Ministrat e BE-së nuk zotohen t’i japin Ukrainës sistemet ‘Patriot’
Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian thanë se po shqyrtonin urgjentisht se si t’i siguronin më shumë mbrojtje ajrore Ukrainës. Megjithatë ata nuk bënë ndonjë zotim konkret për t’i dhënë sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’, që së fundmi ka qenë kërkesa kryesore e Kievit.
Në takimin që u mbajt në Luksemburg, ministrat thanë se miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën nuk duhet të krijojë vetëkënaqësi.
“Ne mund të entusiazmohemi për një ditë, por duhet të përgatitemi për betejën që vjen nesër. Prandaj nuk mund të ketë qetësi”, u tha gazetarëve ministri i jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis ndërsa mbërriti në takim.
Ndërsa Rusia ka shtuar sulmet ajrore ndaj infrastrukturës energjetike dhe qyteteve të Ukrainës, qeveritë e BE-së janë nën trysni për të dërguar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore në Kiev.
Vendet që kanë sisteme ‘Patriot’, prodhim i Shteteve të Bashkuara, të cilat Ukraina tashmë i përdor dhe i vlerëson për aftësinë e tyre për të rrëzuar raketat balistike me lëvizje të shpejtë, nuk ishin pjesë e zotimeve të bëra të hënën.
Që kur Kievi shtoi thirrjet për më shumë sisteme ‘Patriot’ në javët e fundit, Gjermania ka qenë i vetmi vend i BE-së që ka premtuar dërgimin e një sistemi shtesë.
Berlini po udhëheq gjithashtu një përpjekje për të siguruar më shumë mbrojtje ajrore nga vendet e tjera për Ukrainën, duke kërkuar dërgimin e pajisjeve në formë donacionesh dhe kontributeve financiare.
Vende të tjera evropiane, përfshirë Greqinë, Holandën, Poloninë, Rumaninë, Spanjën dhe Suedinë gjithashtu kanë sisteme Patriot.
DHËNIA E SISTEMEVE ‘PATRIOT’ – E VËSHTIRË
Zyrtarët thonë se është e vështirë për vendet të japin sistemet ‘Patriot’ pasi ato janë pjesë integrale e mbrojtjes kombëtare.
Zyrtarët ukrainas janë kundërpërgjigjur se rreziku i sulmeve ajrore ndaj vendeve të BE-së është jashtëzakonisht i ulët, ndërsa Ukraina përballet shpesh me sulme të tilla.
Ministri suedez i Mbrojtjes Pal Jonson tha se Stokholmi tanimë kishte rënë dakord t’i jepte Ukrainës armë të mbrojtjes ajrore, duke përfshirë sistemin portativ ‘RBS 70’.
I pyetur nëse Suedia do të dërgojë sistemet ‘Patriot’ gjithashtu, ai tha: “Unë nuk e përjashtoj këtë mundësi, por momentalisht ne jemi të përqëndruar për dhënien e ndihmës financiare dhe ndoshta (më shumë) ‘RBS 70’ sepse kjo mund të lehtësojë një pjesë të trysnisë në lidhje me sistemet ‘Patriot'”.
Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares tha: “Ne e dimë mirë nevojën e Ukrainës për mbrojtje ajrore dhe veçanërisht për sistemet ‘Patriot’. Spanja ka bërë gjithmonë gjithçka që mundet.”
Ai shtoi: “Meqenëse është një luftë e vërtetë, nuk më pëlqen të flas shumë për atë që japim, kur dhe nga ku”.
Greqia i ka rezistuar prej kohësh trysnisë për të dërguar sisteme të mbrojtjes ajrore ose avionë në Ukrainë, kryesisht për shkak të tensioneve të saj me Turqinë, megjithëse ka dërguar armë dhe municione.
I pyetur nëse Greqia po planifikonte të dërgonte sisteme raketore tokë-ajër ‘S-300’ në Ukrainë, zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis tha në Athinë: “Nuk do të bëhet asnjë lëvizje që do të rrezikonte qoftë edhe minimalisht kapacitetet parandaluese dhe mbrojtjen ajrore të vendit”.
Ministrja holandeze e Mbrojtjes Kajsa Ollongren tha se i ashtuquajturi grupi Ramstein i vendeve që ofrojnë ndihmë ushtarake për Ukrainën do të takohet në fund të javës. Ky takim do të ofronte një mundësi tjetër për qeveritë që të njoftojnë donacionet e mbrojtjes ajrore për Kievin.