Në nëntor Konferenca për “Shqipërinë Sociale”! Rama zbulon çfarë u diskutua me socialistët te “Vila e kuqe”
Kryeministri Edi Rama ka zbuluar përmes një postimi në Facebook detaje nga takimi i organizuar me deputetët dhe drejtuesit politikë të qarqeve.
“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur nga kalendarizimi i Pranisë Besnike në çdo territor, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri – deputetë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore e vendore, si edhe hartimi i ndryshimeve ligjore për PasqyrAlbania”, tha Rama.
“Po ashtu u diskutua progresi i bërë me hartimin e nismës së integruar Shqipëria Sociale, të cilës do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare në muajin nëntor”.
Rama u ka kërkuar socialistëve që të dalin sa më shumë në terren dhe të jenë pranë qytetarëve, duke mbledhur problematikat dhe shqetësimet e tyre.
Drejtuesit politikë, së bashku me strukturat e PS-së në qarqe, deputetët dhe kryetarët e bashkive, do të përgatisin një plan për takimet me qytetarët dhe mbledhjen e problematikave.
Më pas, shqetësimet do të ndahen sipas fushave dhe do t’u përcillen ministrave përkatës. Për ndjekjen e zgjidhjes së tyre, do të delegohet edhe një zëvendësministër.
Rama u ka kërkuar gjithashtu socialistëve që takimet me qytetarët të mos bëhen domosdoshmërisht me kamera, duke i lënë fokusin komunikimit të drejtpërdrejtë me ta.
Për të bërë funksionale “Pasqyrë Albania” do të ketë nevojë për bazë ligjore, çka do të thotë që duhet të operohet si me Ligjin e Bashkëqeverisjes.
Ndërkohë, ende nuk ka një datë të përcaktuar për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Ditën e nesërme, kryeministri Rama pritet të zhvillojë një takim me drejtuesit politikë dhe deputetët e Tiranës, në periferi të kryeqytetit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.