Në zemër të stuhisë
Shkruan: Josep Borrell Fontelles
Të hënën patëm takimin tonë në Këshillin e Punëve të Jashtme, i cili zhvillohet çdo muaj. Në Këshill diskutuam kryesisht mbi situatën dramatike në Gaza dhe luftën kundër Ukrainës. Këto dy konflikte sa të ndryshme janë po aq edhe të ndërlidhura. Ndërkohë që na duhet të mbajmë një qëndrim parimor për Gazën dhe të përkushtohemi për të arritur paqen në Lindjen e Mesme, na duhet gjithashtu të qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ukrainës për “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
BE-ja po përballet me dy prova të mëdha, siç janë ato në Ukrainë dhe në IzraelPalestinë. Prej gati dy vjetësh, flakët e luftës vazhdojnë në kufirin lindor të Evropës. Kjo luftë po zgjat më shumë nga sa e kishte paramenduar Putini. Ky besonte se, brenda disa javësh, ushtria ruse do të arrinte të merrte Kievin dhe të instalonte aty një regjim kukull, si ai në Bjellorusi. Falë rezistencës së Ukrainës dhe mbështetjes ndërkombëtare, kjo gjë nuk ndodhi.
EVROPA IU PËRMBAJT PËRGJEGJËSIVE TË SAJ
BE-ja e ka mbështetur gjerësisht Ukrainën si në aspektin ekonomik edhe në atë ushtarak. Kemi trajnuar më shumë se 30,000 ushtarë ukrainas dhe mbështetja jonë ushtarake tani arrin në 27 miliardë euro gjithsej. Kemi vendosur 11 paketa sanksionesh dhe po përgatisim paketën e 12-të. Kjo paketë do të përfshijë ndalime të reja për importe dhe eksporte, masa për të shtrënguar çmimin tavan të naftës, si dhe për të luftuar anashkalimin e sanksioneve. Megjithatë, duhet të jemi realistë: perspektiva e fitores së Ukrainës ndaj Rusisë nuk është e menjëhershme.
Regjimi i Putinit ka nevojë për luftë, sepse e përdor luftën si instrument për mbijetesën e tij politike. Na duhet të përgatitemi për një konflikt që do të jetë i gjatë, por atë Rusia nuk mund ta fitojë. Ajo vetëm sa mund ta vonojë fundin e tij. Ndërkohë, Putini shpreson që zgjedhjet që pritet të mbahen së shpejti në SHBA mund të ndikojnë te mbështetja e SHBA-ve për Ukrainën. Ai gjithashtu beson se demokracitë më në fund do ta humbasin fuqinë e tyre. Na duhet t’i dëshmojmë se e ka gabim dhe të qëndrojmë të bashkuar për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës “për aq kohë të jetë e nevojshme”.
Anëtarësimi në BE është garancia më e madhe për sigurinë që mund t’i japim Ukrainës
Javën që kaloi, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave me Ukrainën për anëtarësimit e saj në BE. Ndërkohë, ne po punojmë edhe për garancitë e sigurisë për këtë vend. Kam propozuar krijimin e një fondi shumëvjeçar të dedikuar brenda Fondit Evropian të Paqes për të siguruar mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën gjatë viteve në vijim.
Megjithatë, ne nuk jemi një aleancë ushtarake dhe garancia më e madhe që mund t’i japim Ukrainës për sigurinë është ta bëjmë atë anëtare të plotë të familjes evropiane. Çështja e dytë madhore është situata në Izrael dhe Palestinë pas sulmit të tmerrshëm terrorist të Hamasit më 7 tetor, të cilin e kemi dënuar në mënyrën më të ashpër. Ka kaluar një muaj që prej atij sulmi dhe tani në Gaza po shpaloset një tragjedi humanitare.
NA DUHET TA TREGOJMË SE AKUZA PËR STANDARDE TË DYFISHTA ËSHTË E RREME
Siç e shpjegova edhe javën e kaluar në kongresin e Partisë së Socialistëve Evropiane, edhe pse këto dy konflikte sa kanë dallime për nga shkaqet dhe aktorët e tyre, aq janë edhe të ndërlidhura. Shumë vende në atë zonë të botës që njihet si Jugu Global na shohin sikur jemi duke përdorur standarde të dyfishta në lidhje me të drejtën ndërkombëtare në Ukrainë dhe në Gaza. Me veprat dhe me fjalë na duhet ta tregojmë se kjo akuzë nuk qëndron dhe është e rreme. Sigurisht, ne mbështesim të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur përballë sulmeve të tmerrshme terroriste ndaj tij. Por, siç u shpreh edhe Presidenti Obama në një mesazh frymëzues, edhe mënyra se si mbrohet Izraeli është e rëndësishme.
Izraeli duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të përpiqet që të ketë sa më pak viktima civile. Ndërprerja e ujit, e ushqimit, e furnizimit me energji elektrike dhe e karburantit për një popullsi të tërë civile nën rrethim, nuk është e pranueshme. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, tashmë janë shkaktuar mbi njëmbëdhjetë mijë viktima, nga të cilët rreth gjysma janë fëmijë. Një strategji ushtarake që i shpërfill kostot njerëzore për civilët nuk mundet të funksionojë, sepse bart rrezikun që ta bëjë pothuajse të pamundur paqen mes palestinezëve dhe izraelitëve në të ardhmen. Megjithatë, paqja është e vetmja garanci reale dhe afatgjatë për sigurinë e Izraelit.
Shmangia e përhapjes në rajon
Gjatë ditëve në vijim do të duhet të shmangim një përhapje të konfliktit në rajon dhe të arrijmë uljen e menjëhershme të tensioneve. Duhet të arrijmë krijimin e pauzave humanitare, ndalim të e luftimeve, armëpushim… pak rëndësi ka emri që i vendosim. E rëndësishme është të kufizojmë vuajtjet e popullatës civile dhe të bëjmë të mundur lirimin e pengjeve izraelitë.
Nevojitet të sigurohet që çdo ditë në Gaza të hyjnë rregullisht ndihma humanitare në sasitë e nevojshme, përfshirë edhe karburantin. Shumë kamionë presin në kufi dhe paratë nuk mungojnë. Por mungojnë korridoret e sigurta që të mundësojnë dërgimin e këtyre ndihmave të gjithë njerëzit në nevojë, evakuimin e të plagosurve dhe të të sëmurëve, si dhe të shtetasve të huaj. Duhet të ketë më shumë mundësi për të hyrë me rrugë tokësore në Gaza dhe po studiojmë edhe propozimin e Qipros për të hapur një korridor detar për enklavën.
Nga ana tjetër, edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar duhet të ketë qasje te pengjet që mban Hamasi, të cilët Hamasi ka detyrimin t’i lirojë. Ajo që po ndodh aktualisht në Gaza është pasojë e një dështimi politik dhe moral i komunitetit ndërkombëtar. Tridhjetë vjet pas marrëveshjeve të Oslos nuk janë marrë masat e duhura për ta bërë zgjidhjen me dy shtete një realitet të prekshëm.
Sot, numri i izraelitëve që janë vendosur të banojnë në territoret e pushtuara palestineze është pothuajse tri herë më i madh se 30 vjet më parë dhe ky territor është ndarë në një arkipelag zonash që nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën, duke e bërë shumë më të vështirë zbatimin e zgjidhjes me dy shtete të kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për 76 vjet. Ne duhet të mbrojmë duke i theksuar në mënyrë të barabartë të drejtat si të palestinezëve edhe të izraelitëve për lirinë, sigurinë dhe dinjitetin e tyre.
TRI “PO”-TË DHE TRI “JO”-TË
Pasi të jetë konsoliduar armëpushimi humanitar, çka nuk duket se ka gjasa për momentin, do të duhet të kalojmë nga masat për ndihma në veprim politik. Dhe tranzicioni pasues politik do të duhet të mbështetet në parimet e mëposhtme që i kemi diskutuar në Këshillin për Punët e Jashtme. Do t’i përmblidhja në tri “po” dhe tri “jo”.
Së pari, jo për çdo zhvendosje me forcë të popullit palestinez nga Gaza për në shtete të tjera.
Së dyti, territori i Gazës nuk mund të zvogëlohet dhe nuk duhet të ketë as ripushtim të përhershëm të Gazës nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe as kthim të Hamasit në Gaza.
Së treti, Gaza nuk mund të veçohet nga pjesa tjetër e çështjes palestineze: zgjidhja për Gazën duhet të vendoset brenda kuadrit të zgjidhjes së çështjes palestineze në tërësi. Dhe tri “po”-të kanë të bëjnë me aktorët që do të angazhohen për një zgjidhje. Së pari, në Gaza duhet të qeveriset nga një Autoritet Palestinez.
Natyra, roli dhe legjitimiteti i këtij Autoriteti duhet të përcaktohen nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Sigurisht që ky Autoritet do të duhet të mbështetet. Dhe kjo është “po”- ja e dytë për një përfshirje më të fortë të vendeve arabe. Aktualisht, shtetet arabe nuk duan të flasin për “të nesërmen”, sepse janë të fokusuar tek tragjedia që po shpaloset sot. Gjithsesi, nuk do të ketë një zgjidhje pa një përkushtim të fortë nga ana e tyre, i cili nuk do të jetë vetëm në aspektin financiar. Nuk bëhet fjalë vetëm për rindërtimin fizik, por edhe për dhënien e kontributit politik në shtet-ndërtimin palestinez. “Po”-ja e tretë është një përkushtim më i madh i BE-së në rajon.
“Për ne, çështja nuk ka të bëjë vetëm me ndihmën për rindërtimin e Gazës, gjë që e kemi bërë disa herë tashmë, por me ndihmën për ndërtimin e një shteti të plotë sovran palestinez, që është në gjendje të rivendosë dinjitetin e palestinezëve dhe të bëjë paqe me Izraelin”.
Ky duhet të jetë qëllimi dhe përkushtimi ynë. Përndryshe, rrezikojmë të qëndrojmë në një spirale dhune dhe siguria jonë mund të kërcënohet gjithnjë e më shumë: ky konflikt ka potencialin të krijojë paqëndrueshmëri serioze në mbarë botën. Ne evropianët, nisur nga interesat tona, por edhe nga përgjegjësia jonë morale dhe politike, duhet të përkushtohemi shumë më tepër për të arritur paqen midis Izraelit dhe Palestinës.
Një pjesë e domethënëse e rolit të Bashkimit Evropian në nivel global në të ardhmen, dhe veçanërisht sa u takon marrëdhënieve tona me vendet e të ashtuquajturit Jugut Global, do të varet nga përkushtimi ynë për ta zgjidhur këtë konflikt. Në ditët në vijim, unë do të shkoj në Izrael, Palestinë, Bahrein, Arabi Saudite, Katar dhe Jordani për t’i diskutuar këto çështje dhe propozime me shumë prej aktorëve kryesorë në atë rajon.
NEVOJA PËR NJË TRAKTAT PAQEJE MES ARMENISË DHE AZERBAJXHANIT
Së fundi, diskutuam me ministrat e Jashtëm të BE-së edhe për situatën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Ne duhet të ndihmojmë për mbrojtjen e Armenisë nga çdo destabilizim i brendshëm apo i jashtëm. Si hap i parë, do të forcojmë misionin tonë civil në atë vend. Duhet të rifillojnë negociatat mes Armenisë dhe Azerbajxhanit si dhe të arrihet një traktat paqeje. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë ndërmjetësimin e iniciuar nga Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
Gjithashtu, i kemi dërguar një mesazh të qartë Azerbajxhanit se çdo shkelje e integritetit territorial të Armenisë do të kishte pasoja të rënda për marrëdhëniet tona. Në BE, ne jemi në zemër të stuhisë dhe dëshmitarë të konflikteve në shumë rajone rreth nesh. Për t’i mbrojtur vlerat dhe interesat tona dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë, ne duhet të mendojmë dhe të veprojmë në mënyrë parimore dhe strategjike.
* Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/ Zëvendëspresident i Komisionit Evropian