Kronika

Nga 3 shtatori ligji ndëshkon xhihadistët

“5 mijë lekë dita e burgut për shkelësit që kanë mundësi që ta paguajnë”Botohet në Fletore, Kodi Penal, 3 vjet burg për shoferët e dehur, 5 vjet për vjedhësit e energjisë

NGA HERION MESI

lavdrim-muhaxheriPas tre shtatorit çdo shtetas shqiptar që do të përfshihet në konfliktet e armatosura jashtë territorit të Shqipërisë do të ndëshkohet me dënim me burg. Në Fletoren Zyrtare janë publikuar dje ndryshimet më të fundit në Kodin Penal, të nxitura nga pjesëmarrja e shqiptarëve në luftërat e përgjakshme të Sirisë dhe Irakut. Konkretisht, Kodi i ri Penal, që hyn në fuqi pas dy javësh, parashikon që çdo person që do të bëjë thirrje për luftë, ose që nxit e rekruton persona, ose që shkon në këto konflikte, do të dënohet me burg që arrin sipas rastit deri në 15 vjet.

Pjesëmarrja në luftë

Shqipëria nuk ka nënshkruar dhe ratifikuar asnjë nga rezolutat e OKB-së që bëjnë fjalë për mercenarizmin dhe pjesëmarrjen në konfliktet në territore të huaja dhe për pasojë, rreziku i pjesëmarrjes së shqiptarëve në këto luftime në çdo vend është i lartë. Nisur nga kjo problematikë katër muaj më parë mazhoranca qeverisëse propozoi një ndërhyrje ligjore në nenin 265 të Kodit aktual, me tri shtesa. Pjesëmarrja në formacione luftarake në një konflikt të armatosur që zhvillohet në territorin e një shteti të huaj, pa qenë pjesëtar i Forcave të Armatosura të njërës prej palëve ose misioneve ushtarake zyrtare të Forcave të Armatosura të një shteti që nuk është palë në konflikt, ose një organizatë ushtarake ndërkombëtare dënohet me burg nga 3 deri në 8 vjet burg. Kur kjo vepër penale kryhet me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues ose shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, dënohet me burg nga 5 deri në 10 vjet burg. Por më shumë do të dënohen ata që nxisin, organizojnë dhe financojnë mercenarët. Nxitja, rekrutimi, organizimi, drejtimi, stërvitja, krijimi apo përdorimi i fondeve e mjeteve të tjera për financimin e personave në çdolloj forme dhe mënyre për të kryer veprat penale të parashikuara nga neni 265, pika ‘a’, dënohet me burg nga 5 deri në 15 vjet. Referuar dhe akteve ndërkombëtare, si dhe eksperiencës së ngjashme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ndryshimet në Kodin Penal dënojnë edhe ata persona të cilët, në mënyrë publike me çdolloj forme apo mjeti bëjnë thirrje për pjesëmarrje në veprime luftarake ose të dhunshme në një shtet tjetër. Thirrja në mënyrë publike në çdolloj forme, mjeti, mënyre për pjesëmarrje në veprime luftarake të parashikuara si vepra penale nga neni 265/a, i këtij kodi, dënohet me burg deri në 3 vjet. Sipas ndryshimeve të reja edhe në Kodin e Procedurës Penale, të cilat hynë në fuqi më 3 shtator, do të jetë Gjykata e Krimeve të Rënda ajo që do të hetojë shqiptarët që luftojnë në një shtet të huaj.

Ndryshimet

Personat që mbajnë, transportojnë apo trafikojnë lëndë plasëse për qëllime kriminale do të dënohen me 15-20 vjet burg; personat që vjedhin energjinë elektrike do të dënohen deri në 5 vjet burg; ndërsa drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa leje drejtimi, të dënohet nga 10 ditë deri në 3 vjet heqje lirie. Këto janë penalitetet që parashikojnë ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën e fundit të sesionit VIII parlamentar që u mbyll më 31 korrik. Ndryshimet në Kodin Penal, parashikojnë, gjithashtu, ashpërsim të masave dhe penaliteteve për shitjen e kartave Sim në mënyrë të paautorizuar. Këto ndryshime qeveria i ndërmori nisur nga problematikat e fillimvitit, ku u regjistruan një numër i konsiderueshëm i rasteve të bombave të telekomanduara, të cilat u kthyen në një shqetësim serioz sa i përket rendit dhe sigurisë së qytetarëve në vend. Ndërsa, në një nga ndryshimet e fundit të Kodit Penal qeveria ka parashikuar që çdo shkelës i ligjit që ka mundësi financiare, ditët e burgut mund t’i konvertojë edhe me para, ku vlera e një ditë izolimi të llogaritur nga qeveria është 5 mijë lekë dita.

Tabelë

Ndëshkimet në Kodin e ri Penal

Pjesëmarrja në një konflikt të armatosur në një shtet të huaj- dënohet nga 3 deri në 8 vjet burg.

Përmbysjen e rendit kushtetues të një shteti të huaj- dënohet me burg nga 5 deri në 10 vjet burg.

Nxitja, rekrutimi, organizimi, drejtimi, stërvitja, krijimi apo përdorimi i fondeve e mjeteve të tjera për financimin e personave në çdolloj forme dhe mënyre-dënohet me burg nga 5 deri në 15 vjet.

Thirrja në veprime luftarake dënohet me burg deri në 3 vjet.

Përdorimi i lëndëve plasëse 15 deri në 20 vjet burg

Vjedhja e energjisë dënohet me 5 vjet burg

Shoferët e dehur, nga 10 ditë deri në 3 vjet burg

Kartat SIM- Shitja e paligjshme e tyre ndëshkohet nga 30 ditë deri në 6 muaj burg

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button