Ekonomia

Ministria e Financave dhe Tatimet, kontroll tregut të hidrokarbureve

Ministria e Financave dhe Administrata Fiskale kanë filluar një veprim të përbashkët në sektorin e hidrokarbureve.

1426946758karburante-makinaMinistria e Financave bëri të ditur sot, se ky veprim, pjesë e marrëveshjes së përbashkët, të nënshkruar ditë më parë mes Shërbimit Doganor Shqiptar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, do të fokusohet në një kontroll të plotë ligjor për të gjithë tatimpaguesit e regjistruar me veprimtari: prodhimin, përpunimin, transportimin dhe shitjen e hidrokarbureve.

Sipas Financave, për subjektet e këtij sektori kontrolli i përbashkët tatimor-doganor do të ketë objektiv tatimpaguesit në sektorin e hidrokarbureve, pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, prodhuesit dhe përpunuesit e nënprodukteve të naftës, etj., me qëllim vlerësimin e zbatimit të detyrimit të tyre ligjor për të deklaruar dhe paguar në kohë detyrimet tatimore dhe doganore.

“Administrata fiskale ka evidentuar tashmë të gjitha subjektet me risk, përfshirë edhe ato subjekte që janë regjistruar si tatimpagues të biznesit të vogël, por që kanë kryer importe të mallrave, në mënyrë të përsëritur, në vlera që i kalojnë kufijtë e tyre të regjistrimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave, e cila, bashkë me administrtën fiskale “fton të gjithë tatimpaguesit të jenë pjesë e këtij veprimi, të jenë bashkëpunues dhe të zbatojnë me korrektësi detyrimin e tyre ligjor për ofrimin e informacionit, sikundër e parashikon dhe legjislacioni fiskal”.

Gjithashtu, Ministria e Financave ka premtuar se “do të jetë transparente, si deri tani, për të gjitha rezultatet e këtij veprimit të përbashkët të të dy administrative; asaj doganore dhe tatimore, me qëllim informimin e publikut dhe të sipërmarrjeve që respektojnë ligjin dhe detyrimet kushtetuese në fushën e pagimit të tatim-taksave”.

Ky veprim i përbashkët, ka nënvizuar Ministria e Financave, synon të jetë edhe pjesë e strategjisë së plotë për luftën kundër informalitetit, evazionit, shmangies dhe mashtrimit fiskal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button