PolitikaPresidenciale

Nishani merr pjesë në takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit të organizuar nga Bundestagu i Gjermanisë dhe Shoqata gjermane për Bashkëpunim e Mirëkuptim mes Njerëzve. Në këtë edicion të 22-të, morën pjesë liderë e personalitete të shumta gjermane apo të huaja, të politikës, besimeve të ndryshme fetare, botës akademike e shkencës, si dhe përfaqësues të biznesit. Nga Shqipëria morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësuesit e komunitetit mysliman, të Kishës Katolike e Ortodokse, të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, si dhe të Vëllazërisë Ungjillore. Me këtë rast, Presidenti Nishani mbajti dhe një ligjëratë përshëndetëse.
Presidenti Nishani përshëndeti që në fillim rolin e këtij aktiviteti, që tashmë është kthyer në një traditë shumë të mirë për nxitjen e dialogut dhe të mirëkuptimit mes njerëzve pavarësisht përkatësisë etnike, besimit fetar apo orientimit shoqëror e politik. Presidenti Nishani vlerësoi rolin e këtij forumi, si dhe duke iu referuar zhvillimeve dhe kërcënimeve aktuale, theksoi se për shkak të këtyre zhvillimeve, ky edicion merr një vlerë edhe më të veçantë.
Kreu i Shtetit theksoi ndër të tjera në fjalën e tij se marrëdhëniet ndërnjerëzore, me gjithë arritjet e paimagjinueshme në intesfikimin e komunikimit dhe të bashkëpunimit, si dhe në fushën e të drejtave të njeriut, po cënohen nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, populizmi, fuqizimi i rrymave anarkiste, si dhe shtoi se, “vëmendja kryesore e politikës dhe e shoqërive tona sot është tërësisht e përqendruar në gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit e koordinimit për një botë më të sigurt, si për shoqërinë aktuale ashtu edhe brezat që vijnë pas”.
Presidenti Nishani i njohu të pranishmit edhe mbi eksperiencën e veçantë të Shqipërisë, jo vetëm sa i përket pranisë së disa besimeve kryesore fetare, por për traditën e madhe e shumëshekullore të bashkëjetesës, harmonisë dhe respektit reciprok mes këtyre besimeve, duke i konsideruar si shtyllat e qëndrueshmërisë së shtetit dhe vlera të patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare në tërësi. Si shembull të tolerancës, por edhe dy institucioneve të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, atë të Besës dhe Mikpritjes, Presidenti Nishani përmendi për të pranishmit strehimin dhe mikpritjen që shqiptarët i ofruan gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë hebrenjve që ndjeheshin të kërcënuar në vende të tjera të Evropës.

Kreu i Shtetit duke përgëzuar praninë e përfaqësuesve të besimeve të ndryshme fetare në këtë takim, evidentoi edhe rolin e madh që luajnë komunitetet fetare dhe krerët e përfaqësuesit e tyre në Shqipëri për adresimin e fenomenit të terrorizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm, si dhe bashkëpunimit të strukturave shtetërore me këto komunitete për çkurajimin e elementëve të radikalizuar. “Krerët e bashkësive fetare në Shqipëri kanë kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të koordinuar në këtë drejtim dhe kanë dhënë një ndihmesë shumë të vyer për të gjithë shoqërinë shqiptare. Edhe prania e tyre sot këtu në Berlin, flet shumë. Për çështje të tilla madhore, ata janë gjithmonë bashkë e solidarë. Kjo duhet të na motivojë edhe ne politikanët për të ndërtuar struktura solide për të ardhmen e sigurt të brezave që do vijnë.” – theksoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit, gjatë vizitës në Berlin u takua edhe me Presidentin e Bundestagut, Dr. Norbet Lammert, të cilin e siguroi për vijimin me vendosmëri të procesit të reformave nga institucionet shqiptare, ku ndër më kryesoret mbetet zbatimi i reformës në drejtësi, Presidenti Nishani theksoi se, pavarësisht sfidave që po kalon BE, aktualisht Shqipëria beson fort dhe e konsideron integrimin në Bashkimin Evropian si një proces tejet të rëndësishëm për përmbushjen e standardeve më të mira evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Është shumë e rëndësishme që të mbahet procesi aktiv, pasi është mekanizmi më i mirë për të arritur standardet, por edhe për përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button