Në ndihmë të Ambrozias dhe kolegëve të saj!

Vendimi i kryeministrit Rama për të përjashtuar nga pjesëmarrja në konferencat e tij për shtyp dy gazetarë, ishte ngjarja e javës së kaluar dhe që mori, me të drejtë, më shumë vëmendjen publike. Si një prej punëtorëve të vjetër të kësaj “kooperative”, dhe si një kontribues modest në mësimdhënie në fushën e gazetarisë, për më shumë se një dekadë, mendoj të them dy fjalë për këtë ngjarje.
E para, veprimi i kryeministrit, është i papranueshëm, sado i justifikuar që mund të jetë. Vendimi ekstrem mund dhe duhej të shmangej.
E dyta, sjellja e gazetares Ambrozia Meta “ha“ diskutim. Shkurt, gazetarja bëri pyetjen e saj dhe i pyeturi dha përgjigjen e tij. Pastaj gazetarja filloi të debatojë e ti kërkojë llogari.
Nëse gazetari është i pakënaqur, apo mendon se i pyeturi i dredhoi përgjigjes, e ribën pytjen dhe nëse sërish nuk merr përgjigjen e duhur, sipas tij, kur përgatit lajmin e ballafaqon përgjigjen me fakte që e nxjerrin “zbuluar” kryeministrin.
Kaq!
Pra, në një konferencë për shtyp, gazetari nuk ka pse debaton, replikon, diskuton, zihet e grihet me të pyeturin, pse ai nuk përgjigjet siç do gazetari.
Ajo që bën Ambrozia, në të tilla aktivitete, është një opozitarizëm shumë i mirë, por nuk mendoj se është edhe një gazetari po kaq e mirë.
Shumë qytetarë e mbështesin këtë lloj gazetarie, pasi janë velur nga një kryeminstër që mban fjalime, monologje, para auditoreve që dëgjojnë gojëhapur apo rrinë kokëulur, pa folur e pa reaguar. Dhe kur një vajzë e re “ia bën 8 me 2” këtij kryeministri, ajo merr pastaj atributet e një heroine.
Por unë mendoj se opozitarizmi politik, opozitarizmi qytetar dhe media janë dhe duhet të jenë tri gjëra të ndryshme, ku secila ka rolin dhe funksionim e saj.
E treta, gazetarët mund ta bëjnë një kryeministër, apo këdo zyrtar tjetër, të ndjehet shumë keq në aspektin e përgjegjësisë politike e publike, pa qenë nevoja të debatojnë në një kinferencë për shtyp, por thjeshtë duke i bërë pyetjet e duhura. Përgjigjet e dobëta apo të këqija, pastaj, rëndojnë mbi të pyeturin dhe jo mbi pyetësin.
Psh, në një konferencë për shyp mendoj se Ramën, më shumë se sherri “pse the ashtu e nuk the kështu”, do ta shqetësonin pyetje të tipit:
-Z.Kryeministër, mbyllja e negociatave më BE-në në vitin 2027, dhe anëtarësimi në 2030, ishin premtimet e mëdha të fushatës së zgjedhjeve në 2025. Nëse në fund të vitit 2027 negociatat nuk përbyllen, a do të jepni dorëheqjen?
(Nëse ai do të thotë: se shiko, se ka ca vende që mund të mos jenë gati të na presin, se axhendat e tyre politike, se BE ka ca halle, se Irani…, ju beni pyetjen tjetër)
-Z.Kryeministër, plotësimi i kushteve është përgjegjësi tërësisht e jona. A do ti përmbyllim ne të gjithë kapitujt brenda vitit 2027, siç ju keni deklaruar e premtuar dhjetra herë?
-Z.Kryeministër, për çfarë biseduat me ambasadoren e amerikane në Athinë dhe me çfarë statusi u prit ajo në selinë e qeverisë shqiptare? Dhe e dyta, a i kishit marrë leje zonjës Guilfoyle për publikimin e videos që i bëtë kur e pritet tek dera e selisë së qeverisë?
Z. Kryeministër, për çfarë arsyeje e shkarkuat nga detyra Ministren e Jashtme, zonjën Spiropali? Ju folët me kode per “anglisht folës që raportojnë nëpër ambasada”. Ku ka raportuar e për çfarë ka raportuar ajo? Qytetarët kanë të drejtë të informohen, pasi një ministër është funksionar i lartë publik.
Z.Kryeministër, ditën që u shëmb rruga e vjetër dhe traseja e rrugës së re në Librazhd, ju deklaruat publikisht se shkaku i ngjarjes ishte natyra, jo projektuesi apo zbatuesi i projektit. Mund të na shuani një kuriozitet, cilit akt ekspertimi teknik iu referuat për të arritur në këtë konkluzion?
Mund të bëni edhe ironi në ndonjë rast.., si psh:
-Z.Kryeministër, ministrja juaj e shëndetësisë nuk kishte asnjë ide mbi çmimet e ilaçeve, dmth që ato janë më shtrenjtë se në shumë vende të Europës, pasi vetë nuk ishte sëmurë e nuk kishte përdorur ilaçe. Ju si keni qenë me shëndet vitet e fundit, ju është dashur të shkoni në farmaci që të informoheni mbi çmimet e ilaçeve? Etj etj
Nëse mediat tuaja nuk do ju lejojnë të “gëriceni”, mund ti bëni pyetje të tilla, siç ia bënë Fatos Nanos dikur…
Nano, sapo zbriti në aeroport dhe një gazetare i zgjati mikrofonin:
Z.kryeministër, ju po ktheheni nga një vizitë e suksesshme në Gjermani. Ju takuat kancelaren gjermane dhe diskutuat për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe. Ju takuat sipërmarrës gjermanë dhe folët për rritjen e pranisë së biznesit gjerman në Shqiqëri…Çfarë mund të na thoni për këtë vizitë të sukseshme?
-Po, tha Nano – kjo që thatë ju është e vërtetë.@




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.