Munden Flamurtari e Laçi, kualifikimi është mirazh
Vetëm vlonjatët duken në gjendje të përmbysin një humbje 2-0
Flamurtari dhe Laçi janë mundur në ndeshjet e tyre të para në turin e dytë të Europa League dhe janë pranë largimit nga ky turne që në këtë fazë. Për kurbinasit, disfata 3-0 ndaj Zorias në shtëpi e bën thuajse të sigurt eliminimin, ndërsa Flamurtari ka ende shanse minimale për të kaluar pas humbjes 2-0 në transfertë ndaj Petrolul Ploieshti.
Vlonjatët, pas kalimit të turit të parë, rritën ambiciet e tyre edhe ndaj ekipit rumun, të paktën në pjesën e parë, u munduan që të luanin si të barabartë. Loja kompakte në mbrojtje, por edhe kundërsulmet e rrezikshme, bënë që skuadra e Flamurtarit për shumë minuta të mos e ndiente aspak peshën e kësaj transferte përballë një skuadre që përbëhej nga lojtarë shumë cilësorë. Megjithatë, Abilaliaj, i vetëm në repartin e sulmit, e kishte të vështirë të shfrytëzonte rastet e krijuara pas harkimeve të Muzakës e Likës, pasi gjendej gjithmonë i rrethuar nga dy mbrojtës kundërshtarë. Por Flamurtari u tërhoq thuajse i tëri në mbrojtje në pjesën e dytë, duke i lëshuar shumë terren Petrolul, që kësisoj e kishte më të lehtë të krijonte raste të rrezikshme, sidomos pas aktivizimit të Nepomuçeno në fillimin e pjesës së dytë. Sulmuesi holandez, falë kombinimeve me Tamuz dhe Mutu, arrin të hyjë shumë shpesh në zonën e skuadrës vlonjate, që tashmë mendon të kundërsulmojë vetëm me topa të gjatë. Në një nga këto kundërsulme, Muzaka ka mundësinë e artë për të shënuar, por habitet duke kontrolluar nëse ishte në pozicion jashtë loje apo jo, duke i dhënë kohë portierit kundërshtar t’i hiqte topin nga këmbët. Gabimi ndëshkohet menjëherë nga vendasit, të cilët gjejnë golin me Nepomuçeno, i cili i shmanget pozicionit jashtë loje dhe dërgon topin në trekëndëshin e portës së Likës me një gjuajtje të pakapshme. Petrolul shton sulmet në kërkim të një tjetër goli, të cilin e gjen pak minuta më vonë me Tamuz, pas zhvillimit të një goditjeje nga këndi. Duke përfituar nga pasiguria dhe lodhja që vlonjatët filluan të shfaqin në minutat e fundit, vendasit tentuan të shënonin përsëri, por Flamurtari i rezistoi ofensivës së rumunëve duke mbajtur humbjen në kuota “të pranueshme” për një ndeshje jashtë fushe.
Nëse Flamurtari ka teorikisht shanse kualifikimi, për Laçin, ai është mbyllur plotësisht që në ndeshjen e parë, pasi Zoria ka qenë një skuadër shumë më e fortë sesa Rudar. Ndonëse kurbinasit, përpara tifozerisë së tyre janë paraqitur me një formacion ofensiv, duke vendosur përkrah Adeni edhe Morinën, ata e kishin të vështirë të mbërrinin deri para portës kundërshtare. Edhe në rastet kur Laçi arrinte të shfaqej në pozicione të volitshme, vonesat në tentativat drejt porte apo ndërhyrjet e portierit Shevçenko, bënë që rrjeta e portës së Zorias të mbetej e paprekur. Atëherë kur dukej se Laçi kishte kuptuar mënyrën e lojës së kundërshtarëve, erdhi autogoli i Shetës që dërgoi në portën e vet një harkim pa shumë pretendime të Karavaev. Nica përpiqet të ndryshojë diçka në lojën e skuadrës së tij, duke bërë dy zëvendësime të shpejta. Por pavarësisht dominimit në lojë, rastet më të mira i krijon Zoria, me anë të sulmuesit Boli, i cili tenton disa herë të gjejë rrugën e rrjetës, me topin që përfundon jashtë kuadratit të mbrojtur nga Vujadinoviç. Shpresat e skuadrës shqiptare shuhen që në minutën e 47 të ndeshjes, kur serbi Ljubenoviç gjuajti fluturimthi, duke dërguar topin përsëri në rrjetë për të dyfishuar avantazhin e Zorias. Laçi vazhdon të tentojë, por i mungon pasimi i fundit para portës kundërshtare. Edhe atëherë kur Adeni i shmanget mbulimit, ai nuk është në gjendje të kalojë Shevçenkon. Ndërsa Zoria gjen edhe golin e tretë falë aftësive të sulmuesit Boli, i cili pasi bën sllallom mes mbrojtjes laçiane, nuk e ka të vështirë të shënojë golin e rezultatit 3-0 që nuk ndryshon deri në fundin e ndeshjes. Kjo humbje e thellë në shtëpi e bën thuajse të sigurt eliminimin e Laçit, që gjithsesi në këtë sezon ka realizuar objektivin që i kishte vënë vetes, atë të kalimit të një turi në Europa League.
Petrolul P. – Flamurtari 2-0
78’ Nepomuçeno, 84’ Tamuz
Petrolul P.: Peçanja, Alçenat, G. Alvesh, Fançone, Albin (46’ Nepomuçeno), Hoban, Marinesku (72’ N’Koi), Teikseira, Pablo, Mutu, Tamuz (85’ Morar).
Tr.: R. Luçesku.
Flamurtari: I. Lika, Mici, Veliu, Lena, Arberi, Muzaka, Telushi, Kuqi, G. Lika (75’ Meto), Zeqiri (89’ Gërxho), Abilaliaj (66’ A. Shehaj).
Tr.: E. Gjoka.
KV: Marinesku, G. Alvesh, Pablo / Zeqiri, Muzaka.
Gjyqtar: Ken Johnsen (Norvegji).
Laçi-Zoria 0-3
23’ (ag) Sheta, 47’ Ljuboneviç, 78’ Boli
Laçi: Vujadinoviç, Ofojen, Çela, Sheta (68’ Veliaj), Sefgjini (27’ Buljan), Vucaj, Nimani, Teqja, Zefi, Adeni, Morina (40’ Sefa).
Tr.: S. Nica.
Zoria: Shevçenko, Ignjateviç (46’ Jarmash), Bernidiub, Bili, Gristai (75’ Borodai), Çaikovski, Kamenujka, Karavaev, Ljubenoviç (60’ Lipartia), Boli, Khomçenovski.
Tr.: J. Vernidub.
KV: Vernidub, Borodai.
Gjyqtar: Peter Kraloviç (Sllovaki).