Meta mban fjalën e parë si kryetar shteti
Me falënderime për kolegët që votuan pro e kundër, por në veçanti opozitës që mungoi në seancë, kreu i Kuvendit Ilir Meta në një fjalim pa letër, ju drejtua për herë të parë qytetarëve si kryetar i Shtetit.
Meta u zgjodh me 87 vota pro dhe dy kundër presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Mungesën e opozitës e cila prej 70 ditësh ndodhet në protestë kundër qeverisë, Meta e sheh si një sfidë të detyrës së tij të re, dhe njëherësh përgjegjësi për të gjetur zgjidhje.
“Falënderoj në mënyrë të veçantë kolegët që mungojnë këtu, pasi me mungesën e prezencës së tyre ata na kanë nxitur për të pranuar kandidimin dhe këtë përgjegjësi shumë të rëndësishme”, u shpreh Meta.
Ai theksoi se gjithmonë zgjedh demokracinë para pushtetit dhe dha garanci se do të bëjë çmos për të garantuar zgjedhje të lira dhe me standarde.
“Unë do të bëj çdo gjë për të justifikuar këtë besim që më dhatë sot, jo vetëm para jush por para gjithë qytetarëve shqiptarë, përpara kushtetutës, përpara interesave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me stabilitetin, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen evropiane. Do ti lutesha të gjithëve që janë këtu dhe që mungojnë, të përpiqeni në këto ditë ti japim gjithë partive, por në radhë të parë çdo qytetari mundësinë që të kontribuojë në zgjedhje më të lira më demokratike, që vendi meriton”, u shpreh Meta i cili do të marrë zyrtarisht detyrën 24 korrik, kur mbaron edhe mandati i kreut aktual të shtetit, Bujar Nishani.