Meta në SHBA, merr pjesë në meshë në kishën katolike shqiptare të Nju Jorkut
Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për t’u ritakuar me Atin e Shenjtë, por njëkohësisht edhe për të dëgjuar lutjet e tij, bekimet e tij për popullin tonë dhe për kombin tonë. Shenjtërimi i Nënë Terezës prej Atit të Shenjtë, lumturimi i 38 martirëve të kishës sonë katolike, lartësimi në dioqezë i Kishës Katolike të Kosovës pikërisht në ditën e Shën Terezës, emërimi i Dom Ernest Troshanit si Kardinal nderi i Selisë së Shenjtë dhe shumë vepra të tjera të jashtëzakonshme të Papa Françeskut kanë treguar vëmendjen dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të kombit tonë të popullit tonë në vlerësimin e figurave dhe personaliteteve tona ndër më të shquara të besimit katolik dhe jo vetëm.
Ashtu sikurse porosia e tij për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare, që është një shembull për të gjithë botën në këto kushte dhe në këto rrethana kur kjo harmoni është e domosdoshme për të forcuar paqen por edhe për të shmangur shumë konflikte, të cilat kanë në bazë spekulimin fetar dhe nxitjen e radikalizmit për qëllime politike.
Po ashtu porosia e tij e veçantë gjatë takimit, që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës, që t’i ruajmë të rinjtë, që t’i mbajmë në vendin tonë, që t’i edukojmë sa më mirë me vlerat më të mira të cilat forcojnë familjen, të cilat forcojnë komunitetin. Në mënyrë që të rinjtë tanë t’i mbrojmë duke i edukuar sa më mirë nga të gjitha ato varësi negative që i kërcënojnë ata, nga droga, nga alkooli dhe shumë vese të tjera. Në mënyrë që të rinjtë tanë të kenë qëllime të larta në jetë dhe veset të mos ua humbasin këto qëllime dhe këto ambicie pozitive.”
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për gjithçka që shqiptarët në Amerikë kanë bërë në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar duke theksuar: “Në këtë drejtim, unë dua t’ju falënderoj edhe një herë për këtë punë të jashtëzakonshme që ju bëni këtu, duke i bashkuar të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata të besimit katolik, dhe duke u folur shqip, duke u lutur shqip, duke i mësuar edhe fëmijët me këtë edukatë të jashtëzakonshme, jo vetëm që i ndihmon për të krijuar besimin e tyre, por njëkohësisht edhe i ndihmon për t’i ruajtur gjithmonë të forta rrënjët e tyre shqiptare.
Në këtë kohë globalizimi vendet dhe kombet modeste siç jemi ne shqiptarët, kërcënohen në rast se nuk do t’i kushtojmë vëmendje forcimit të identitetit kombëtar, por njëkohësisht edhe nëse nuk do të forcojnë më tej bashkëpunimin me njëri-tjetrin, tolerancën ndaj njëri-tjetrit, për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë.