Ekonomia

Ministria e Financave nis trajnimin e audituesve të brendshëm për vitin 2016

Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, në ministrinë e Financave, nis trajnimin profesional të audituesve të brendshëm për vitin 2016.

Ministria e Financave ka hartuar një kuadër të gjerë ligjor që këta profesionistë t’i nënshtrohen një procesi kualifikimesh e kujdesi të veçantë profesional.

Organizimi i këtij procesi paraqet një rëndësi të veçantë, pasi me hyrjen në fuqi të ligjit 114/2015 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, trajnimi i audituesve bëhet i detyrueshëm 80 orë në dy vjet, sipas një programi të miratuar.

Procesi do të zhvillohet në 12 faza, me pjesëmarrjen e rreth 333 audituesve të brendshëm të certifikuar në detyrë, të cilët do të trajnohen sipas tre moduleve të hartuara në përshtatje me grupet e caktuara.

Temat e trajnimeve janë përgatitur dhe do të zhvillohen nga ekspertë të huaj, të ofruar nga projekti i binjakëzimit të ministrisë së Financave të Austrisë dhe ministrisë së Financave të Francës “Implementimi i një sistemi modern të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit dhe Inspektimi Financiar Publik në Shqipëri”, i financuar me fondet IPA 2012.

Ministria e Financave nëpërmjet një akti ligjor ka realizuar heqjen e barrierave për t’u punësuar në profesionin e auditit. Ligji i ri i auditimit publik heq barrierat për t’u punësuar në këtë profesion. Ligji i ri, në nenin 11 të tij, lejon që të punësohet në auditim çdo profesionist që ka 3 vjet eksperiencë, ndërsa çertifikatën mund ta marrë brenda 2 vjetësh pas punësimit.

Me këtë ndryshim, MF-ja i hap rrugë qindra profesionistëve të privuar më parë, si dhe i fton ata të konkurojnë në vendet e lira për auditues të brendshëm në sektorin publik.
Ndërkohë, kreu i financave, Shkëlqim Cani ka firmosur urdhrin “Për miratimin e rregullores për trajnimin e vijueshëm profesional për audituesit e brendshëm në sektorin publik”.

Kjo rregullore e trajnimit të vijueshëm profesional të audituesve të brendshëm në sektorin publik ka për qëllim të sigurojë kuadrin e brendshëm të nevojshëm për mbarëvajtjen e veprimtarisë së trajnimit të vijueshëm profesional të audituesve të brendshëm. Në këtë rregullore përcaktohen procedurat që duhet të ndiqen për programimin, organizimin, administrimin dhe dokumentimin e procesit të trajnimit të vijueshëm profesional të audituesve të brendshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button