhe ICITAP për projektimin, ngritjen dhe trajnimin e institucioneve të reja që parashikon paketa kushtetuese, veçanërisht njësia e Prokurorit Special Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, është e një rëndësie themelore për suksesin e reformës.
Ai kërkoi mbështetjen e SHBA-së për një prezencë aktive në monitorimin gjatë fazës së implementimit të reformës, për procesin e vetingut dhe trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të ri të drejtësisë.
Për këtë qëllim, theksoi Meta, ne do të bashkëpunojmë ngushtë me Departamentin e Shtetit, Departamentin e Drejtësisë dhe Departamentin e Sigurisë, kontributi i të cilëve ka një rëndësi jetike për suksesin e plotë të Reformës në Drejtësi.
Ai shprehu angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të kaluar këtë reformë sa më parë, për të rikthyer besimin e publikut te shteti ligjor, për të luftuar me efikasitet korrupsionin dhe krimin e organizuar, për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nisur sa më parë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndihmës Sekretari i Shtetit, Brownfield vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e reformave dhe theksoi se SHBA mbështesin miratimin sa më parë të Reformës në Drejtësi, si një hap i rëndësishëm për rritjen e standardeve të sigurisë dhe shtetit ligjor të një vendi partner, anëtar në NATO dhe kandidat për në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Brownfield theksoi se mbështetja e SHBA-së do të jetë e vazhdueshme edhe në fazën e implementimit të reformës në drejtësi dhe ngritjes së institucioneve të reja që ajo parashikon, përmes financimit të projekteve të trajnimit dhe përmirësimit teknologjik të strukturave të specializuara të zbatimit te ligjit.
Ndihmës Sekretari i Shtetit vlerësoi kontributin dhe rolin e Kuvendit të Shqipërisë në hartimin e draftit të Reformës në Drejtësi dhe u shpreh se SHBA presin miratimin e saj të shpejtë, për të vijuar me alokimin e burimeve të nevojshme për projektet e fazës së zbatimit të saj përmes misioneve të asistencës të OPDAT dhe ICITAP.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për rreziqet që vijnë nga organizatat kriminale të trafikut të drogës dhe armëve, terrorizmi, dhe kriza e refugjatëve, si dhe nevojën për një kontroll më të mirë të kufijve përmes një bashkëpunimi më të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese të vendeve të rajonit dhe atyre partnere.
Ndihmës Sekretari i Shtetit, Brownfield u angazhua për thellimin e partneritetit SHBA-Shqipëri për ndërtimin e kapaciteteve të monitorimit të kufijve, shkëmbimit në kohë reale të të dhënave dhe parandalimit të veprimtarive të paligjshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare.