Negociatat me Shqipërinë, Várhelyi: Javën e ardhshme shpresoj për një lajm të mire
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Olivér Várhelyi i shoqeruar nga kryeministri Edi Rama kane qene te pranishem sot pasdite ne bypassin e Vlorës, ku Bashkimi Europian eshte bashkefinancues I kesaj vepra infrastrukturore. Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Olivér Várhelyi u shpreh optimist sot nga bypassi i Vlorës, se në ditët në vijim mund të ketë një lajm të mirë për Shqipërinë për hapjen e negociatave.
“Më lejoni të inkurajoj Shqipërinë që të përshpejtojë punën edhe në fushën e integrimit. Shqipëria është gati për të filluar negociatat me Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Jam me shpresë se në ditët e ardhshme do kemi lajmin e mirë. Dhe në javën e ardhshme do kemi vendimin që kemi kaq kohë që e presim.” tha Varhelyi nga Vlora.
Várhelyi u shpreh se “ne e kemi parë që Shqipëria ka ecur shumë”. “E mbaj mend në fillim të vitit 2020 me gjithë ato detyra. Po të hedhim sytë pas është bërë një punë shumë e madhe dhe Shqipëria është gati për të filluar negociatat me Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe nuk ka pikëpyetje e dyshime se Shqipëria ka bërë gjithçka ishte e nevojshme për të arritur tek Konferenca e parë Ndërqeveritare”, tha ai.
Ndersa Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se nëse nuk çelen negociatat për Shqipërinë, atëherë ditën e nesërme do të kërkohet ndarje nga çështja Maqedonase-bullgare.
“Nuk dua të zgjatem, pasi mund të ketë mbaruar një seancë, por në dijeninë time debati do vazhdojë me parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Shpresoj që rezultati të jetë pozitiv, nëse do të jetë, patjetër Konferenca do të thirret shpejt. Nëse s’do të jetë pozitiv, menjëherë që të nesërmen do të vazhdojmë te kërkojmë ndarjen e Shqipërisë nga dosja bullgaro-maqedonase. Patjetër ne jemi të bindur që Shqipëria duhet t’i çelë negociatat këtë vit pa diskutim! Tani të presim fundin e këtij debati maratonë që parashikohet të zhvillohet në parlamentin e RMV.
Uroj që të ndodh që parlamenti i Maqedonisë së Veriut t’i hapë rrugë propozimit te Francës dhe të dy vendet të hyjnë në negociata. Por kjo siç e tha dhe Komisioneri nuk është diçka që e vendosim ne, por parlamenti sovran i Maqedonisë së Veriut. Dua të theksoj dhe një herë se falë komisinerit, në respekt të integrimit, jane edhe mbeshtetjet në aspektit financiar për Ballkanin. Janë jo vetëm rrugë por dhe hekurudha. Do kërkojmë mbështetje dhe për portin e ri të Durrësit. Kemi kërkuar mbështetje nga paketa e investime të NATO-s.”, tha ai.