Nga burgu i Hagës, në Akademinë ushtarake serbe
Gjenerali serb i dalë në pension, Vladimir Lazareviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vjet burg, për përgjegjësi komanduese për krime të luftës në Kosovë, së shpejti do të mundë t’i bartë përvojat e tij të luftës te kadetët që shkollohen në Akademinë Ushtarake në Serbi.
Siç u ka thënë medieve serbe ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, gjeneralët, sikurse Lazareviqi, kanë shumëçka të rëndësishme që t’ua bartin kolegëve të rinj.
Përveç Lazareviqit, i cili ka qenë komandat i Korpusit të Prishtinës dhe Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, në mesin e ligjëruesve, sipas paralajmërimeve, do të mund të jenë edhe gjenerali i pensionuar, deputeti dhe anëtari i Partisë Radikale Serbe, Bozhidar Deliq, si dhe shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Lubisha Dikoviq.
Në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, për Radion Evropa e Lirë, thuhet se “Akademia Ushtarake do të vendosë se kush nga eprorët do të ligjërojë, ndërkaq propozimin do ta japë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë”.
Ndërkaq, Miroslav Lazanski, anëtar i Komisionit parlamentar për mbrojtje dhe punë të brendshme, si dhe deputet i Partisë Progresiste Serbe, e cila është në pushtet, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mënyrë absolute e mbështet qëndrimin e ministrit Vulin.
“Zoti Lazareviq është i dënuar, por ai e ka vuajtur dënimin e tij. Prandaj, ai nuk po garon në asnjë plan politik, por ai duhet t’i shpërfaqë përvojat e tij nga lufta në Kosovë”, konsideron Lazanski.
Tribunali i Hagës, sipas tij, nuk është gjykatë për drejtësi, por vetëm instrument politik, siç ka thënë ai, “për ta shkruar historinë e re në Ballkan”.
Nemanja Stjepanoviq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë për Radion Evropa e Lirë se bartjen e përvojave te kadetët, tani do ta bëjnë njerëzit, në zonën e përgjegjësisë të së cilëve dhe me pjesëmarrjen e njësiteve të tyre, kanë pësuar mijëra civilë.
“Së pari, Vladimir Lazareviq është dënuar si ndihmues në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, si dikush që është përgjegjës për dëbimin dhe zhvendosjen e dhunshme të civilëve shqiptarë të Kosovës, në vitin 1999. Ai e ka vuajtur dënimin dhe është kthyer në Serbi”.
“Në zonën e përgjegjësisë së brigadës 549 të komanduar nga Deliq, janë vrarë 2 mijë e 200 civilë shqiptarë. Në zonën e përgjegjësisë së Ljubisha Dikoviqit, janë vrarë 1 mijë e 400 civilë shqiptarë. Ndërkaq, në zonën e përgjegjësisë së Vladimir Lazareviqit, të Korpusit të Prishtinës, me të cilin ka komanduar ai nga data 24 mars deri me 10 qershor të vitit 1999, janë vrarë rreth 6 mijë e 200 civil”, tha Stjepanoviq.