Bota

Nepal, rinisin operacionet e shpëtimit pas tërmetit të dytë

Ekipet e shpëtimit janë vënë në garë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmetit të dytë të dhunshëm që goditi Nepalin brenda dy javësh. Të paktën 65 vetë humbën jetën dhe 2000 të tjerë u plagosën nga lëkundjet e magnitudës 7,3 ballë dhe bilanci i jetëve të humbura rrezikon të rëndohet akoma më shumë.

17 raportohet të jenë të vdekurit në Indinë fqinje. Kërkimet vazhdojnë sakaq edhe për helikopterin amerikan të ndihmës me tetë persona në bord, që rezulton i zhdukur.

Me mijëra nepalezë e kaluan mbrëmjen e së martës nën qiell të hapur nga frika e luhatjeve të tjera të tokës. Në të vërtetë, një pjesë e mirë e tyre nuk janë kthyer në shtëpi, që prej tërmetit 7,8 ballësh të 25 prillit, që vrau më shumë se 8000 vetë.

Tërmeti i së martës e kishte epiqendrën në afërsi të qytezës Namche Bazaar, rreth 76 kilometra në lindje të kryeqytetit Katmandu. 30 minuta pas tij, rajonin e goditi një tjetër luhatje e intensitetit 6,3 ballë. Mëngjesin e së mërkurës ka pasur edhe disa paslëkundje, që kanë mbjellë akoma më shumë frikë tek banorët.

Tërmeti kryesor u ndje deri në veri të Indisë, Tibet e Bangladesh. Bilanci real i vdekjeve dhe shkalla e vërtetë e dëmeve nuk dihen ende me saktësi, ndërsa ka raporte të vazhdueshme për rrëshqitje toke dhe shembje banesash në periferitë e Katmandusë.

“Kohë të tilla fatkeqësish natyrore duhet t’i përballojmë me kurajo dhe durim”, u shpreh Kryeministri Sushil Koirala. Gjeologët tani po përpiqen të identifikojnë zonat me rrezikshmëri më të lartë për rrëzimin e gurëve dhe rrëshqitjet e dheut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button