Ndryshojnë kriteret për naftën falas në 2023, do përfitohet vetëm për mbjelljet e sezonit të parë
Udhëzimi i përbashkët i ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministrisë së Financave dhe Ekonomisë përcakton se në dallim nga viti i kaluar, mbështetja me naftë do të përfitohet vetëm për mbjelljet e sezonit të parë. Ndryshimi tjetër tek kriteret e përfitimit për vitin 2023 ka të bëjë me madhësinë totale të fermës, e cila parashikohet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 1 ha (nga 0.4 ha e zbatuar deri tani), ndërsa madhësia e parcelave mbetet e njëjtë, me sipërfaqe jo më pak se 0.1 Ha.
Përfitimi i sasisë së naftës falas, për sipërfaqen që kultivohet sipas udhëzimit do të jetë për aplikantët me sipërfaqe deri në 10 ha, përfitojnë 100% sasinë e naftës, ndërsa për aplikantët me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen mbi 10 ha, marrin sasinë e naftës me normativë të korrektuar/reduktuar, kur sasia e naftës në dispozicion nuk plotëson të gjithë kërkesën për këto sipërfaqe.
“Normativa e reduktuar del nga raporti i normativës së konsumit të naftës (sipas pikës 5 më sipër) me një herës. Herësi del nga raporti: (i.) i nevojave për naftë të aplikuesve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar; me (ii.) sasinë e mbetur të naftës në dispozicion për vitin 2023, pasi janë plotësuar nevojat e të gjithë aplikuesve deri në 10 ha që janë kualifikuar si subjekte përfituese”, citohet në udhëzim.
Për këtë vit parashikohet që fondi i vënë në dispozicion për naftë falas është 1,3 miliard lekë. Gjatë vitit 2022, përfituan naftë falas rreth 35 mijë fermerë me një fond prej rreth 1,95 miliard lekë.
Kriteret, dokumentacioni dhe procedura për masën 9. Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.
- Subjektet përfituese të skemës mbështetëse të naftës për bujqësinë janë ato subjekte, të cilët për aktivitetin e tyre bujqësor kryejnë punime të mekanizuara në kulturat bujqësore dhe plotësojnë përkatësisht kriteret si më poshtë: a) fermerët individualë duhet të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv; b) personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv.
- Çdo subjekt përfitues, duhet të provojë se ka tokë bujqësore në pronësi apo përdorim, sipas përcaktimeve dhe dokumentacionit të kërkuar në këtë udhëzim.
- Aplikanti vetëdeklaron kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit online.
- Për të gjitha llojet e subjekteve përfituese, madhësia minimale e sipërfaqes së deklaruar për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, duhet të jetë jo më pak se 1 (një) ha, e përbërë nga parcela/ngastra me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.
- Normativat e konsumit të naftës për punimet e mekanizuara dhe sasia e naftës që përfitohet falas nga çdo subjekt përfitues, sipas kulturave bujqësore/grup-kulturave, paraqiten në Aneksin 8, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
- Përfitimi i sasisë së naftës falas, për sipërfaqen që kultivohet, është si më poshtë:
a) aplikantët me sipërfaqe deri në 10 ha, përfitojnë 100% sasinë e naftës, sipas normativave të përcaktuara në Aneksin 8, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
b) aplikantët me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen mbi 10 ha, marrin sasinë e naftës me normativë të korrektuar/reduktuar, kur sasia e naftës në dispozicion nuk plotëson të gjithë kërkesën për këto sipërfaqe.
Normativa e reduktuar del nga raporti i normativës së konsumit të naftës (sipas pikës 5 më sipër) me një herës. Herësi del nga raporti: (i.) i nevojave për naftë të aplikuesve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar; me (ii.) sasinë e mbetur të naftës në dispozicion për vitin 2023, pasi janë plotësuar nevojat e të gjithë aplikuesve deri në 10 ha që janë kualifikuar si subjekte përfituese.
- Sasia e naftës falas duhet të tërhiqet nga përfituesit brenda datës 31 dhjetor 2023.
- Përcaktimi i sasisë së naftës që përfiton aplikanti është i lidhur me sipërfaqen e kultivuar dhe llojin e kulturës bujqësore sipas vetëdeklarimit. Në rast se këto sipërfaqe nuk janë të kultivuara apo nuk kultivohen sipas vetëdeklarimit, subjekti përfitues nuk duhet të tërheqë sasinë respektive të naftës, në të kundërt, përbën element penalizues në momentin e verifikimit.
Aplikimi për naftë për bujqësinë
- Çdo subjekt që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim, duhet të bëjë aplikimin online, duke plotësuar të dhënat nëpërmjet vetëdeklarimit dhe duke ngarkuar në sistem dokumentacionin e kërkuar.
- Formulari i aplikimit online nëpërmjet e-Albania plotësohet nga aplikuesi mbi bazë vetëdeklarimi, në lidhje me: a) parcelat që kultivohen gjatë vitit (mbjelljet e para); b) kulturat e mbjella apo që do të mbillen në ato parcela gjatë vitit (mbjelljet e para).
- Deklarimi i mbjelljeve nga aplikanti bëhet si vijon:
Fermeri do të deklarojë sipërfaqet e mbjelljeve të para të kulturave bujqësore, që përfshin mbjelljet në periudhën e vjeshtës dhe të pranverës (1 tetor 2022 deri më 31 maj 2023). Sipërfaqja e deklaruar përfshin vetëm mbjelljet e para dhe llogaritet e kultivuar vetëm një herë.
Deklarimi i mbjelljeve nga aplikuesi, bëhet si vijon:
a) Për perimet e serrës, fermeri do të deklarojë sipërfaqet që ka të mbjella me perime serre në momentin e aplikimit dhe/ose sipërfaqet që do të mbjellë deri më 31 maj 2023.
b) Për drufrutorët, fermeri do të deklarojë sipërfaqen ekzistuese të mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së aplikimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri më 31 maj, 2023, me kusht që sipërfaqet e reja të mos jenë zëvendësime të sipërfaqeve të deklaruara të mbjella me të njëjtat bimë ose me bimë të tjera.
c) Për kulturat në fushë të hapur, për bimët njëvjeçare të arave dhe perimet e fushës, fermeri do të deklarojë sipërfaqet: (i) me bimët e arave të mbjella në vjeshtën 2022 (fakt në momentin e aplikimit) dhe/ose që do të mbillen deri më 31 maj 2023; (ii.) me perimet e fushës që ka mbjellë (fakt në momentin e aplikimit) ose që do të mbjellë deri në 31 maj 2023. Në rastin e bimëve bashkëshoqëruese, sipërfaqja do të deklarohet vetëm një herë, vetëm për bimën kryesore. Për bimët foragjere shumëvjeçare dhe bimët aromatike- mjekësore, fermeri do të deklarojë sipërfaqen e mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së deklarimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri 31 maj 2023, me kushtet e përcaktuara në pikën “b” për drufrutorët.
Kulturat bujqësore/grup-kulturat përcaktohen në Aneksin 7.
- Gjatë aplikimit online, çdo dokument i kërkuar, sipas këtij udhëzimi, do të skanohet dhe ngarkohet në mënyrë elektronike nga aplikuesi, me përjashtim të dokumentit/dokumenteve që ofrohen automatikisht nga portali e-Albania).
- Dokumentacioni i kërkuar për t’u ngarkuar online, sipas këtij udhëzimi, duhet të jetë në origjinal ose i noterizuar, si dhe të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj, të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri.
- Dokumentacioni i pronësisë së tokës (certifikata) i ngarkuar në sistem do të konsiderohet i vlefshëm nëse gjatë kontrollit administrativ konfirmohet nga ASHK-ja.
Në rastin kur në sistem ngarkohet AMPT do të konsiderohet e vlefshme nëse gjatë kontrollit administrativ konfirmohet nga ASHK-ja ose njësitë e vetëqeverisjes vendore (NJVV).
Të vlefshme konsiderohen edhe konfirmimet e bëra në aplikimet për naftën për bujqësinë në vitin 2021 dhe/ose 2022.
- Dokumentacioni që duhet të ngarkohet në sistem është në varësi të statusit të pronësisë apo përdorimit të tokës bujqësore për të cilën aplikohet dhe statusit të regjistrimit të saj në ASHK. Në mënyrë të përmbledhur, dokumentacioni i kërkuar sipas skenarëve të ndryshëm, është si më poshtë:
Aplikanti e ka në pronësi tokën bujqësore (në emër të tij) dhe ka marrë certifikatën e pronësisë; Dokumentacioni i skanuar që duhet të ngarkohet nga aplikuesi; Certifikatën e pronësisë shoqëruar me kartelën e pasurisë dhe hartën treguese ; Aplikanti ka AMTP për tokën AMTP bujqësore të lëshuar në emër të tij si përfaqësues i familjes bujqësore. Aplikanti është anëtar i familjes bujqësore që ka marrë tokën në pronësi; AMTP; Certifikatë familjare e gjendjes më 1.8.1991; Marrëveshje dakordësie e shumicës së anëtarëve të familjes bujqësore në gjendjen aktuale, në lidhje me punimin/përdorimin e tokës nga aplikuesi ; Aplikanti e ka marrë tokën bujqësore Kontratë qiraje ose kontratë huapërdorjeje ose me qira ose në përdorim. Dokument të ligjshëm të nënshkruar mes palëve.
- Kontratat e vlefshme të qiramarrjes, të cilat duhet të përfshijnë edhe vitin 2023, të lidhura me ish-drejtoritë e bujqësisë, MBZHR-ja ose komunat/bashkitë, kanë të njëjtën vlerë me ato të bëra pranë noterit publik.
- Kur gjatë kontrollit administrativ të dokumentacionit, sipërfaqet e parcelave sipas AMTP-së rezultojnë me diferenca me ato sipas ASHK/NJVV, merren në konsideratë të dhënat e ASHK/ NJVV.
- Marrëveshje dakordësie kërkohet edhe në rastet kur aplikanti është njëri prej bashkëpronarëve sipas AMTP/certifikatës së pronësisë së tokës bujqësore. Modeli tip i marrëveshjes së dakordësisë jepet në Aneksin 9, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
- Kur certifikata e pronësisë së tokës bujqësore është në pronësi të personit/ve të ndryshëm nga aplikanti, kërkohet kontratë qiraje/huapërdorjeje, pavarësisht se aplikanti mund të jetë anëtar i të njëjtës familje.
- Nëse akti i marrjes së tokës në pronësi (AMTP), i ngarkuar në sistem nga aplikuesi, nuk konfirmohet nga ASHK. AZHBR-ja kërkon konfirmim zyrtar të këtij dokumenti me sipërfaqen totale dhe sipërfaqen e parcelave nga njësia administrative/bashkia përkatëse. Përgjigja pozitive/negative ngarkohet në sistem.
- Do të konsiderohen të vlefshme edhe kontratat e qiramarrjes/huapërdorjes/dokument të ligjshëm të firmosur nga palët. Në rast se kontrata ose dokumenti janë të panoterizuara duhet të jetë i konfirmuar nga njësia administrative dhe të përfshijë dokument identifikimi të palëve. Ato përmbajnë sipërfaqen totale dhe të parcelave të tokës bujqësore objekt qiramarrjeje/ huapërdorje, si dhe vendndodhjen e secilës parcelë. Kontrata/dokumenti përfshin edhe të drejtën e përdorimit të tokës për vitin 2023.
- Procedura e aplikimit nëpërmjet portalit e-Albania përfundon me dërgimin e suksesshëm të formatit elektronik të formularit të aplikimit në sistem dhe aplikuesi njoftohet me mesazh elektronik;
Aplikimi elektronik programohet në mënyrë që të mos lejojë vazhdimin e plotësimit të aplikimit, nëse nuk përmbushen kriteret bazë të kualifikimit në lidhje me madhësinë e sipërfaqes totale të deklaruar, madhësinë e parcelave, kulturat e mbjella dhe tipin e dokumentacionit në lidhje me tokën bujqësore.
- Të gjitha aplikimet e kryera nëpërmjet e-Albania, i nënshtrohen procesit të kontrollit administrativ, që shqyrton përputhjet e vetëdeklarimeve, në lidhje me parcelat, sipërfaqet, kulturat dhe dokumentacionin që i mbështet këto deklarime.
- Pas kontrollit administrativ, aplikanti njoftohet mbi rezultatin e aplikimit (i kualifikuar/i s’kualifikuar).
- Të dhënat elektronike të dërguara gjatë aplikimit administrohen nga AZHBR-ja, sipas legjislacionit në fuqi.
- Informacion i nevojshëm për mënyrën e aplikimit, kriteret e përfitimit dhe të procedimit deri në përfitimin e mbështetjes me naftë për bujqësinë, do të ofrohet pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB-ve), pranë Agropikave si dhe në faqet zyrtare të internetit të AZHBR-së.