Te ndryshme

Një vakt në restorantin më të mirë në botë

I vlerësuar me çmimin e parë në garën e 50 restoranteve më të mira në botë,El Celler de Can Roca ofron një përvojë të paharrueshme kulinare, për ata që janë gati të presin rreth një vit…

Kur pjata e parë në meny e ka emrin “bota”, kuptohet se hartuesit e saj po tregohen paksa ambiciozë. Megjithatë, ambicia pritet në një restorant, kur pretendohet gjerësisht si më i miri në planet.

Emri i restorantit është “El Celler de Can Roca”. Por si është e mundur të vihet bota në një pjatë? Përgjigjja vjen kur kamerierja hap një fanar të ri letre për të zbuluar pesë përbërësit e ushqimit, secili nga një shtet i ndryshëm.

Në të gjenden perime kineze, një burrito nga Meksika, shije aromatike të bajameve, trëndafilit, mjaltit dhe shafranit nga Maroku dhe një gjethe e mbushur rrushi për Turqinë.

Më udhëzojnë ta nis odisenë time epikuriane të ushqimit përgjatë 21 vakteve ushqimore të restoranteve përmes Koresë së Veriut: me një copë buke të skuqur, proshutë dhekimchi, që është një pjatë koreane me perime të fermentuara.

Për të ngrënë një vakt në këtë restorant spanjoll, duhet të qëndrosh në listën e pritjes për 11 muaj. Unë isha me fat të gjeja një tavolinë pas një anulimi në ditën e fundit përpara se restoranti të mbyllej për pushimin e verës.

Me vendndodhje 116 kilometra në veriperëndim të Barcelonës, në qytetin Girona, restoranti El Celler mori çmimin e parë në renditjen e 50 restoranteve më të mira në botë, një listë e hartuar nga një panel e ekspertëve globalë të industrisë. Restoranti ka gjithashtu tre yje Michelin, të fituar përgjatë 14 vjetëve.

Pronarët

Restoranti drejtohet nga tre vëllezërit Roka, të përkushtuar ndaj biznesit. Joani, më i madh, është shefi ekzekutiv, Josefi është kreu i gustimit të verës, ndërsa Jordi është shefi i pastiçerisë. Zhvillimi i El Celler, i ngadaltë dhe i qëndrueshëm shtrihet përgjatë 30 viteve.

Joani thotë se është një reflektim i thjeshtë i gatimeve që bënin dikur, por tani ata janë më të mirëpajisur. “Ne kemi një restorant të ri, një kuzhinë të re, por në fund të fundit ndjekim këtë ide për të joshur të ftuarit tanë me një mesazh të thjeshtë: ushqimi është gjuha që përdorim për të treguar histori”, thotë ai.

“Ne jemi këtu për të rrëfyer një histori rreth botës, nga Koreja e Jugut nëpër Mesdhe dhe që udhëton pas në kohë, në fëmijërinë tonë në Girona”.

Vëllezërit Roka e kaluan fëmijërinë në Can Roca, një restorant që ende drejtohet nga prindërit e tyre në periferi të qytetit. “Nëna ime është 74-vjeçare, ndërsa babai 81. Ata ende vazhdojnë të punojnë me pasion, gjë që është fantastike”, thotë Joan. “Besoj se shefat duhet të jenë në restorant, sepse të ftuarit vijnë në shtëpinë tonë”.

Kjo mund të merret edhe në kuptimin e parë, pasi Joani dhe familja e tij jetojnë mbi restorant.

Shije të pazakonta

Takimi me vëllezërit Roka është pjesë e eksperiencës së ushqimit të El Celler. Gjatë vizitës sime, Josefi endet nëpër restorant me një buzëqeshje dhe duke përshëndetur të ftuarit.

Të frymëzuar nga kuzhina tradicionale katalanase, ata i rikrijojnë ushqimet sipas një mënyre moderne dhe avangardë. Ka një element special dhe teatral në çdo pjatë, së bashku me dizenjon e sofistikuar.

Akullorja e ullinjve jeshilë është një vakt i pazakontë, ullinj që varen nga një pemë bonsai ullinjsh, shërbehen jo si një ëmbëlsirë, por si një antipastë e pjatës kryesore.

Disa figura në pjatë i shfaqin vëllezërit teksa luajnë në fëmijëri së bashku me disa tapas në miniaturë. Menyja në vetvete përmban përbërësit më të mirë të stinës, ku nuk lihet mënjanë peshku.

Ngjala e tymosur me qershi është një vakt i pazakontë, por shija është aq e mirë, saqë nuk mund të lësh gjë në pjatë. “Perimet e verës” është një pjatë delikate që përbëhet nga një mori shijesh xhelatinoze të perimeve dhe spërkatje shumëngjyrëshe të luleve dhe gjetheve.

Tri pjata të mrekullueshme mishi pasojnë dhe pikërisht kur mendon se nuk mund të ushqehesh më, është koha për ëmbëlsirën. Krijimet e Jordi Rokës janë aq të bukura, saqë të vjen keq t’i hash.

“Suspiro Limeno”, frymëzuar nga një ëmbëlsirë klasike peruane, është shumë freskuese. Në pjatën “Anarkia e Çokollatës” përfshihet çokollata e zezë në shumë lloje të ndryshme që të lënë pa frymë. Ëmbëlsira “Variacionet e Portokallisë”, të provokon kujtesën me aroma të ndryshme.

Joan Roka është në dijeni të kësaj ndjesie. “Restoranti kalon nëpër një tur, ashtu si një bandë rroku”, thotë ai. Vëllezërit Roka e quajnë veten udhëtarë gastronomikë. “Kuzhina jonë është vendase, por frymëzimi është botëror”, thotë Joan.

Udhëtimi është një pjesë e madhe e kërkimit të tyre për pjata të pazakonta. Në verën e këtij viti, restoranti u mbyll që 40 persona nga stafi i këtij restoranti të udhëtojnë në Argjentinë, SHBA dhe Turqi për të njohur shije të ndryshme kulinare.

Celler de Can Roca, i rihap dyert e tij për të ftuarit që janë për gati një vit në listën e pritjes, pikërisht më 14 shtator.

*Burimi: CNN.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button