Te ndryshme

Mos pini duhan, keni pak shanse punësimi

Hulumtimet e fundit të shkencës kanë zbuluar se punëdhënësit i paragjykojnë duhanpirësit në vendin e punës dhe se fitimet e këtyre punonjësve janë më të ulëta sesa ato të të tjerëve

Një studim i fundit ka zbuluar se duhanpirësit e papunë kanë më pak gjasa se ata që nuk tymosin të gjejnë një vend pune. Dhe kur e gjejnë atë, fitojnë më pak, raportuan hulumtuesit këtë javë.

Studimi është një nga pak kërkimet që tregojnë se duhanpirja është një shkak, jo një pasojë, kur vjen puna për t’u punësuar dhe mat se sa i kushton duhanpirja mesatarisht një personi: 8300 dollarë në vit.

“Duhanpirësit që kanë gjetur sërish punë në një vit, mesatarisht, të ardhurat e tyre në orë ishin 5 dollarë më pak sesa të ripunësuarit joduhanpirës për orë. 15.10 dollarë përkundrejt 20.27 dollarë, është një ndryshim prej 25 për qind”, thotë Judith Prochaska nga Universiteti i Stanfordit. Raporti i tyre u publikua në Revistën e Lidhjeve Mjekësore Amerikane, JAMA.

“Duke llogaritur një mesatare prej 32 orësh në javë, ky është një deficit që e tejkalon 8,300 dollarë në vit”, thanë kërkuesit.

Skuadra e Prochaskas studioi 251 punëkërkues në zonën e San Françiskos, SHBA nga viti 2013 deri në vitin 2015. Rreth gjysma e duhanpirësve u punësua ndërsa gjysma tjetër jo. Pas një viti, dyfishi i joduhanpirësve kishte gjetur punë.

“Në një ndjekje 12-mujore, 60 nga 108 joduhanpirës (55.6 për qind) kishin gjetur sërish punë, krahasuar me 29 nga 109 duhanpirës (26.6 për qind)”, shkroi skuadra e kërkuesve.

Ndërsa veçuan faktorë të tjerë si seksi, historia kriminale, aksesi në strehim dhe transport, përdorimi i alkoolit dhe drogës, ndryshimet vazhduan të ishin të qarta: joduhanpirësit kishin 24 për qind më shumë gjasa të gjenin një vend pune.

Kjo pohon edhe studimet e tjera, deklaroi skuadra e Prochaskas. Një studim i 52,000 punëtorëve në ndërtim zbuloi se 11 për qind e duhanpirësve të këtij grupi ishte e papunë. Kjo krahasuar me 6.4 për qind e joduhanpirësve. Por në atë studim nuk ishte e qartë nëse njerëzit filluan të tymosnin për shkak të papunësisë.

Është e kuptueshme përse punëdhënësit mund të hezitojnë të marrin në punë duhanxhinj. Punëkërkuesit që mbajnë erë duhan e vënë veten në një dizavantazh të madh në gjetjen e një pune.

“Përdorimi i duhanit te punëmarrësit lidhet me kosto më të mëdha të kujdesit shëndetësor, kohë joproduktive dhe mosparaqitje”, thanë kërkuesit. “Një punonjës që pi duhan u kushton punëdhënësve privatë të Shteteve të Bashkuara një kosto shtesë (mbi atë të punëmarrësve joduhanpirës) prej 5.816 dollarë në vit”.

Studimi nuk ishte aq intensiv sa kërkuesit të kontaktonin punëdhënësit për të pyetur përse nuk i marrin në punë duhanpirësit. Por ata pyetën mjaftueshëm sa për të përcaktuar se duhanpirësit e vënë vesin e tyre të parin. Madje, shpeshherë edhe përpara higjienës personale, transportit dhe madje blerjes së një celulari.

“Krahasuar me joduhanpirësit, duhanpirësit ishin ndjeshëm më të rinj dhe më pak të arsimuar; kishin më shumë gjasa të ishin burra, të pamartuar, pa strehë të qëndrueshme, kishin histori kriminale, mjet jo të qëndrueshëm transporti dhe kishin marrë trajtim më parë për probleme me alkoolin dhe drogën”, deklaruan kërkuesit.

“Kemi një studim simotër në proces, i cili do të analizojë paragjykimet kundrejt duhanpirësve te menaxherët e punësimit dhe praktikat rreth punës dhe duhanit”, tha kërkuesja Prochaska.

“Nga bisedat në terren me menaxherët e punësimit, punëmarrësit që mbajnë erë duhan e vënë veten në një dizavantazh të madh në gjetjen e punës”, shtoi ajo.

Duhanpirësit nuk marrin mbrojtje ligjore dhe shumë punëdhënës i kërkojnë stafit të tyre të zotohen dhe madje të provojnë se nuk pinë duhan.

“Në shumë shtete, punëdhënësit mund të pushojnë nga puna ose t’u japin vërejtje punëmarrësve që mbajnë erë duhan në zyrë”, shtoi skuadra e Prochaskas.

Pjesa më e madhe e duhanpirësve, më shumë se 90 për qind, ishin përpjekur të paktën një herë të jepnin dorëheqjen. Ekspertët thonë se nikotina është po aq varësi ndjellëse sa heroina, kokaina apo alkooli. Por thuajse askush nuk raportoi se punëdhënësi ishte përpjekur t’i ndihmonte.

Sipas qendrës për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, vetëm 17 për qind e të rriturve amerikanë tymosin duhan, një rekord në 50 vitet e fundit. Duhanpirja vret rreth gjysmë milioni amerikanë çdo vit dhe i kushton shtetit 300 miliardë dollarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button