“Kaskada e barnave”: Sa e rrezikshme është të trajtosh efektet anësore me ilaçe të tjera?
– Një efekt anësor i një ilaçi mund të interpretohet si një problem i ri shëndetësor dhe të çojë në rekomandimin e një ilaçi tjetër për ta trajtuar atë.
Nëse edhe ilaçi i dytë shkakton efekte anësore, mund të krijohet një zinxhir trajtimesh i njohur në mjekësi si “kaskada e rekomandimit të barnave”.
Fenomeni është veçanërisht i zakonshëm te të moshuarit dhe te pacientët që marrin disa barna njëkohësisht.
Një rishikim sistematik i vitit 2022, i kryer nga studiues të Universitetit të Mjekësisë dhe Shkencave Shëndetësore RCSI, në Dublin; Kolegjit Universitar të Cork, Kolegji Trinity i Dublinit dhe Spitalit Universitar të Universitetit Ludwig-Maximilian të Mynihut, analizoi 101 studime dhe identifikoi raste të mundshme të kësaj kaskade në 78 prej tyre.
Një shembull konkret lidhet me bllokuesit e kanaleve të kalciumit, si amlodipina, të cilat mund të shkaktojnë ënjtje të këmbëve.
Në vend që t’u ndryshohet trajtimi fillestar, në disa raste pacientëve u rekomandohet një diuretik për të trajtuar ënjtjen.
Studimi i publikuar në “JAMA Internal Medicine”, i kryer nga studiues të Institutit të Kërkimeve të Kolegjit të Grave, ICES – (Instituti për Shkencat Klinike dhe Vlerësimin) dhe të Universitetit të Torontos në Ontario, Kanada, analizoi 41 086 të rritur të moshës 66 vjeç e lart me hipertension.
Studiuesit, të udhëhequr nga Rachel D. Savage dhe Lisa M. McCarthy, zbuluan se nisja e një bllokuesi të kanaleve të kalciumit, shoqërohej me një rritje të rrezikut për rekomandimin e mëvonshëm të një diuretiku, brenda 90 ditëve.
Një tjetër analizë e të dhënave të më shumë se 1,2 milionë pacientëve, tregoi se rreth 1,44% e personave që nisën trajtimin me bllokues të kanaleve të kalciumit, morën më pas një diuretik, në përputhje me një kaskadë të mundshme të rekomandimit të barnave.
Studiuesit theksojnë se përdorimi i një ilaçi të dytë, nuk është domosdoshmërisht i gabuar.
Problemi lind kur një efekt anësor nuk identifikohet si pasojë e ilaçit të parë dhe trajtohet si një sëmundje e re, duke rritur numrin e barnave dhe rrezikun për efekte të tjera anësore.
Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë që përpara se të shtohet një ilaç i ri, të vlerësohet nëse simptomat e reja mund të jenë shkaktuar nga një trajtim ekzistues dhe që mjekimi të rishikohet periodikisht. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.