Në shërbim të kujt ishin “çlirimtarët” e paftuar të Kumanovës?
22 të vrarë në fundjavë në Kumanovë tregojnë një gjë: diktatori i vogël Nikola Gruevski gjeti edhe disa shqiptarë për të nisur vallen e apokalipsit
Duke e mbrojtur një të dyshuar për vrasje avokati, politikani, filozofi dhe shkrimtari romak Cicero kishte pyetur: “Cui bono?” – domethënë: kujt i shërben, kujt i konvenon, në favor të kujt është vrasja? Në fund të procesit klienti i Ciceros shpallet i pafajshëm. Sepse rezulton se dikush tjetër kishte interes për të kryer krimin.
Duket se bota në çështjet thelbësore nuk ka ndryshuar fare që nga koha romake. Pas përleshjeve të armatosura në Kumanovë, që lanë pas 22 të vrarë, policë të Maqedonisë dhe sulmues shqiptarë, pyetja e parë që duhet të shtrohet dhe që kërkon përgjigje është kjo: “Cui bono?” – përkthyer në gjuhën popullore: në mulli të kujt çon ujë ky konflikt?
Shpërthimi i dhunës mes shqiptarëve dhe maqedonasve pikësëpari është në interes të kryeministrit Nikola Gruevski. Duke qenë pandërprerë në pushtet që nga viti 2006, ai ka arritur ta fusë nën kontroll të plotë shtetin, degët më të rëndësishme të ekonomisë, t’i frikësojë dhe t’i bëjë shërbëtore të tij shumicën e mediave dhe praktikisht të pezullojë veprimtarinë e opozitës. Si shumica e populistëve në Evropën Lindore, edhe Gruevski i ndërton fushatat e tij kundër kritikëve me nacionalizëm.
Në konceptin e tij të historisë Maqedonia e vogël është e rrethuar prej “katër ujqve”: Greqia nuk pranon emrin e Maqedonisë dhe bllokon hyrjen në NATO; Bullgaria e konsideron gjuhën maqedonase një dialekt të bullgarishtes; Serbia nuk e pranon mëvetësinë e Kishës ortodokse maqedonase; Shqipëria dhe Kosova, sipas kësaj mendësie nacionaliste, përmes “pakicës shqiptare” e dëmtojnë shtetin maqedonas. Me këtë politikë të prodhimit të përhershëm të armiqve dhe të konsolidimit të sistemit klientelist Gruevski ka qeverisur një kohë të gjatë pa probleme të mëdha.
Por është në natyrën e populistëve që vazhdimisht duhet të prodhojnë armiq për të arsyetuar qëndrimin në pushtet. Rrjedhimisht, regjimi i Gruevskit viteve të fundit nisi të kërkonte edhe “armiqtë e brendshëm”. Sipas të gjitha gjasave shërbimi sekret maqedonas, i cili udhëhiqet nga një kushëri i Gruevskit, ka përgjuar ilegalisht 20 mijë qytetarë – kundërshtarë politikë, zyrtarë të drejtësisë, gazetarë, politikanë të huaj, madje edhe ministra të qeverisë aktuale. Tashmë katër muaj shefi i opozitës, socialdemokrati Zoran Zaev, është duke publikuar protokollet e përgjimeve, të cilat shpalosin para opinionit një aparat pushteti që funksionon me intriga, inskenime, afera korrupsioni dhe krime të tjera.
Zaev ka deklaruar se protokollet i ka marrë nga një patriot që punon në shërbimin sekret dhe i cili nuk ishte pajtuar me përgjimin masiv të qytetarëve. Gruevski ka hedhur poshtë këtë version dhe akuzon një shërbim të huaj sekret për thurje të një komploti kundër Maqedonisë.
Publikimet e Zaevit opinioni maqedonas një kohë të gjatë i ka shikuar me indiferencë, habi apo neveri. Situata filloi të bëhej e pakëndshme për Gruevskin kur Zaev, duke u bazuar në incizimet e shërbimit sekret, la të kuptohet se qeveria para katër vjetësh ishte përpjekur të fshihte vrasjen e një të riu maqedonas nga ana e një pjesëtari të forcave të sigurisë.
Zaev po ashtu paralajmëroi se do të nxjerrë fakte në opinion që tregojnë të vërtetën për rastin e ashtuquajtur “Monstra”: në prill të vitit 2012 afër Shkupit u vranë katër të rinj dhe një 45-vjeçar – të gjithë maqedonas. Për këtë krim qeveria e Gruevskit e akuzoi një grup të “islamikëve shqiptarë”. Disa shqiptarë janë dënuar me burg për këtë rast, por dyshimet nuk kanë pushuar kurrë se krejt ngjarja mund të jetë e montuar nga Shërbimi sekret maqedonas. Ashtu si Shërbimi sekret serb, i cili kohëve të fundit po ballafaqohet me akuza se gjatë luftës së Kosovës ka vrarë disa të rinj serbë në Pejë për t’ua ngarkuar autorësinë kryengritësve shqiptarë, edhe Shërbimi maqedonas i përket të njëjtës shkollë kriminale: për interesa të pushtetarëve nuk ngurron të kryejë krime edhe ndaj qytetarëve që ka për detyrë t’i mbrojë.
Gjatë javëve të fundit ka qenë e dukshme përpjekja e regjimit të Gruevskit që për të larguar vëmendjen nga afera e përgjimeve të provokojë një konflikt me grupe të armatosura të shqiptarëve. Para premierës së përgjakshme të kësaj fundjave duket se prova e përgjithshme u krye në prill në fshatin Gushincë, ku gjoja u kidnapuan disa policë. Me gjasë në Kumanovë regjisorit i doli nga kontrolli skenari. 22 njerëz lanë kockë e kokë për llogari të një regjimi që e ka humbur sensin e realitetit. Meqë interneti është një instrument gjenial komunikimi, por edhe një moçal i madh, për ngjarjen në Kumanovë lëshuan komunikata edhe disa “UÇK”.
Manipulimet me këtë shkurtesë janë një tragjedi shqiptare: kur ke shumë “ushtri çlirimtare”, siç patën shqiptarët në këta 15 vjetët e fundit, atëherë një gjë është e sigurt: nuk çlirohesh kurrë! Sepse shumë ushtri domethënë shumë biznes! Dhe madje jo vetëm biznes me patriotizëm, por edhe me benzinë, me armë, me njerëz, me cigare, me shpirtra njerëzish.
Për të realizuar filmin Gruevskit i duheshin aktorë. Duket se ata i gjeti: luftëtarë të papunë, të cilët me apo pa dijen e Ramush Haradinajt, viteve të fundit kanë qenë një lloj milicie e terrorit në Gjakovë e rrethinë dhe kështu kanë siguruar “pushtetin demokratik” të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Modeli i konfliktit në Kumanovë është e kundërta e asaj që e ka bërë UÇK-në të njohur: kjo organizatë ka operuar kryesisht nëpër fshatra sipas taktikës guerile “gjuaj dhe fshihu”. Këtë fundjavë grupi i sulmuesve shqiptarë u pozicionua në një qytet me 100 mijë banorë për të zhvilluar një betejë kundër Policisë maqedonase.
Ka zëra të besueshëm në Kumanovë që thonë se strukturat e sigurisë të Maqedonisë janë kujdesur që sulmuesit ta gjejnë armatimin e gatshëm nëpër shtëpi. Edhe nëse kjo nuk është e vërteta e plotë, terrorit misterioz të fundjavës në Kumanovë edhe një kohë të gjatë do t’i vijë një duhmë e rëndë e inskenimit dhe intrigave ballkanike.
“Cui bono?” – kujt i shërben kjo përveç Gruevskit? Në Kosovë sigurisht atyre figurave që shpresojnë se me rritjen e kaosit në Ballkan rriten edhe shanset e tyre që para faktorit ndërkombëtar të imponohen si “faktor stabiliteti”. Rastësi apo jo: përleshja e armatosur në Kumanovë ndodhi në prag të themelimit nga Kuvendi i Kosovës i Gjykatës Speciale, e cila do të trajtojë anët e errëta të luftës së UÇK-së. Disa nga ish-krerët e saj kanë arsye të frikësohen. Jo vetëm për shkak se në rast të ballafaqimit me akuza duhet t’ia kthejnë shpinën pasurisë milionëshe dhe jetës luksoze në Kosovë, por mund të gjenden edhe para rrezikut të dënimit me burg shumëvjeçar. Gjatë fundjavës shumë banorë të Kumanovës janë tmerruar dhe habitur se si ndodhi që në qytetin e tyre, në lagjet shqiptare, të vinin një grusht shqiptarësh si “çlirimtarë” të paftuar.
Shqiptarët në Maqedoni, e sidomos ata në Kumanovë, që u terrorizuan nga aksioni misterioz policor, duhet të pyesin veten: kush janë këta njerëz, këta shqiptarë që i kanë dhënë vetes mandat të luftojnë, të ndezin konflikt, të rrezikojnë të marrin me vete në greminë edhe civilë të pafajshëm? Nga e marrin ata këtë të drejtë? Apo këtë të drejtë atyre ua dha ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili para pak muajsh tha: anëtarësimi i Maqedonisë në NATO prek interesat nacionale të Rusisë. Është e frikshme se si shqiptarët aq shpesh gjatë historisë së tyre me apo pa vetëdije bëhen pjesë e lojërave të mëdha gjeostrategjike – jo si aktorë, por si monedha për kusuritje në llogari të të tjerëve.
Ka kriminelë në Maqedoni dhe në Kosovë që po i pagoi Nikola Gruevski ta ndezin edhe Greqinë. Të gjithëve na kujtohen matrapazët shqiptarë që pas luftës së Kosovës premtonin se do t’i çlirojnë edhe viset shqiptare në Greqi. Disa nga këta hajdutë i patën dhënë deklarata edhe revistës gjermane “Der Spiegel”, e cila ishte përherë e gatshme që me tekste sensacionale të paralajmërojë “rrezikun e nacionalizmit shqiptaromadh” në Ballkan. Ata shqiptarë që ishin pjesë e përleshjeve në Kumanovë nuk kanë bërë kurrfarë akti patriotik – vetëm i kanë mundësuar Serbisë të hiqet si faktor stabiliteti në rajon, i kanë ndihmuar të dyshuarit për krime, kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, të hiqet si patriot para bashkëkombësve të tij dhe – në fund – i kanë ndihmuar edhe Rusisë në agjendën e saj për destabilizimin e Evropës.
Kur grupet pseudorevolucionare apo kriminale mandatojnë veten për të luftuar për “kauzën kombëtare”, atëherë rezultati nuk del pozitiv.
Në opinionin shqiptar jo vetëm në Maqedoni ekziston një mllef i arsyeshëm kundër politikës antishqiptare të qeverisë së Gruevskit. Situata bëhet edhe më e padurueshme kur dihet se pjesë e kësaj qeverie është partia shqiptare BDI e Ali Ahmetit. Si të gjithë shokët e tij të proveniencës iliro-pellazge dhe revolucionare edhe Ahmeti vështirë se do të largohet nga qeveria e Gruevskit. Sharmi i pushtetit, privilegjet, mundësia për të akomoduar klientelën partiake në institucione dhe për të kontrolluar resurse ekonomike duket se peshojnë më shumë sesa pranimi i përgjegjësisë për dështimin e kësaj qeverie të Gruevskit.
Edhe mllefi i shqiptarëve kundër inskenimeve të përgjakshme të Shërbimit sekret maqedonas është i arsyeshëm. Nëse Maqedonia vret qytetarët e saj për t’ua lënë fajin pastaj shtetasve të saj shqiptarë, atëherë ky është terrorizëm shtetëror. Por këtu vetë shqiptarët duhet të kapin veten për hunde: a nuk është terrorizëm shtetëror i qeverive të Tiranës që akuzohen se kanë vrarë ushtarakë të Kosovës si Ahmet Krasniqi, afaristë si Remzi Hoxha (sado i dyshimtë të ketë qenë), luftëtarë si Ilir Konushevci. Asnjëra nga këto vrasje nuk është sqaruar nga shteti shqiptar, madje në disa raste janë zhdukur dosjet. Shteti që fshin gjurmët e krimit e ka vështirë të akuzojë një shtet tjetër përse vepron pak a shumë ngjashëm. Kjo është edhe njëra prej arsyeve që elitat politike të Tiranës nuk i merr askush seriozisht kur prej tyre pritet t’i mbrojnë interesat e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të presin shumë as nga Tirana, as nga Prishtina, sepse politika në këto vise është vetëm një emër tjetër për biznes. Të pistë. Për fat të keq jo pak shqiptarë në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës e luajnë vallen e popullzimit të Edi Ramës apo Hashim Thaçit. Këto valle i shoqëron muzika e keqe folklorike dhe titujt si “Qytetar nderi” i Ulqinit dhe “Doktor nderi” i Tetovës.
Shqiptarët nga Kumanova në Strugë duhet të nxjerrin një mësim urgjent nga ngjarjet e fundjavës: për të luftuar për të drejtat legjitime dhe për të pastruar politikën nga elementët kriminalë shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për themelimin e një partie të re. Nëse kam numëruar mirë, atëherë shqiptarët në Maqedoni i kanë këto parti e lëvizje politike: BDI e Ali Ahmetit, PDSH e Menduh Thaçit, RDK e Vesel Memedit (më parë e Rufi Osmanit), Zijadin Sela (fraksion i PDSH-së, së shpejti ndoshta parti e re), Lëvizja Besa (supozohet se gëzon mbështetjen e Turqisë), Partia për Prosperitet Demokratik, Bashkimi Demokratik Kombëtar (Hysni Shaqiri), madje një parti thuhet se e ka edhe Bardhyl Mahmuti (partia në Maqedoni, kryetari në Zvicër). Dy partitë e fundit (e Shaqirit dhe Mahmutit) janë në shpërbërje e sipër. Kjo ndarje kaq e madhe e fuqisë elektorale shqiptare flet për mentalitet bajraktari – si kudo ndër shqiptarë.
Kjo ndarje ia bën aq të lehtë një nacionalshovinisti si Nikola Gruevski të luajë me shqiptarët kur të dojë – dhe kur lodhet duke luajtur i vret ata. “Cui bono?” – kujt i shërben kjo kakofoni partiake e shqiptarëve në Maqedoni? Dihet