Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur jashtëzakonisht optimist për sa i përket takimit të së hënës në mes të dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Përmes një postimi në Facebooko, Mustafa ka ndarë me “miqtë e tij virtualë” gëzimin që, siç tha ai, tashmë po kryhen përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Së këndejmi, Mustafa u shpreh optimist se mbledhja e së hënës në Tiranë do të jetë e suksesshme dhe do ta hapë një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy shteteve tona.
“Për qeverinë që unë drejtoj, prioritet është bashkëpunimi me Shqipërinë, përmes një politike të bashkërenditur për interesat tona të përbashkëta, për interesat e shqiptarëve në rajon, si dhe për realizimin e bashkëpunimit edhe për çështje të karakterit rajonal dhe të procesit të integrimeve euro-atlantike”, tha Mustafa.
“Dy shtetet tona, kurrë deri më tash nuk e kanë pasur situatën më të përshtatshme në shtëpi, por edhe atë rajonale e ndërkombëtare, që të krijojnë politika të përbashkëta në të gjitha fushat, që na lidhin dhe i bëjnë marrëdhëniet tona dypalëshe të veçanta”, theksoi më tej ai.
Në fund, ai bëri me dije se i gjithë kabineti qeveritar që gjendet në Kosovë do të kalojë së bashku Rrugën e Kombit për të arritur të organizuar dhe në të njëjtën kohë në Tiranë.
Dje, Koha.net raportoi se delegacioni i Kosovës do të udhëtojë për në Shqipëri me autobusë.