Kryeartikull

Na duhet patriotizëm ekonomik

rritje ekonomikeKLODIAN MUҪO

Një ndër modelet më të suksesshëm të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, është ai i periudhës nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore deri në fundin e viteve tetëdhjetë i aplikuar në Japoni. Një zhvillim i bazuar në financimin e industrisë nga ana e qeverisë. Një rritje e GDP-së me gati 10% në vit, ndërsa rritja e sektorit industrial herë pas here arrinte deri në 15% në vit. Sigurisht që një vend si Japonia s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë, e cila ka një industri të prapambetur me një kontribut 10% në GDP, ndërkohë që në Japoni kontributi i industrisë në atë periudhë ishte 30%. Megjithatë, çelësi i suksesit të Japonisë nuk ka qenë vetëm zhvillimi i industrisë në vetvete, por diversifikimi sektorial i ekonomisë dhe financimi i industrisë me anë të kursimeve, e cila shoqërohej me një rritje të lartë të kërkesës në tregun e brendshëm, falë një rritjeje të ndjeshme të rrogës dhe fuqisë blerëse të saj, që u rrit rreth 4.5 herë në periudhën 1955-1970. Shteti gjithashtu përdori një politikë të përkryer për nxitjen e konsumit të brendshëm. Edhe pse u qëndroi besnik principeve të ekonomisë liberiste, ai e orientoi ekonominë drejt importimit të lëndëve të para dhe eksportimit të produktit të përfunduar dhe me anë të mbrojtjes së prodhimit vendas, uli në minimum importet për konsumin e brendshëm.

Le të rikthehemi në Shqipëri, ku ndryshe nga Japonia në këto 20 vitet e fundit janë ndjekur politikat e zhvillimit ekonomik të ngjashme me ato të vendeve afrikane; shfrytëzimi i nëntokës dhe kostos së ulët të forcës punëtore. Ndërsa konsumi vendas përbëhej kryesisht nga importi. Ndërkohë që më lartë shpjeguam që për të pasur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm duhet të kemi në fokus jo vetëm punësimin, por një rritje të vazhdueshme të nivelit të të ardhurave, pasi falë tyre do të rritej kursimi, i cili do të shkaktonte rritjen e kursimit për prodhuesit e në mënyrë indirekte investimet. Rritja e investimeve do të rriste prodhimin e në të ardhmen do të orientonte ekonominë nga eksportet.

Pra jemi ne konsumatorët ata që mund të nxjerrim ekonominë nga kjo krizë ekonomike që ka futur të gjitha bizneset në një ngërç. Jemi ne ata që “eksitimin patriotik” nuk duhet ta shprehim vetëm për sportin, por duhet ta shprehim mbi të gjitha në nxitjet e prodhimit shqiptar. P.sh., këto ditët e fundit u pa një fjalor i larmishëm kundrejt Serbisë, Greqisë dhe Francës. Ju kujtoj që vetëm nga këto tri vende Shqipëria importoi produkte me një vlerë prej 755 milionë dollarësh për 2012-n. Ose 15.5% e importit shqiptar vjen nga këto tri vende, ndërkohë që vlera e eksportit kundrejt këtyre vendeve është vetëm 5.8%. Nëse ne kemi “urrejtje” ndaj Serbisë apo Greqisë dhe dashuri ndaj Shqipërisë, është më mirë ta shprehim me fakte dhe në momentin që shkojmë nëpër dyqane apo supermarkete duhet të kërkojmë vetëm produkte vendase.

Pse duhet të kalben mollët e Korçës apo patatet e Kukësit?! Pse mos të japim edhe ne kontributin tonë në zhvillimin e sektorit bujqësor shqiptar që në shumë aspekte është akoma spartan, i pazhvilluar dhe në shumicën e rasteve përbëhet kryesisht nga produkte bio, edhe pse estetikisht nuk janë në standardin e duhur. Nëse të gjithë ne konsumatorët do të rritnim kërkesën për produkte made in Albania, do të ndihmonim bujqit shqiptarë të rrisnin nivelin e të ardhurave dhe të kursimit e si rrjedhojë do t’i stimulonim ata në rritjen e investimeve në këtë sektor kaq të rëndësishëm për vendin.

Rritja e investimeve nga një anë do të rriste produktivitetin, e nga ana tjetër, do të rriste standardizimin e prodhimit dhe furnizimin e tregut me produkte përgjatë 12 muajve të vitit. Rritja e kërkesës për produkte vendase është patriotizëm, pasi rrit mundësinë e pasurimit të prodhuesve shqiptarë, stimulon investimet në atë sektor, rrit nivelin e punësimit duke nxitur kështu rritjen e nivelit e të ardhurave dhe rrit mirëqenien sociale të individëve.

Nëse qeveria i ka duart të “lidhura” për sa u përket politikave proteksioniste për produktet shqiptare, duke qenë pjesë e OBT-së, ne mund të japim kontributin tonë, duke shpenzuar paratë tona brenda vendit dhe jo duke ua kaluar fqinjëve tanë. Në këtë mënyrë do të japim një kontribut direkt në uljen e importit, përmirësimin e balancës tregtare e si pasojë edhe në rritjen e GDP-së.

Kontributi ynë për rritjen ekonomike të vendit mund të jepet edhe në fusha të tjera, p.sh. në atë të vjeljes së taksave, edhe pse është një kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Ne jemi vendi i fundit në rajon për sa i përket nivelit të të ardhurave në raport me GDP-në, rreth 24%. Ndërkohë që Serbia kap vlerën e 40%, ndërsa në Kosovë niveli të ardhurave arrin në rreth 28% të GDP-së. Një nivel i ulët i të ardhurave pengon shpenzimet publike, e detyron qeverinë të rrisë presionin fiskal ose të rrisë nivelin e borxhit publik. Pra jemi ne ata që ia vështirësojmë “jetën” qeverisë çdo ditë e më tepër duke mos paguar taksat. Nëse e konsiderojmë veten patriotë dhe dëshirojmë një të ardhme më të mirë të vendit dhe një mirëqenie sociale më të lartë, nevojitet që të gjithë ne të marrim kuponin tatimor për çdo transaksion që kryejmë, duke rritur kështu nivelin e të ardhurave e në mënyrë indirekte, duke evituar rritjen e nivelit të taksave e duke i dhënë mundësi qeverisë të ofrojë më shumë të mira dhe shërbime. Jemi ne ata që me një kontribut kaq të vogël, nuk e lëmë më qeverinë “në dorë” të FMN-së, që tani po e detyron në mënyrë indirekte atë të rrisë çmimin e energjisë elektrike dhe të karburanteve. FMN-ja, edhe pse nuk është një bankë, vepron si e tillë. Ajo detyron vendet që u jep kredi të veprojnë siç e sheh të arsyeshme, pra të aplikojnë politika të rigorozitetit buxhetor e jo politika keynesiane, pra stimulimin e kërkesës agregate.

Për të konkluduar mund të them se zhvillimi ekonomik nuk vjen vetëm duke kërkuar investime të huaja, që shpesh shkojnë për privatizime e shpesh pa pasur vizion për të ardhmen, apo duke dhënë me koncesion gjithë pasuritë natyrore, pa i detyruar ata të bëjnë investime rigoroze për rritjen e prodhueshmërisë dhe rritjen e punësimit. Zhvillimi nuk vjen vetëm nga nxitja e punësimit në fason apo call-center, me rroga në nivelin e minimumit jetik. Zhvillimi nuk vjen vetëm as nga integrimi në BE, që siç u pa nuk është aq luajale sa ne mendonim.

Zhvillimi ekonomik është një fenomen kompleks që vjen nga “poshtë”, pra nga ne njerëzit e thjeshtë, pasi jemi ne ata që nxisim sektorët prodhues në një sistem ekonomik, me anë të rritjes së kërkesës për produkte vendase, ne krijojmë një treg të brendshëm, i cili kthehet në një katalizator për investimet, që siç e thashë edhe më lart, gjenerojnë punësim e punësimi gjeneron një rritje të mirëqenies sociale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button