Kryeartikull

Misteri i milionave të fshehura në Qipro

Nga Andrea Stefani

Pikëpyetjet që lindin pas deklaratës së bërë nga ish-kreu i SHIK, Fatos Klosi. Kush e ka fshehur si sekret shtetëror informacionin e servirur nga SHBA për fshehjen nga politikanë shqiptarë të milionave në Qipro? A është në interes të sigurisë kombëtare fshehja e emrave të politikanëve të kriminalizuar? Një pafuqi apo bashkëpunim i institucioneve me botën e krimit të organizuar?

 

Ngre disa pikëpyetje një deklaratë e Fatos Klosit, ish drejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) e sapo bërë në emisionin “Dritare me Rudinën”. Prej saj mësojmë se në vitin 2001 SHBA (nënkuptohet shërbimet e tyre sekrete) i kanë servirur SHIK informacione mbi depozitimin apo fshehjen nga politikanë shqiptarë të shumave të parave në Qipro por edhe diku tjetër. Pikëpyetja e parë që ngrihet është: Përse nuk u përdor ky informacion për të goditur këta politikanë të korruptuar shqiptarë që paskan fshehur para në parajsën fiskale të Qipros?

Sipas shpjegimit që jep Klosi, SHIK e ka bërë punën e vet, e ka dërguar informacionin në fjalë “atje ku mund të shkonte” sipas ligjit. Gjithsesi në shpjegimet e tij diçka mbetet e mjegullt. Na thotë se shërbimet sekrete “punojnë për qeverinë, ato financohen nga shteti, si rrjedhim punojnë për shtetin” dhe prandaj kur marrin informacione si ky i fshehjes së parave në Qipro, nëse shtetarët “janë ngatërruar me këto gjëra” ajo zyrë (shërbimi sekret) mbetet e bllokuar. Me kë do komunikojë? – ngre pyetjen Klosi.

Nëse gjërat janë kështu, mendojmë se kemi një problem të madh. Shërbimi sekret merr një informacion për një krim por nuk mund të bëjë asgjë për të luftuar krimin nëse shtetarë të ndryshëm (janë ngatërruar me këto gjëra – thotë Klosi) janë përfshirë në atë krim?! Nëse ligji mundëson që sekreti të shndërrohet në mburojë të shtetarëve të korruptuar, ky është në vetvete një absurd. Ndërkaq, SHIK duhet të kuptojë se nuk punon thjesht për qeverinë por për shtetin. Për qeverinë punon vetëm në kuadrin e shtetit. Dhe shteti nuk është asnjë nga titullarët apo institucionet e tij. Është një kategori shumë më e gjerë që përfshin edhe publikun nga i cili nuk duhen mbajtur të fshehta kur nuk është në interes të shtetit edhe pse ndonjë shtetar mund të jetë përfshirë në krim.

Por nuk mendojmë se gjërat janë fare kështu. Në nenin 10 të ligjit për “Sekretin” bëhet e qartë se klasifikimi në kategoritë e sekretit ndalohet kur bëhet me qëllim që të pengojë apo vonojë dhënien e informacionit që nuk kërkon mbrojtje në interes të sigurimit kombëtar. Dhe kemi përshtypjen se mbajtja fshehur e politikanëve që fshehin para në parajsa fiskale, në Qipro apo kudo gjetkë, nuk është në interes të sigurimit kombëtar. Përkundrazi! Është absurde që ligji të tolerojë që një shtetar të ketë pushtet sa të klasifikojë si sekret një informacion që denoncon një veprimtari kriminale ku është përfshirë edhe ai vetë!

 Konsultohemi me ligjin dhe shohim se SHIK për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar informon dhe raporton te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri. Dhe meqenëse fshehja e shumave të parave nga politikanë në parajsa fiskale (rast i ngjashëm me atë që po shpaloset në skandalin e Panamasë) ka të bëjë me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave prej tij, na bën të besojmë se duhet t’i jetë raportuar Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të asaj kohe që kanë qenë, respektivisht, Rexhep Mejdani dhe Ilir Meta.

Por asgjë nuk ka ndodhur pas raportimit. Kështu pohon Klosi. Përse? Ose informacioni nuk është vlerësuar i rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe nuk i është raportuar Presidentit dhe Kryeministrit dhe ky do të qe, në mendimin tonë, një gabim nga SHIK, ose Presidenti dhe Kryeministri i asaj kohe nuk e kanë parë të arsyeshme të veprojnë dhe për këtë, janë ata që duhet të japin shpjegime në publik. Por në bindjen tonë është e pafalshme dhe në dëm të sigurisë kombëtare që të rrish pa bërë gjë pasi ke marrë informacion se politikanë shqiptarë kanë fshehur para në Qipro. Kjo është të tolerosh kriminalizimin e shtetit në kokën e tij.  

Kush janë këta politikanë që kanë fshehur kapitale? Sa lart qëndrojnë në hierarkinë e politikës dhe të shtetit? A janë edhe sot e kësaj dite aktivë, në pushtet apo në opozitë? Deklarata e Klosit duhet të përbëjë një alarm për çdo qytetar të këtij vendi që trembet ta lerë fatin e tij, të familjes dhe të vendit në duar politikanësh që qarkullojnë para të pista të botës së krimit apo të korrupsionit për t’i fshehur apo për ti pastruar ato.

Cilat paskan qenë arsyet që i kanë detyruar krerët më të lartë të shtetit shqiptar (nëse vërtet e kanë marrë një informacion të tillë) që të mbajnë sekret nga publiku, media dhe, më në fund, drejtësia një informacion që, në fakt, denonconte një krim të rëndë? Dhe në mos qofshin këta por disa instanca të tjera të shtetit që e kanë marrë këtë informacion (Klosi thotë që ai ka shkuar atje ku mund të shkonte) përse nuk kanë vepruar për të mundësuar ndëshkimin e një krimi të një natyre të tillë që sot po trondit Botën?

Opsionet e mundshme që të vijnë në mëndje për këto enigma janë rrëqethëse. Ose institucionet e shtetit kanë qenë të terrorizuara nga krimi i organizuar dhe nuk kanë mundur të përballen me to ose, nuk duam ta besojmë, kanë bashkëpunuar në fshehjen e këtij krimi.

I çuditshëm është edhe qëndrimi i palës amerikane që edhe pse e ka vlerësuar të rëndësishëm goditjen e atij aktiviteti ilegal (ata nuk e dhanë kot atë informacion) kanë qëndruar të heshtur më pas, edhe pse është parë se nga institucionet e shtetit shqiptar nuk ka patur asnjë reagim! Mos vallë edhe këta e kanë studiuar situatën dhe kanë kuptuar që një reagim kundër këtij krimi mund të sillte destabilitet në vend për shkak të forcës së krimit të organizuar dhe gërshetimit të tij me segmente të fuqishme të politikës? Por edhe në qoftë kështu, kujt i duhet një stabilitet që vjen jo nga lufta kundër krimit të organizuar por nga heshtja përballë kërcënimit të tij?

Dhe në fund fare, kush është ai institucion dhe titullar që paska, përderisa gjithçka është mbajtur e fshehtë, vendosur që informacionin e servirur nga amerikanët ta trajtojë si “tepër sekret”, “sekret” apo “konfidencial”? Në ligjin që shërben për të administruar çështje të tilla, futen në të tilla kategori sekreti ato informacione dalja e të cilave mund të shkaktojë dëmtim deri edhe veçanërisht të rëndë të sigurisë kombëtare. Sipas po këtij ligji (për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror) sqarohet se të drejtën e klasifikimit e kanë Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe drejtues institucionesh të autorizuar nga Kryeministri. E pra, kush janë këtë zyrtarë, në rastin në fjalë, dhe a do të mund të shpjegonin në publik se si mbrohet siguria kombëtare duke fshehur një krim të rëndë kryer nga politikanë që kanë marrë apo mund të marrin drejtimin e punëve të kombit?

Related Articles

Nje koment

  1. More Andrea,vetem tangetthi I permend Mejdanin dhe Meten,dhe nuk kerkon shpjegime apo interpretime te tjera prej tyre.Merresh shume me “ata”qe kane cuar parat ne Qipro dhe nuk insiston te dale pergjegjesija e ish presidentit dhe ish kryeministrit.Te gjithe tani kane te drejte te te pyesin,po sikur te kish qene Saliu,cdo beje ti.Po ta them une ,qe me shume se dy ose tre fishi I shkrimit ten te sotem,do fliste vetem per te,dhe nuk do te preferoje te permendje asnje tjeter.Prandaj shikoje me pare vehten dhe me pas shkruaj per te tjeret.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button