Mitsotakis, lideri i ri i Demokracisë së Re në Greqi
I ka surprizuar të gjithë në raundin e dytë dhe kundër gjithë parashikimeve është bërë kryetari i dhjetë në historinë e Demokracisë së Re. Kiriakos Mitsotakis ka arritur një fitore të pastër për lidershipin e partisë së dytë më të madhe të Greqisë duke siguruar mbi 51,6% të votave ndaj 48,4% që përqendroi rivali i tij Vangjelis Meimarakis.
Lideri i ri me një profil modern, vjen nga një familje me ndikim të madh në politikën e Greqisë. Është djali i ish-kryeministrit Konstandinos Mitsotakis dhe vëllai i ish-ministres së Jashtme, Dora Bakojanis.
Ai arriti të merrte përsipër pikërisht sfidën për rinovimin e Demokracisë së Re pas humbjeve të njëpasnjëshme elektorale të kësaj force vitin e kaluar, si dhe të sfidojë kryeministrin e majtë grek Aleksis Tsipras, sidomos para një prej reformave më të rëndësishme që pritet të miratojë Parlamenti, atë të pensioneve.
Mitsotakis ka arritur të mundë një figurë historike të Demokracisë së Re, i cili kishte përkrahjen e dy prej ish-kryeministrave të fundit të kësaj partie dhe ka fituar shumicën e votave edhe në zonat ku ata kishin influencë të madhe në Greqinë e veriut.
Synimi i tij kryesor, siç ka deklaruar, është të bashkojë forcat e djathta dhe ato të qendrës rreth Demokracisë së Re në kushtet e vështira që kalon Greqia.
“Të hënën, Demokracia e Re nuk do thjesht të jetë e bashkuar, ajo do të rinovohet. Partia e zgjeruar e qendrës së djathtë do të jetë në gjendje të paraqesë një alternativë të daljes së vendit nga kriza”, theksoi Mitsotakis.
47-vjeçari, para se të futej në politikë, ka qenë në disa poste drejtuese bankare. Prej vitit 2004 ka qenë për 11 vjet deputet i Demokracisë së Re dhe në vitin 2013 ministër i Reformës Administrative, kur duke kritikuar praktikat klienteliste të sindikatave, ka trajtuar kërkesat e Trojkës për shkarkimin e nëpunësve civilë dhe reformat në administratën publike, si lëvizshmëria e personelit, vlerësimi i strukturave dhe meritokracia e nëpunësve.
Ai ka studiuar për shkenca shoqërore dhe administrim biznesi në Harvard dhe më pas marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare në Stanford. Doktorata e tij ka temë politikën e jashtme amerikane në Greqi. Flet tri gjuhë të huaja (anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht). Është i martuar me një biznesmene të suksesshme dhe është baba i tre fëmijëve.