Moti i keq mbërthen vendin, stuhia rrëzon shtylla elektrike dhe pishat, Vjosa rrezikon daljen nga shtrati
Moti i keq me stuhi dhe reshje të rrëmbyera shiu ka mbërthyer vendin. Nga veriu në jug raportohen probleme pasi lumenj kanë dalë nga shtrati dhe kanë dëmtuar rrugë e fusha, kurse pishat e rrëzuara nga stuhia e erës janë kthyer në rrezik për banorët. Ndërkohë shumë zona po vuajnë ndërprerjen e energjisë elektrike pasi shumë shtylla elektrike janë shembur gjatë natës.
Në Vlorë, lumi Vjosa ndodhet në limit dhe rrezikon të dalë nga shtrati. Autoritetet vendore kanë lajmëruar banorët që të qëndrojnë larg banesave pasi me daljen nga shtrati, lumi mund të përmbytë cdo objekt që do gjejë para. Shtabi i Emergjencës është ngritur tashmë pasi në rrezik janë me dhjetra mijëra ha tokë dhe ndërtesat në to. Në afërsi të Selenicës, lumi Vjosë ka nisur daljen nga shtrati ne nje kohe kur moti i keq nuk premton përmirësim.
Lezhë
Situata nuk paraqitet e mirë as në Lezhë, ku me dhjetra pisha janë rrëzuar në zonën e Kunes. Ndërsa pa energji elektrike kanë mbetur Ishull Shëngin, Zejmeni, Shëngjini.
Dibër e Pukë
Shumë komuna të Dibrës janë zgjuar pa energji elektrike sot në mëngjes pas gjatë natës, era e fuqishme ka rrëzuar shumë shtylla të energjisë elektrike. Grupe të punës së OSHEE janë nisur drejt zonave për riparimin e defektit. Kështu dhe në Pukë, por energjia në qytet është rikthyer, kurse në fshatra mungon ende, duke vështirësuar jetën e banorëve në këtë mot të ftohtë.
Gjirokastër
Pas një moti me stuhi dhe erë gjatë gjithë natës, Gjirokastra sot paradite u paraqit në gjendje pak më të stabilizuar. Energjia elektrike që mungonte prej orësh u rikthye, por dëme të shumta janë vërejtur në rrugë dhe banesa pasi era e fuqishme e shoqëruar me shi të rrëmbyer zgjati për gjatë gjithë natës.
Lushnje
Situatë e rënduar mësohet dhe për Lushnjen. Deputeti i zonës Erjon Brace shkruan në Facebook se, për shkak të stuhisë së djeshme, janë dëmtuar fidrat e furnizimit me energji elektrike. “Ka pasur defekte të natyrave të ndryshme, deri te të rëndat në të 28 fidrat e Lushnjës”.
Deputeti siguron se pasi ka kontaktuar me drejtorin e OSHEE të Lushnjes, tanimë po punohet në 5 fidrrat e fundit dhe për pak kohë, do të rikthehet energjia elektrike në Lushnje”.