Niset kontingjenti V në Afganistan, Kodheli: Me aleatët në zonat më të nxehta të globit
Shqipëria nis kontingjentin e radhës që do të shërbejë në misionin e Resolute Support Mission (RSM), në Afganistan. Ceremonia për përcjelljen e kontingjentit u zhvillua në ambientet e Policisë Ushtarake (PU).
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga, ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë z. Hidayet Bayraktar, komandanti i PU-së, kolonel Arben Kingji, drejtor dhe ushtarakë të lartë të MM dhe SHPFA si dhe familjarë të efektivëve që do të nisen në mision.
Ministrja Kodheli në fjalën e saj tha se ky 5 dhjetor duhet mbajtur mend gjatë. “Është fillimi i një angazhimi të ri, një dimension i rrahur nga shumë kolegë tuajt, por i panjohur për ju”.
Më tej ajo vijoi: “Për një kohë të gjatë kam diskutuar me drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm por dhe me komandantin e Policisë Ushtarake, për të bërë të mundur përfaqësimin e batalionit tuaj në një mision jashtë vendit. Dhe ja ky moment u bë realitet. Momente të tilla mbajnë mbi vete edhe shumë tension, mbi të panjohurën që ju pret dhe rreziqet që çdo mision i tillë ka”.
Ministrja Kodheli theksoi se “Sfidat e reja të sigurisë, kërkojnë me ngulm vlerësimin e bashkëpunimit mes vendeve aleate si mundësinë primare jetike të suksesit, në këto kohë mungesash dhe radikalizimi”.
“Gjendemi së bashku me aleatët tanë në zonat më të nxehta të globit, marrim përsipër angazhime në përmbushje të kërkesave të Aleancës, por dhe mendojmë në çdo moment për përmirësimin e realitetit me të cilin përballemi. Ngjarjet që po ndodhin kudo nëpër botë demonstrojnë rëndësinë që ka mirëpërgatitja për parandalimin e çdo agresioni të mundshëm ndaj Aleancës apo për t’iu përgjigjur çdo krize të mundshme” – tha Kodheli dhe falënderoi aleatët turq për ndihmën e dhënë në plotësimin e angazhimit në Afganistan, duke nënvizuar se: “Bashkëpunimi me FA turke, mbetet për ne mjaft i rëndësishëm dhe thelbësor”.
Në fjalën e tij përshëndetëse ambasadori i Turqisë Bayraktar, i dha një rëndësi të veçantë marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Ai u shpreh: “Turqia ka mbështetur integrimin e Shqipërisë në institucionet Euroatlantike, ndërkohë ajo ka mbështetur edhe antarësimin e Shqipërisë në NATO. Turqia ashtu siç në çdo fushë edhe në fushën ushtarake ka marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë.”
Më pas, ministrja Kodheli i dorëzoi flamurin kombëtar, komandantit të kontigjentit që niset në Afganistan.
Kontingjenti i PU-së që nisen në Afganistan, shënojnë kontingjentin e 5-të të efektivave shqiptarë në kuadër të RSM. Ata pritet të zëvendësojnë trupa të kontingjentit të 4-tërt të batalionit Komando, të cilët janë aktualisht duke kryer misionin e tyre në varësi të komandës turke në Kabul, Afganistan.
Ashtu sikurse edhe kontingjentet e tjera, toga e efektiveve të PU, do të shërbejë për një periudhë 6 mujore.