Në 6 muaj, 361 mijë kosovarë dhe 620 mijë të huaj kanë hyrë në Shqipëri
Të shumtë kanë qenë shqiptarët nga Kosova, apo nga trojet e tjera që kanë hyrë këtë vit në Shqipëri, kryesisht për plazh por edhe për biznes apo veprimtari të tjera.
Sezoni ende nuk ka mbaruar të paktën deri në fund të gushtit, por fluksi i vizitorëve është dukshëm i lartë.
Sipas të dhënave nga dogana shqiptare shifrat e deritanishme, referuar një bilanci 6 mujor flasin për një rritje të numrit të turistëve të huaj dhe nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri.
Edhe Drejtori i Doganës së Morinës, Edvin Kepi konfirmon se sivjet ka më shumë turistë që kanë hyrë përmes pikave të kalimit kufitar.
Të paktën sipas të dhënave krahasuese të 6 mujorit të këtij viti me atë të vitit të kaluar nga statistikat rezulton se në Shqipëri kanë hyrë këtë vit rreth 5 mijë shtetas të Kosovës,ë shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe kjo përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës.
Bëhet fjalë për shtetas që jetojnë në Kosovë, por edhe që vijnë nga diaspora dhe qnë marrë nënshtetësi tjetër (Gjermani, Zvicër etj).
Referuar të njëjtave të dhëna nga dogana shqiptare, në vitin 2014 për 6 mujorin e parë të vitit, u numëruan 356 320 shqiptarë, ndërsa shtetas të huaj 491 003; ndërkohë në vitin 2015 për 6 mujorin e parë numërohen; 361 101 shqiptarë (nga Kosova dhe vendet tjera) ose 4781 shtetas më shumë, ndërsa të huaj 620 109 ose 129 106 shtetas më shumë.
“Këto janë të dhënat e fundit krahasuese të dy gjashtëmujorëve,” thonë ekspertë të doganës shqiptare. Zakonisht me përfundimin e muajit të Ramazanit, nisin edhe radhët e gjata në pikën kufitare të Morinës. Shtetasit kosovarë i drejtohen Shqipërisë për të kaluar pushimet e tyre verore dhe për të përballuar fluksin në dogana, çdo verë, sidomos në muajt korrik-gusht, vihen në dispozicion sportele shtesë për të shmangur radhët.
Sipas të dhënave nga Dogana ndodh që brenda 24 orë ve në pikën kufitare në Morinë të hyjnë deri në 10 mijë shtetas, të cilët destinacion kryesor kanë bregdetin shqiptar. Kjo ndodh zakonisht në periudhën 15 korrik deri më 15 gusht.