Mustafa: Kosova e pa luhatur në orientimin e saj drejt vlerave evropiane perëndimore
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës që po zhvillon në Mbretërinë e Bashkuar, ka mbajtur një ligjëratë në Universitetin e Oxfordit, të organizuar nga Oxford Union.
Para dhjetëra studentëve të pranishëm, kryeministri Mustafa ka shpalosur rrugën e vështirë të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, formimin e shtetit, proceset aktuale që lidhen me zhvillimin ekonomik, integrimet evropiane dhe perspektivën e mëtejme të Kosovës.
“Kosova si një demokraci e re me 1.8 milionë banorë, ende përballet me sfida institucionale dhe zhvillimore. Përkundër vështirësive, Kosova asnjëherë nuk është luhatur në orientimin e saj drejt vlerave evropiane perëndimore. Kosovarët janë populli më proevropian në kontinentin tonë, por fatkeqësisht jemi të vetmit që nuk mund të udhëtojmë në Bashkimin Evropian pa viza. Ne kemi plotësuar trefishin e kritereve që i kanë plotësuar më parë fqinjët tanë dhe tani po presim një rekomandim pozitiv nga Bashkimi Evropian për futjen e Kosovës në Zonën e Bardhë Schengen”, tha kryeministri.
Duke folur për përkushtimin e qeverisë së Kosovës në reformat ekonomike, kryeministri Mustafa veçoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, e cila është e përqendruar në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit, infrastruktura dhe konkurrueshmëria.
Sipas kryeministrit, këto katër komponentë janë shtyllat e zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme.
Lidhur me proceset integruese evropiane, Mustafa tha se “viti që shkoi ishte historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me BE-në, duke iu referuar nënshkrimit të marrëveshjes së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.
“Qeveria e Kosovës zotohet se do të jetë një partner i denjë i BE-së për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke përfshirë edhe MSA-në. Ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur mirënjohje për Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera perëndimore për përkrahjen që po i japin Kosovës në të gjitha fushat.
Më pas, kryeministri Mustafa i është përgjigjur pyetjeve të studentëve lidhur me zhvillimet aktuale politike në Kosovë, proceset zhvillimore, raporteve rajonale e të tjera.
Gjatë ditës së parë të vizitës në Londër, Mustafa u takua edhe me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee, nga i cili ka marrë përkrahje të fuqishme për Kosovën. Ai u takua edhe me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, si dhe drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, Christian Danielsson.
Gjatë takimit me Danielsson, kryeministri Mustafa kërkoi përkrahje më të fuqishme të KE-së për Kosovën, me theks të posaçëm përmes marrjes së vendimit për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke pasur parasysh përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës.