Në Malin e Zi fillon konferenca rajonale mbi ekonominë
Ka filluar sot në Budva, Konferenca Rajonale për Ekonomi – Montenegro 2017, organizuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi (OEMZ) në bashkëpunim me Ministrinë e Shkencës. Në konferencën, e cila mblodhi rreth 500 përfaqësues qeveritarë, përfaqësues nga komunitetet e biznesit dhe studiues nga Ballkani dhe më gjerë, diskutohet për sfidat në rrugën drejt antarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Konferencën, e cila do të zgjasë deri të premten, e hapi kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç. Ai në fjalimin e tij tha se në rajonin e Ballkanit Perëndimor më nuk ka dilema, se të gjitha shtetet dëshirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Por nga rajoni ynë Brukselit i duhen dhënë sinjale të qarta se jemi gati dhe të vendosur për të përmbushur kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian, një Ballkan Perëndimor të sigurt dhe ekonomikisht të qëndrueshëm. Nuk do të them asgjë të re nëse them se në rajon nuk kemi më dilemë për qëllimin kyç për të gjitha vendet tona, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Dhe nuk do të sqaroj se pse kjo është zgjidhja më e mire, për të gjithë ne këtu, por jam i bindur edhe për shumicën dërrmuese të qytetarëve tanë, se kjo është më se e qartë, kemi përsëritur shumë herë argumentet e njohura”, tha Markoviç.
Ai theksoi se sfidat në rrugën drejt BE-së edhe në vitet e ardhshme, do të jenë tema të rëndësishme. “Besoj se Mali i Zi nuk do të presë vitin 2025 që të hyjë në BE. Besoj se kjo do të jetë edhe më herët”, tha kryeministri Markoviç.
Pas hapjes së konferencës, filloi paneli me temën “Rajoni pas katër viteve të procesit të Berlinit” në të cilin flasin krerët e pushtetit ekzekutiv nga Ballkani Perëndimor, kryeministrat e Malit të Zi dhe Maqedonisë, Dushko Markoviç dhe Zoran Zaev, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH-së, Denis Zvizdiç dhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, Rasim Ljajiç.. Në ditën e parë e konferencës do të organizohet edhe panel në të cilin do të flasin ministrja malazeze e Shkencës, Sanja Damjanoviç, ministri i Sipërmarrjes dhe Inovacioneve i Kosovës, Besim Beqaj, ministrja e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Renata Treneska Deskoska, si dhe përfaqësuesi i Punëve Civile të BeH-së.