Një statistikë vrasëse në shoqërinë sadiste
Nga Aleksandër Çipa
Te ne janë vrarë pa gjakim, por me pasojë dhembje edhe për të ardhmen, shumë vlera njerëzore. Janë vrarë, gati pakthyeshëm, disa veçori dhe ndjenja universale, si për shembull: ndjeshmëria. Nuk duhen shumë prova, por po kapem pas një fakti, i cili pak ditë më parë u publikua dhe nuk mori atë vëmendje që do të merrte nga shoqëri e shtete të tjera.
“26 mijë e 790 fëmijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në këto dy vitet e fundit …” Kjo është një statistikë e UNICEF-it e publikuar në raportin e fundit periodik dhe e evidentuar së pari nga një OJF me emrin “Avokati i Rinisë”. Si lajm u përcoll pa vëmendje të posaçme edhe prej mediave tona. Më shumë qarkulloi si njoftim nëpër rrjetet sociale. Ndërkohë që edhe pse përcolla me vëmendje prej më tepër se pesë ditë publikimin e lajmit, nuk po vërej asnjë reagim institucional, qoftë pohues, qoftë mohues për këtë shifër fëmijësh shqiptarë nën moshën 17 vjeç që brenda dy vjetësh ka emigruar tashmë jashtë Shqipërisë. Kjo është shifër tronditëse. Në qoftë reale (çka e dyshoj personalisht), kjo meriton një stuhi reagimesh dhe lëvizjesh në të gjitha segmentet dhe strukturat e kësaj shoqërie. Rreth 27 mijë fëmijë shqiptarë janë shumë për një shtet që prej mbi 40 vjetësh nuk e kapërcen dot rritjen demografike të katër milionë banorësh(!).
Kjo shifër fëmijësh të larguar është më shumë se një vrasje demografike për shoqërinë dhe të ardhmen tonë. Kjo statistikë duhet konfirmuar. Në mos qoftë e vërtetë, publikuesit e saj le të përgjigjen për një publikim të rremë, i cili mbart qëllime dhe impakte negative. Por nëse rezulton real, atëherë kjo bombë nuk i adresohet vetëm politikës dhe sidomos qeverisjes, por një shoqërie që, pasi ka humbur drejtpeshimin me të tashmen, po tërheq zvarrë pakthyeshëm edhe të ardhmen.
Heshtja dhe sidomos injorimi i kësaj statistike është dëshmi e fortë e sadizmit të sotëm shoqëror dhe institucional. Në Shqipërinë e vogël, emigrimi i rreth 27 mijë fëmijëve është një spastrim demografik i pashembullt. Ai mund të krahasohet me gjëmën e një lufte, e cila, për shkak të bombardimeve shkakton spastrim etnik dhe zhvendosje fatale popullsie. Të tilla ka pasur në motet më të këqija të ekzistencës sonë historike. Shifra e publikuar nga UNICEF-i është e denjë për raportimet e luftës apo për gjendjet e jashtëzakonshme të pushtimeve agresore nga njëri shtet te shteti tjetër. Ne fatmirësisht asgjë e tillë nuk na ka ndodhur. Mirëpo mërgimet e të rinjve janë të përmasave të një spastrimi të vendit mesatarisht nga një qytet në dy vjet. A e kemi ne kaq përmasë sa të mos e ndiejmë dhe çmojmë këtë mërgim të gjeneratës sonë të ardhme në dimensione numerike sa një qytet?! Kurrë dhe kurrsesi!
Po e gjitha kjo logjikë mbetet për t’u varrosur në retorikën pa trazime. Koha dhe sidomos heshtja bizare për një lajm të tillë tronditës, rikonfirmon shtetin e pashpirt dhe sadist, sikundër edhe vetë shoqërinë e paaftë për të shkaktuar reagime dhe kryqëzime përgjegjësish. Ikjet e rinisë nga një vend e konvertojnë atë në një vis-azil për moshën e tretë dhe kategoritë e personave me aftësi të kufizuara. Kujt i intereson kjo?
Në Shqipërinë e 2016-s, statistikat reale po zyrtarizojnë vrasjen e shumëçkaje, duke mbërritur së pari te rreziku i mpakjes fizike të kombit dhe të prezencës njerëzore. Më tej rreshtohen të gjitha të tjerat dhe realiteti ikën prej mundësisë, për t’u konvertuar i gjithi në perspektivë reale fatale.
Rikthimi i vëmendjes dhe sidomos i reagimit për të parë e verifikuar këtë zbrazje të vendit nga mosha vitale, është arsyeja e munguar e syrit të vetëmbyllur për të mos mundësuar që e nesërmja si ditë të mos konvertohet në një errësirë mungese për të ardhmen. Në një vend që nis zbrazja fizike, ai mund të quhet atdhe, por ka ngjashmëri me varrezën. Nëse vijojmë kështu, atëherë atdheu ynë do të shndërrohet në varrezë, ku vdekja mbretëron, për shkak të ikjes së njerëzve, jo nga jeta, por nga visi.