Te ndryshme

Muri i dëshirave, një emërues i përbashkët i njerëzimit

Një projekt mjaft i veçantë dhe shumë prekës, një pikturë masive e krijuar në një mur ku çdokush mund të japë kontributin e tij, ka bashkuar të panjohurit dhe pretendon t’i japë një kuptim jetës

Në fillim të vitit 2011, një artiste dhe dizenjuese pjesë e të famshmit TED, Candy Chang, mbretëreshë e instalacioneve shumë krijuese në hapësira publike që kombinon artin me rrëfimin e historisë, e shndërroi një shtëpi të braktisur në lagjen e saj të Nju Orlinsit në një pikturë me shkumës dhe lapsa që përmbante një fjali të pambaruar “Përpara se të vdes dua…”

Çdo kalimtar pati mundësinë ta plotësonte me një copë shkumësi dhe të shprehte aspiratën e tij në jetë. Për befasinë e Chang, muri u mbush plotësisht të nesërmen. Shpejt, projekti mori jetë edhe u përhap në mbi dhjetëra gjuhë të tjera në më shumë se tridhjetë shtete, duke u dhënë zë milionave njerëzve.

Libri me të njëjtin titull “Përpara se të vdes” përmbledh thëniet më të mira në këto mure publike, por anonime, nga Alaska në Australi, Bruklin dhe Berlin. Përgjigjet variojnë nga “të shoh një vit pa luftë” në ato qesharake si dëshira “për të fjetur me një muzikante harpe”, por edhe ato më tronditëse si “të riparoj zemrën time të thyer”.

Së bashku me fotografitë, gjenden edhe historitë e disa prej njerëzve që kanë shkruar anonimisht në mur përgjigjet e tyre. Chang tregon për zanafillën e projektit të saj me një histori personale.

Rrëfimi

art1Joan vdiq një ditë të qetë gushti. Ajo ishte nënë për mua për pesëmbëdhjetë vjet. Ajo ishte e sjellshme dhe altruiste. E donte shumë kopshtarinë dhe më mësoi si t’i dua lulet. Kur isha një adoleshente trazovaçe, ajo më tha se duhej të isha e vërtetë me veten. Vdekja e saj ishte e papritur dhe e menjëhershme, kishte shumë gjëra që ajo donte të bënte: të luante piano, të jetonte në Paris dhe të shihte Oqeanin Paqësor. Kalova një kohë të gjatë në zi. Pastaj ndjeva mirënjohje për kohën që kaluam së bashku.

Vdekja ishte gjithnjë në mendjen time. Më solli qartësi në jetë. Më kujtonte njerëzit që dëshiroja të doja, njeriun që doja të bëhesha dhe gjërat që doja të bëja. Por unë kisha vështirësi ta ruaja këtë perspektivë. Është e lehtë të të rrëmbejë rutina e përditshmërisë dhe të harrosh çfarë ka rëndësi për ty. Pyeta veten nëse edhe të tjerët ndiheshin po kështu.

Vdekja është diçka që ne shpesh nuk kemi dëshirë të flasim apo ta mendojmë. Ndoshta kjo është arsyeja përse m’u desh kaq shumë kohë të eksploroj këto mendime, por kur e bëra, më në fund u ndjeva rehat dhe e qartë, gjë që nuk e prisja.

Përtej të vërtetës tragjike të moralit, shtrihet një qetësi që më kujton vendin tim në botë. Kur mendoj rreth vdekjes, gjërat që më stresojnë largohen në vendin e tyre të vogël dhe të drejtë. Gjërat që kanë rëndësi më së tepërmi për mua, bëhen të mëdha dhe në qendër të vëmendjes përsëri. Kur mendoj për vdekjen më qartësohet jeta.

Libri

at1Libri hapet me një thënie perfekte nga Carl Sagan: “Ne e bëjmë botën tonë të rëndësishme nga kuraja e pyetjeve tona dhe thellësia e përgjigjeve”.

Por në një mënyrë paradoksale, projekti gjithashtu përfshin edhe kundërshtim të kësaj deklarate: “Pyetja në vetvete nuk është veçanërisht kurajoze, as shumica e përgjigjeve nuk janë veçanërisht të thella, por kombinimi prodhon diçka të thellë njerëzore dhe kjo është ideja. Çfarë e bën botën edhe më domethënëse, është kombinimi i gëzimit dhe vuajtjes sonë – është thjeshtësia dhe sinqeriteti i përgjigjeve për pyetjet më të thjeshta dhe më të sinqerta.

Në fakt, përgjigjet e sinqerta e tregojnë më mirë kompleksitetin e gjendjes njerëzore: paqja në botë, kurimi i kancerit dhe të mësosh të duash, mund të mos jenë përgjigjet më origjinale, por diçka magjike ndodh kur anonimiteti shfaq origjinalitet dhe tregon ndjesitë tona më njerëzore dhe më të ndjera, me një lloj sinqeriteti lakuriq.

Përgjigjet e dhëna në murin e dëshirave, na kujtojnë ato gjëra që kanë më shumë rëndësi, janë një lente morale e asaj që duhet të ketë vërtet rëndësi. Teksa ne përballemi me fakte të pashmangshme çdo ditë kur kthejmë kokën dhe shohim jetën, zgjuarsia, urtësia dhe pretendimet që kemi, shkunden nga jeta dhe shfaqet kuptimi i jetës nëpërmjet dëshirave të thjeshta.

Projekti gjithashtu thellon një tjetër dimension, nocionin se hapësirat publike strehojnë realitetin tonë fizik dhe na lidhin më tepër me gjërat që na rrethojnë.

Mesazhi

Chang shkruan:

Hapësirat tona publike janë po aq të thella sa i lejojmë ne. Ato janë hapësirat tona të përbashkëta dhe reflektojnë se çfarë ka vërtet  rëndësi për ne si komunitet dhe si individ. Në formën e tyre më të mirë, hapësirat publike mund të ndikojnë në mirëqenien tonë dhe të na ndihmojnë të kuptojmë se nuk jemi vetëm në përpjekjen për të zbuluar kuptimin e jetës. Ato mund të na ndihmojnë të vajtojmë së bashku dhe të festojmë së bashku, të jemi njëkohësisht bashkë dhe vetëm.

Çdo kalimtar është një tjetër person plot ankth, frikë dhe hamendje. Me më shumë mënyra për të gëzuar së bashku hapësirat publike, njerëzit rreth nesh jo vetëm që na ndihmojnë ta bëjmë vendin më të mirë, por gjithashtu të bëhemi edhe vetë më të mirë.

Një aspiratë e bukur, përpara se të vdesë është një kujtesë e mirë e faktit se ne jemi jetëshkurtër dhe se kemi rëndësi. Po ashtu, ne jemi të njejtët, por të bashkuar në shpresat tona më të thella… pjesët më të thjeshta të jetëve tona janë gjithashtu më të thellat dhe më të përjetshmet.

*Burimi: Maria Popova / Brain Pickings

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button