Ngjarje tragjike në liqenin e Banjës: katër të vdekur!
Humb jetën babai me dy djemtë dhe kushëriri i tyre! Dy viktima të tjera u shënuan në plazhe
Një ngjarje tragjike ndodhi në Gramsh të premten, aty ku katër anëtarë të familjes Zogu u mbytën në liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Viktimat janë Gazment Zogu, 46-vjeç, dy djemtë e tij 14 dhe 19-vjeç si dhe nipi 20-vjeçar Melis Zogu të gjithë nga fshati Cingar.
Trupat e pajetë të katër pjeëtarëve të familjes Zogu janë gjetur nga kontrollet e polumbarëve të RENEA-s dhe banorëve të fshatit.
Sipas deklarimeve të dhëna nga ana e familjarëve ata kishin ndaluar në fshatin Drizë dhe u futën në liqen për t’u larë. Por më pas ata nuk dolën më nga uji.
Menjëherë drejt vendngjarjes u nisë policia, ku buzë liqenit gjeti dy motoçikleta, tre celularë dhe rrobat e trupit të katër pjesëtareve të familjes Zogu.
Vetëm pak ditë më parë një tragjedi e ngjashme ndodhi në plazhin Vilë–Bashtovë në Rrogozhinë ku Elvis Halilaj 50-vjeç u mbyt në det së bashku me dy djemtë e tij të mitur.
Po ashtu dy persona kanë humbur jetën ditën e sotme pas kontaktit me ujin.
Njëra ngjarje ndodhi në plazhin e Durrësit ku një 68-vjeçar në Porto Romano rreth orës 19:20 sapo ka rënë në kontakt me ujin ka shfaqur probleme shëndetësore, ku ka gjetur vdekjen.
Ngjarja tjetër ndodhi në plazhin e Tales ku humbi jetën një 52-vjeçar. Po ashtu dyshohet se pushuesi humbi jetën nga i njëjti shkak.