LSDM: Shteti nuk ka para, arka është bosh, borxhi po arrin në 12 miliardë euro
“Huamarrje si asnjëherë më parë – Mickoski po e çon Maqedoninë drejt borxhit prej 12 miliardë eurosh”. Kështu ka reaguar të enjten Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, duke akuzuar Qeverinë se po vazhdon me huamarrje të reja për shkak të mungesës së parave në arkën shtetërore.
Sipas LSDM-së, Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski ka miratuar një huamarrje të re në vlerë prej 1.3 miliardë eurosh. Nga partia opozitare thonë se ky zhvillim, sipas tyre, konfirmon paralajmërimet që i kanë bërë gjatë muajve të fundit për gjendjen e financave publike.
“U konfirmua gjithçka për të cilën LSDM paralajmëronte gjatë muajve të fundit – para në buxhet nuk ka, arka është bosh, ndërsa Qeveria sërish po merr borxhe të reja”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga LSDM e cilësojnë huamarrjen si të paprecedentë dhe pretendojnë se, duke përfshirë edhe borxhin e ri, Qeveria për vetëm dy vjet do ta ketë ngarkuar shtetin me rreth 4 miliardë euro borxh të ri. “Huamarrje si asnjëherë më parë. Me këtë, për vetëm dy vjet, pushteti e ngarkon shtetin me rreth 4 miliardë euro borxh të ri”, thonë nga LSDM. Sipas opozitës, barrën e këtij borxhi nuk do ta mbajnë vetëm qytetarët e sotëm, por edhe gjeneratat e ardhshme.
“Ky është një borxh i madh që do ta paguajnë qytetarët, fëmijët e tyre dhe gjeneratat e ardhshme”, thuhet në reagim. LSDM pretendon se, me këtë dinamikë të huamarrjes, viti 2026 do të përfundojë me rreth 12 miliardë euro borxh, që sipas partisë do të përfaqësonte mbi 65 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Socialdemokratët e lidhin rritjen e borxhit edhe me madhësinë e buxhetit të shtetit, i cili, sipas tyre, aktualisht është rreth 7 miliardë euro. Por, pavarësisht shumës më të madhe të parave në dispozicion të shtetit, nga LSDM pretendojnë se qytetarët nuk po përfitojnë nga rritja e buxhetit. “Buxheti sot është rreth 7 miliardë euro. Nga më shumë para, populli nuk merr asgjë”, akuzojnë nga LSDM.
Partia opozitare shkon edhe më tej, duke pretenduar se paratë, në vend që të përfundojnë te qytetarët, shpenzohen në, siç i cilëson ajo, “tenderë kriminalë”. “Në vend që te qytetarët, paratë përfundojnë në tenderë kriminalë”, thuhet në reagim. Në reagimin e saj, LSDM e lidh politikën e huamarrjes së Qeverisë edhe me standardin jetësor dhe rritjen e kostos së jetesës. Sipas të dhënave që paraqet partia, shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe gjatë dy viteve janë rritur për rreth 9.000 denarë, ndërsa në të njëjtën periudhë paga minimale është rritur vetëm për rreth 3.500 denarë.
Nga LSDM vlerësojnë se ky dallim tregon se punëtorët që marrin pagë minimale sot realisht jetojnë më keq. “Punëtorët me pagë minimale realisht jetojnë më keq, ndërsa Mickoski refuzon që paga minimale të rritet në 600 euro”, thuhet në reagimin e partisë. LSDM akuzon Qeverinë se, pavarësisht huamarrjeve dhe buxhetit më të madh, nuk ka siguruar mjete të mjaftueshme për rritje më të madhe të pagave dhe pensioneve. “Nuk ka para për paga më të larta, nuk ka para për pensione më të larta”, thonë nga LSDM.
Në reagim përfshihet edhe çështja e sistemit pensional. LSDM akuzon Qeverinë se synon të ndërhyjë edhe te mjetet e shtyllës së dytë pensionale. Partia përdor gjuhë të ashpër, duke pretenduar se pushteti “madje dëshiron t’ua vjedhë pensionistëve paratë nga shtylla e dytë”.
Nga LSDM gjithashtu thonë se mungojnë masat konkrete për mbështetjen e qytetarëve në përballjen me rritjen e kostos së jetesës.
LSDM ngre gjithashtu pikëpyetje për aspektin ligjor dhe buxhetor të huamarrjes së re. Sipas partisë, huamarrja prej 1,3 miliardë eurosh nuk ishte parashikuar në ribalancin e fundit të Buxhetit.
“Në ribalancin e fundit të Buxhetit nuk është paraparë kjo huamarrje e re prej 1,3 miliardë eurosh”, thonë nga LSDM. Në këtë kontekst, partia opozitare drejtoi akuza edhe ndaj ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. LSDM pretendon se ministrja duhet të jetë e vetëdijshme për përgjegjësinë që mund të rrjedhë në rast të veprimit në kundërshtim me legjislacionin buxhetor. “Koçoska, si zbatuese e Mickoskit, duhet ta dijë se për veprim të paligjshëm në kundërshtim me Ligjin për Buxhetet pason edhe përgjegjësi penale dhe dënim me burg”, thuhet në reagimin e LSDM-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.