Ministri Koka: Mbështetje bizneseve të përpunimit të mbetjeve elektrike
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, vizitoi sot investimet e kompanive të riciklimit të mbetjeve elektrike dhe të pjesëve të makinave në Durrës.
Ministri Koka pa nga afër proçesin e riciklimit të marmitave katalitike, pjesëve të ndryshme të makinave dhe pajisjeve kompjuterike që prej disa vitesh realizohet në kompaninë IB Recycling.
Më tej, ministri i Mjedisit vizitoi edhe kompaninë GER.ARD Shpk e cila është fokusuar në shërbimet e demontimit të mjeteve në fund të jetës dhe riciklimit të mbetjeve duke siguruar mbrojtjen e ambjentit.
Duke vlerësuar investimin e kryer me standartet më të larta europiane të riciklimit në kompanitë shqiptare, ministri Koka theksoi se, “Ky është një investim në avangard sot në vende të tjera të zhvilluara europiane që duhet mbështetur edhe nga qeveria shqiptare.Jam i kënaqur që në këto kompani janë bërë edhe investime të cilat nuk i parashikon ligji shqiptar por i parashikon ligji europian. Do ta konsideroja këtë investim një model të asaj çfarë dëshiroj për mjedisin shqiptar.”
Vizita e ministrit të Mjedisit zhvillohet në kuadër të investimeve që po bëhen në impiante në sektorin e riciklimit dhe trajtimeve të mbetjeve në Shqipëri, si dhe pr/ligjit të ri të “Sistemi i depozitës së menaxhimit të mbetjeve” që së shpejti pritet të kalojë në seancë parlamentare për miratim, pas shqyrtimit që është bërë në komisione parlamentare.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për projektligjin e ri që pritet të miratohet gjatë muajit prill, ministri Koka tha, se ”Ajo që kemi kërkuar është që tu japim mundësi qytetarëve shqiptarë që për mbetje të ndryshme të munden të shkojnë në vendin e caktuar për të rikthyer në një benefit financiar për qytetarët, por edhe kompania të ketë sa më shumë punë dhe të punësuar. Ndaj kemi kërkuar që të krijojmë një skemë depozite financiare ku çdo prodhues apo importues i një produkti i cili në fund të ciklit përfundon si mbetje të mundet të gjejë edhe ai destinacionin e caktuar për ta rikthyer në një lëndë të parë për produkte të tjera”.
Ligji i ri synon menaxhimin e integruar të mbetjeve; minimizimin e sasisë së mbetjeve që depozitohen në landfille; përmirësimin e efiçencës së përdorimit të tyre; pakësimin e ndikimeve negative të përgjithshme të mbetjeve;administrimin ligjor të sistemit të depozitës me ndikim të drejtpërdrejtë në formalizimin e aktiviteteve grumbulluese dhe ricikluese të mbetjeve si dhe motivimin e konsumatorëve për të kthyer mbetjet përmes rikthimit të vlerës së depozitës.