Në javën e Minatorëve, drejt një strategjie e ligji për Trepçën
Në Stanterg të Mitrovicës mbahet sot manifestimi qëndror i Javës së Minatorëve në 27 vjetorin e grevës së madhe të minatorëve të Trepçës të vitit 1989 në mbrojtje të Kosovës.
Për tetë ditë me radhë, aq sa kishte zgjatur greva e urisë, tradicionalisht zhvillohen veprimtari përkujtimi dhe vlerësimi, ndërkohë që këtë vit qeveria e Kosovës, është e fokusuar në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Trepçës.
Në këtë muaj shkurti, qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare në rastet e ngjashme me Ndërmarrjen Trepça. Kjo do të shërbejë në hartimin e Strategjisë dhe të Ligjit për Trepçën, gjigantin e ekonomisë kosovare.
Greva e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28 shkurt 1989, ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, me Kushtetutën e vitit 1974.
Greva e minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët, u pasua me demonstratat gjithëpopullore të para 27 vjetëve, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.
Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunëshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para afër 17 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial.
Në Trepçë, në dy miniera – Stantërg dhe Artanë, me rritje të prodhimit të xehes dhe koncentratit mbi 20%, viti 2014 shënonte prodhim rekord që nga viti 1999, viti i përfundimit të luftës dhe i fillimit të lirisë së Kosovës.
Ditë më parë, një delegacion i Fakultetit të Gjeoshkencave në kuadër të Universitetit Politeknik të Tiranës, gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ka vizituar edhe minierën e Trepçës në Stantërg.