Kosova

Ndërkombëtarët presin formimin e institucioneve të Kosovës

nd-euml-rkomb-euml-tar-euml-t-presin-formimin-e-institucioneve-t-euml-kosov-euml-s_hdFormimi i institucioneve të reja të Kosovës mbetet një çështje e brendshme dhe test i pjekurisë së subjekteve politike.

Pas zgjedhjeve të parlamentare të 8 qershorit, për herë të parë, komuniteti ndërkombëtar kryesisht ka qëndruar në rolin e spektatorit, duke pritur që liderët dhe partitë politike të gjejnë vetë zgjidhjen.

Tre muaj të shpenzuar pa institucione, shihen si një periudhë e gjatë, por e pranueshme për praktikat dhe demokracitë parlamentare.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ka përsëritur edhe të martën se zgjidhja për formimin e institucioneve duhet të gjendet nga faktori i brendshëm politik.

Këto komente, ajo i ka bërë gjatë përurimit të shkollës fillore, “Musa Hoti” në Mitrovicë. Sipas saj, komuniteti ndërkombëtar dhe ambasada amerikane presin që Kosova të ecë përpara me këto procese.

“Kanë kaluar tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve dhe unë jam shumë e interesuar të shoh, siç besoj se është edhe popullata e Kosovës, që deputetët të vazhdojnë tutje me agjendën për çka edhe i ka zgjedhur elektorati i Kosovës”, ka thënë Jacobson.

Në prag të seancës së 12 shtatorit, kur Kuvendi sërish do të provojë që të zgjidh nyjën rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, ambasadorja amerikane ka dhënë një mesazh edhe për deputetët.

“Populli i Kosovës i ka zgjedhur ata, deputetët, që të qojnë përpara proceset dhe të punojnë për vendin dhe të mos angazhohen për politika partiake dhe të njëanshme”, ka thënë me këtë rast, Jacobson.

Ajo ka konfirmuar se do të jetë e pranishme në këtë seancë në rolin e vëzhgueses.

Ambasadorja amerikane i ka rikujtuar institucionet e reja që do të formohen se kanë para vetës shumë sfida siç janë, vazhdimi i dialogut me Serbinë, integrimi evropian, miratimi i ligjit për luftëtarët jashtë Kosovës e çështje të ngjashme.

Ngërçi politik i krijuar rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit buron edhe nga kriza kushtetuese e krijuar rreth të drejtës se kush mund të merr nën drejtim këtë post.

Andaj, deputetët duhet të marrin një vendim kushtetues më 12 shtator në mënyrë që të mos përsëritet seanca e ndërprerë e 17 korrikut.

Analisti Halil Matoshi mendon se Kosovës i ka ndodhur diçka e mirë që në këtë situatë, faktori ndërkombëtar nuk është përzier sa i përket ndërtimit të institucioneve të reja.

Sipas tij, Kosova duhet të mësohet edhe me këso situatash, sado që ende nuk është pjekur si një shoqëri politike e demokratike.

“Por, po shihet se Kosova megjithatë ende nuk është një shoqëri politike, ngase polarizimet midis grupacioneve të ndryshme shoqërore ose polarizimet shtet – shtetas, parti politike, ideologji, fe e tjera, po dëshmojnë se është një shoqëri e atomizuar dhe polarizuar skajshmërisht”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas Matoshit, do të kishte qenë në të mirë të vendit sikur vet shoqëria kosovare, e cila po i përjeton këto sindrome, t’i zgjidhë vetë problemet politike, dhe të mos mbështetet sërish në zgjidhjet që do t’ia ofrojë në fund faktori ndërkombëtar.

Mes pretendimeve për postin e kryetarit të Kuvendit që kanë shprehur Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicionit LDK, AAK dhe Nisma që po merr edhe mbështetjen e Vetëvendosjes, komuniteti ndërkombëtar ka qëndruar anash duke pritur që në fund, vet faktori politik vendor të gjej një zgjidhje në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën.

Në analiza të ndryshme, megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që nëse edhe seanca e 12 shtatorit dështon që të sjellë si rezultat zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, edhe ndërkombëtarët të përfshihen në lehtësimin e negociatave mes partive politike për tejkalimin e gjendjes.

Pa zgjedhjen e kryetarit, Kuvendi nuk mund të jetë funksional dhe rrjedhimisht edhe nuk mund të zgjedh qeverinë e re të Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button