Në fillim karrota pastaj shkopi.

E drejta e do që SYRI TV si dhe të gjithë syve, veshëve e gojëve, “tenxhereve e kazanëve” që shërbejnë në informim dhe argëtim të publikut, qeveria t’u japë një shanc formalizimi përpara se ti tregojë derën e ndjekjes penale.
Media është sektor delikat. Kufiri ndërmjet lirisë së shprehjes dhe lirisë ekonomike është shumë i dobët. Shoqëri si e jona, ku informaliteti është i lartë, tentojnë gjithmonë ti ngatërrojnë kufinjtë e demokracisë me ekonominë legjitime.
Padyshim që ka nevojë për ndërhyrje rregulluese në tregun e medias, po pyetja është nga ta fillojmë?! Nga ekonomia apo demokracia?!
E sigurtë është që nuk mund të fillohet nga ndjekja penale. Kjo sepse ndërhyrja do rrezikonte shumë të quhej selektive dhe antidemokratike. Selektive sepse, të themi të drejtën nuk është vetëm Syri Tv për ndjekje penale! Në ato kushte (të cilat nuk i di por i marr me mend) ka shumë media edhe me liçensë kombëtare madje.
Aq shumë janë sa nuk del ndjekja penale për ti dalë në krye këtij problemi.
Le pastaj portalet elektronike me vlera të jashtëzakonshme helmuese të opinionit. Ata janë komplet në ligjet e Far West-it. Ata janë sallat e kinemave të Enver Hoxhës që bënin gjyqe kundër çdo shfaqje të huaj dhe armiku të klasës…
Por problemi i këtij sektori kërkon rregullim përpara se ti ofrohet ndëshkimi.
Media jonë, përfshi edhe portalet, ka nevojë për një vit zero financiar. Një vit të bardhë ku të ndihmohet të formalizohet dhe të mësohet të ecë në shtratin e ligjshmërisë financiare.
Vetëm kështu fillon e reduktohet mos pagesa e pagave e sigurimeve. Vetëm kështu media merr përgjegjësinë para ligjit për dëmet që sjell. Vetëm kështu rregullohet tregu dhe konkurrenca e ndershme.
Ndjekja penale në këto kushte do identifikohej shumë kollaj me tezën e hakmarrjes politike dhe me sulmin e fjalës së lirë.
Qeveria ka gurin edhe arrën në dorë. Ajo është kontrolluesja dhe gjeneruesja më e madhe e fluksit të parasë që qarkullon në ekonomi. Me shumë gjasë ajo i di edhe burimet e financimit të mediave. Ndaj ska përse nxit fare ndjekje penale.
Mjafton të disiplinojë kompanitë mediatike, përfshi dhe portalet, dhe ti detyrojë me ligj të sillen në kushtet e disiplinës financiare të shtetit, si çdo subjekt tjetër tregëtar.
Duhet të vijmë tek standardi që media të ketë bilancet e saj strikt të pavarura nga aktivitete të tjera jashtë mediatike. Media shet reklama dhe me këto para presupozohet të mbajë veten. Të financojë rrogat marramendëse të disave dhe ato modeste të shumicës së gazetarëve (të cilat paguhen me vonesa dhe mangësi).
Por përpara se ti kërkohet hesap mbi burimin e parave, si fillim i duhet dhënë mundësia të formalizojnë veten duke kontabilizuar çdo qindarkë.
Pastaj, dhe vetëm pas këtij ushtrimi ngjit ndjekja penale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.