Në 2014-ën tregu i sigurimeve i stabilizuar dhe në rritje
Tregu i sigurimeve, në raport me tregjet e tjera financiare, gjatë tre viteve të fundit po paraqet një situatë më të stabilizuar dhe në rritje, me vëmendje kryesore në produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik dhe me nevojën për rritjen e shkallës së futjes në treg, nëpërmjet zgjerimit të tregut të produkteve vullnetare.
Shkalla e futjes në treg megjithëse është rritur në 0.83% në vitin 2014, mbetet ende e ulët në raport me vendet e rajonit.
Totali i aktiveve në vitin 2014 është rreth 1.8% e PBB-së, pothuaj sa një vit më parë. Ndërsa pesha kundrejt totalit të aktiveve të tregjeve financiare nën mbikëqyrje, ka vijuar prirjen rënëse, duke arritur në 28%, nga 30% që ishte një vit më parë. Edhe numri i shoqërive të sigurimit u pakësua me një, si rrjedhojë e bashkimit me përthithje të dy shoqërive ekzistuese. Por brenda tregut të sigurimeve, në ndryshim nga pozicionimi i tij kundrejt tregjeve të tjera financiare, vërehen disa dinamika pozitive.
Kështu, vëllimi i primeve të shkruara bruto u rrit, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së nivelit të primit të produktit të sigurimit të detyrueshëm motorik. Ky zhvillim ishte rrjedhojë e masave që u ndërmorën për të stabilizuar primet e shitjes në treg dhe për të mos i lënë të ndikoheshin nga konkurrenca e ashpër, fenomen i cili rrezikonte rezervat e shoqërive dhe dëmtonte procesin e pagimit të dëmeve.
Në vitin 2014, vëllimi total i primeve të shkruara bruto arriti në 11.6 miliardë lekë, duke u rritur me 36.1% krahasuar me vitin 2013. Në vitin 2013 ky tregues në nivel vjetor u ul me afro 4.6%. Struktura e tregut, përgjithësisht vijon të ketë të njëjtin profil të vërejtur në vite, por me përforcim në tiparin e sigurimeve të detyrueshme. Sigurimet e jo-jetës përbëjnë 90.9% të vëllimit të përgjithshëm të primeve të shkruara bruto në këtë treg dhe 59.5% e përbëjnë ato të detyrueshme.
Primet e shkruara bruto të jo-jetës gjatë vitit 2014 u rritën me 40.5%, ndërkohë që një vit më parë kujtojmë që ato u ulën me 6.5%. Por paralelisht me stabilizimin e primeve të shitjes së produktit MTPL në treg, është punuar edhe me stabilizimin e procesit të pagimit të dëmeve, sidomos të dëmeve të prapambetura në kuadër të dëmeve që trajtohen nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.