Në qershor, tendera të hapur për 7 zona për kërkim nafte dhe gazi në tokë e det
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka urdhëruar nisjen e procedurave për Marrëveshjet Hidrokarbure për kërkim nafte dhe gazi në 7 zonat e përcaktuara nga Agjencia Kombëetare e Burimeve Natyrore (AKBN), të cilat do të zhvillohen në 15 dhe 25 qershor.
Sipas urdhërit, AKBN duhet të publikojë në faqen e saj të internetit hartën e blloqeve të lira të kërkimit në territorin e Republikës së Shqipërisë si dhe formularin e aplikimit ku përfshihen vendosja e afatit të dorëzimit të aplikimit për blloqet 4, 5 dhe Dumre, deri në datën 15 qershor.
Gjithashtu, ministri Gjiknuri ka urdhëruar që pjesë e publikimit nga AKBN të jetë vendosja e afatit të dorëzimit të aplikimit për blloqet Joni-5 (ne det), Rodoni ( ne det), Panaja dhe Blloku C deri në datën 25 qershor.
Në zbatim të Rregullores për procedurat e miratimit të marrëveshjeve hidrokarbure, licencë-marrëveshjeve dhe afatet përkatëse është ngritur në AKBN grupi negociator për termat dhe kushtet kryesore të MH-ve të mundshme për t’u lidhur.
Të 7 zonat e reja për kërkim dhe prodhim nafte dhe gazi do t’i nënshtrohen garës në një proces të hapur, ku fituesi do të zgjidhet përmes kritereve të paracaktuara.
Përmes riaktivizimit të kërkimeve hidrokarbure, pritet të tërhiqen kapitalet e huaja në ndihmë të zhvillimit ekonomik të vendit.