Ndryshon sërish data e lirimit, ja kur del nga burgu Sean “Diddy” Combs

Data e lirimit nga burgu e reperit amerikan Sean “Diddy” Combs është ndryshuar sërish dhe këtë herë është shtyrë përpara me disa ditë. Combs pritet të lirohet nga Institucioni Federal Korrektues në Fort Dix, New Jersey, më 5 shkurt 2028.
Ky është ndryshimi i radhës i datës së lirimit për 56-vjeçarin. Në korrik, autoritetet konfirmuan se data ishte zhvendosur nga 23 shkurt 2028 në 24 janar 2028, pas një përleshjeje që Combs pati me një tjetër të burgosur.
Megjithatë, në fillim të këtij muaji, të dhënat në faqen e agjencisë federale tregonin se reperi nuk do të lirohej deri më 20 shkurt 2028. Tashmë, data e re e përcaktuar është 5 shkurti. Në korrik, mediat amerikane raportuan se Combs ishte përfshirë në një përplasje me të burgosur të tjerë në Fort Dix, pas një konflikti verbal.
Sipas burimeve të cituara nga mediat, të burgosurit u shtynë dhe u përleshën me njëri-tjetrin. Një person i afërt me situatën pretendoi se Combs “ia doli të përballonte” përleshjen.
Stafi i burgut ndërhyri për të ndarë të përfshirët, ndërsa Combs u vendos më pas në izolim. Në gusht u raportua se reperi ishte nxjerrë nga izolimi.
Byroja Federale e Burgjeve nuk ka dhënë detaje mbi kushtet e izolimit të Combs. Në një deklaratë, institucioni tha se, për arsye privatësie, sigurie dhe mbrojtjeje, nuk publikon informacione mbi kushtet e vuajtjes së dënimit të të burgosurve.
Në korrik të vitit të kaluar, Combs u shpall i pafajshëm për akuzat për trafikim seksual me forcë, mashtrim ose detyrim, si dhe për akuzën e komplotit kriminal. Megjithatë, ai u shpall fajtor për dy akuza për transportim personash me qëllim prostitucioni.
Reperi u dënua me 50 muaj burgim dhe u transferua nga Qendra Federale e Paraburgimit në Brooklyn, New York, në burgun federal të Fort Dix në New Jersey.
Pavarësisht dënimit, Combs vazhdon të përballet me dhjetëra padi civile, në të cilat janë ngritur akuza që variojnë nga sulmi seksual te drogimi dhe trafikimi. Ai ka mohuar akuzat dhe ka këmbëngulur në pafajësinë e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.