Në shtëpinë e Shefqet Krasniqit gjendet shumë e madhe parash
Në shtëpinë e imam Shefqet Krasniqit, në Prishtinë, sipas indeksonline, është gjetur dhe konfiskuar një sasi e madhe parash, kurse në shtëpinë e Fuad Ramiqit, janë gjetur dhe konfiskuar shumë dokumente dhe disa kompjuterë.
Ata vazhdojnë të intervistohen nga Policia e Kosovës.
Gjatë një aksioni të gjerë policor, sot në mëngjes në gjithë Kosovën, sipas informatave të pakonfirmuara zyrtarisht, janë arrestuar 15 të dyshuar për terrorizëm, nxitje të urrejtjes ndërfetare e ekstremizëm islam. Ndër të arrestuar janë pesë imamë.
Pesëmbëdhjetë të arrestuar në Kosovë me dyshime për terrorizëm
(E plotësuar) Policia e Kosovës ka konfirmuar se sot nga ora shtatë e mëngjesit ka nisur një aksion për arrestimin e të dyshuarve për pjesëmarrje në anën e militantëve terroristë në luftërat që po zhvillohen në Siri e Irak, ose për rekrutim e nxitje të shkuarjes në këto luftëra.
“Polica ka filluar aksionin që nga ora 7:00 e mëngjesit, ndërkohë do të ketë informata shtesë”, ka thënë Brahim Sadria, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Sipas informatave të para, të pakonfirmuara zyrtarisht, janë arrestuar 15 të dyshuar, ndër ta pesë imamë dhe politikani Fuad Ramiqi, partia e të cilit, LISBA, vepron në baza fetare.
(E plotësuar)Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion, gjatë të cilit kanë përfunduar në pranga pesëmbëdhjetë të dyshuar për terrorizëm.
Koha. net merr vesh nga burime policore se ndër ta pesë janë imamë dhe një politikanë. Burimi tha se mëngjesin e sotshëm është prangosur Fuad Ramiqi dhe imami Shefqet Krasniqi.
Koha.net nga burime policore ka mësuar emrat e pesë imamëve të arrestuar sot. Këta janë Mazllom Mazllomi, Enis Rama, Ekrem Avdiu, Enes Goga dhe Shefqet Krasniqi.
Ndërkohë raportohet se ndër të arrestuar është edhe Sh.K., nga Kaçaniku, sipas burimeve një bashkëveprimtar i Lavdrim Muhaxherit.
Operacioni është zhvilluar nga Njësia Antiterror e mbështetur nga njësia Speciale e Kosovës.
Javë më parë në Kosovë janë arrestuar 40 të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrah organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra, duke kryer me këtë vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës. Atyre u është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.
Kosova është në prag të miratimit të një ligji, i cili dënon deri në 15 vjet burgim pjesëmarrjen në luftëra të huaja, me ngjyrime terroriste.
Ekstremizmi islamik me në krye organizatën terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit” është cilësuar si një rrezik global, prandaj vendet demokratike u kanë bërë thirrje të gjitha vendeve të botës që t’i bashkojnë forcave për ta parandaluar të keqën.