Bota

Nusseibeh: Naive të besohet se lufta Hamas-Izrael do të mbarojë së shpejti

Profesori i filozofisë dhe ish-përfaqësuesi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Jeruzalem, Sari Nusseibeh thotë se pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor është bërë më e vështirë të besohet një bashkëjetesë paqësore mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe se do të ishte naive të besohej se lufta do të mbarojë së shpejti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-negociatori i kësaj organizate në bisedimet me Izraelin shpreh dyshimin se Hamasi mund të çrrënjoset plotësisht dhe se Izraeli duhet ta marrë parasysh një gjë të tillë. Gjatë bisedës, zoti Nusseibeh thotë se vazhdon të mendojë se zgjidhja më e mirë për konfliktin do të ishte ajo e krijimit të dy shteteve, megjithëse mendon se tani një mundësi e tillë mbetet edhe më e largët.

Zëri i Amerikës: Cila është pikëpamja juaj mbi gjendjen e tanishme në Lindjen e Mesme pas ngjarjeve të fundit atje?

Sari Nusseibeh: Sipas këndvështrimit tim, situata tani është shumë e vështirë dhe e rrezikshme.

Një situatë e dhimbshme që nuk jam i sigurt se do të na çojë diku. Mendoj se është një situatë katastrofike dhe shpresoj që në një fare mënyre njerëzit e arsyeshëm do ta kuptojnë këtë dhe do të mund të dalim paqësisht prej saj.

Zëri i Amerikës: Pas sulmit të 7 tetorit, ju keni thënë se “viktimë e kësaj tragjedie është ëndrra jonë për një të ardhme për të dy popullsitë”. Mendoni se gjendja e tanishme do t’i ndërgjegjësojë të dyja palët se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të bashkëjetojnë në atë pjesë të botës?

Sari Nusseibeh: Kam frikë se jo. Sepse përpara atij sulmi, ishte ende e mundur të mendohej në një mënyrë pozitive mbi aspektin e bashkëjetesës dhe të mendohej për të ardhme të mundshme. Pas sulmit, “shtegu ndarës” mes dy popujve u bë shumë më i gjerë.

E kam të vështirë të përfytyroj se izraelitët nga një anë dhe palestinezët nga ana tjetër, do të jenë në gjendje të shohin sërish mundësinë e bashkëjetesës në paqe me njëri-tjetrin. Gjithmonë ka qenë e vështirë të përfytyrohej një zgjidhje paqësore, por mendoj se tani kjo është bërë dhe më e vështirë. E kuptoj që shumë njerëz mund të mendojnë se kjo luftë paraqet një mundësi të re.

Por druhem se tani do të jetë më e vështirë dhe do të kërkojë shumë më tepër përpjekje dhe punë për të nxitur dhe një herë mbështetjen për një zgjidhje paqësore mes dy popujve.

Zëri i Amerikës: Profesor, cila mendoni se është zgjidhja për këtë gjendje; kohët e fundit shumë njerëz kanë nënvizuar sërish nevojën për zgjidhjen me dy shtete. Ju vetë keni shprehur idenë e një federate. A mund të na thoni më konkretisht se cila do të ishte, sipas mendimit tuaj, zgjidhja pas këtij konflikti?

Sari Nusseibeh: Para së gjithash, mendoj se në politikë nuk mund të vendoset paraprakisht se cila do ishte kjo zgjidhje, ndonëse në fakt shumë shpesh politika përcakton zgjidhjet.

Zgjidhja pothuajse e përkryer e propozuar rreth 40 vjet më parë si zgjidhja me dy shtete në kufijtë e vitit 1967 dukej dhe ende duket zgjidhje e përsosur dhe e arsyeshme, mbasi i jep secilës palë siguri, paqe, sovranitet dhe kështu me radhë. Mirëpo tani është bërë dhe më e vështirë të imagjinosh se kjo do të ndodhë në një periudhë të shpejtë kohore. Gjithsesi, unë besoj se është e rëndësishme për të dyja palët dhe për bashkësinë ndërkombëtare që të bëjnë më të mirën e tyre për të arritur te një zgjidhje e tillë, sepse në fakt, ajo është, siç mund ta dini, ndoshta zgjidhja më praktike, e cila të paktën u jep ose u shkakton dhimbjet më të vogla popujve të të dyja palëve. Por në gjendjen e tanishme, nëse kjo nuk ndodh, atëherë duhet menduar për zgjidhje të tjera.

Tani, edhe federata duket gjithnjë dhe gjithnjë e më shumë një lloj zgjidhjeje pozitive, sepse aty të dy popujt mund të kombinohen në një sistem të ngjashëm, ose pak a shumë në të njëjtin sistem.

Por dhe njëherë, të kesh një federatë midis një shteti palestinez dhe të Izraelit do të thotë të supozosh se populli i Izraelit dhe ai palestinez kanë mirëbesim apo të paktën tregohen tolerantë ndaj njeri-tjetrit, qëndrojnë pranë njeri-tjetrit, ose ushqejnë ndjenja të mira për njeri-tjetrin. Mirëpo, sot fatkeqësisht ne nuk e kemi fare një situatë të tillë. Kështu që ndoshta duhet vështruar përpara, duke menduar për një periudhë kohore drejt kësaj rruge, ndoshta 10, 20, 30 vjet, nuk e di. Deri atëherë do të jetë e mundur të bëhen përpjekje dhe të krijohet një situatë e tillë.

Zëri i Amerikës: A mund të na tregoni pak më shumë se cilat do të ishin linjat e përgjithshme të kësaj federate?

Sari Nusseibeh: Po, siç e dini, kur u propozua kjo mundësi për herë të parë, ideja ishte se ndonëse mund jetë përfytyruar një shtet palestinez përgjatë kufijve të vitit 1967 dhe shtetin e Izraelit ngjitur me të, megjithatë, mund të ketë shumë departamente shërbimesh, të përbashkëta për të dyja palët dhe për rrjedhojë, do të kishte sa më shumë departamente të kombinuara që të ishte e mundur. E kam fjalën, për shembull, le të marrim turizmin. Në këtë rast, të dyja palët mund të kenë një agjenci ose departament të përbashkët për turizmin. Nuk ka pse ato të jenë veçmas.

Në fakt ka shumë aspekte të tilla për të cilat mund të veprohet. Shembull tjetër është shëndetësia. Prandaj, nëse tani hedhim vështrimin përpara dhe shohim se si do të ecin gjërat, në një moment të caktuar mund të jetë e nevojshme të mendohet për një federatë me dy shtete, të cilat nuk do të jenë dhe aq të ndara përgjatë kufijve të vitit 1967. Kësisoj, mund të mendohet ose përfytyrohet një federatë me dy shtete, secili prej tyre i vendosur ose i përbërë nga qendra të mëdha popullate, të cilat i përkasin një grupimi të veçantë.

Në fakt, kjo ide është shumë më komplekse dhe nëse do të parashtrohet tani ajo ndoshta do të hasë në shumë kundërshtime, por ndoshta do të vijë koha kur kjo do të ndodhë, domethënë, të dy popujt mund të ndahen veç e veç mbi atë bazë dhe pastaj të bashkohen në një federatë sërish në kuptimin e shërbimeve, ose të shërbimeve të kombinuara. Në matematikë, nëse ke një problem, mund të gjesh menjëherë një përgjigje, dhe një zgjidhje.

Ndërsa në politikë, për fat të keq, nuk ndodh kështu. Aty nuk ka zgjidhje të përsosura. Dhe çdo ditë ndodhin gjëra për të cilat është e nevojshme që të vazhdojmë të mendojmë në mënyrë krijuese për hapin e madh se si të arrijmë situatën më të mirë, që të kemi paqe dhe ku të mund të trajtojmë shqetësimet e palëve në fjalë. Pra, të trajtohen çështjet e lirisë, drejtësisë dhe kështu me radhë. Kjo është e domosdoshme për arritjen e çdo lloj zgjidhjeje.

Zëri i Amerikës: Le të flasim për një të ardhme më të afërt, atë pas konfliktit. Kush mendoni se do të drejtojë palestinezët kur të mbarojë konflikti dhe cili mendoni se do të jetë roli i Autoritetit Palestinez?

Sari Nusseibeh: Më lejoni t’ju them se nuk shoh që konflikti të jetë duke shkuar drejt fundit, siç thatë ju. Në këtë kuptim, nuk shoh dot të nesërmen pas konfliktit, ku do të ketë një situatë të qendrueshme dhe ku njëri autoritet apo tjetri do të marrë drejtimin. Mendoj se do të jetë një situatë e paqendrueshme. Dhe në një situatë të paqendrueshme, mendoj se gjëja më e rëndësishme është që të ketë sa më shumë qendrueshmëri që të jetë e mundur. Dhe në këtë kontekst, duke u kthyer te pyetja juaj mbi Autoritetin Palestinez, besoj se ai, me gjasë, duhet të mbetet, për hir të qendrueshmërisë atje dhe në rajon. Duke patur parasysh se Autoriteti Palestinez ka shumë mangësi dhe probleme, të cilat kanë ekzistuar edhe përpara luftës, mendoj se ndoshta duhen bërë më shumë përmirësime në mënyrë që më vonë ta ketë gjendjen në kontroll. Sa i përket Gazës, është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë. Në një fare mënyre, nuk e shoh Hamasin që të largohet nga skena. Lufta e tanishme është e qartë, izraelitët, si të thuash, duan ta shuajnë Hamasin nga faqja e dheut. Megjithatë, nuk jam i sigurtë nëse kjo do të ndodhë. Dhe nëse nuk ndodh, atëherë kjo duhet marrë parasysh, i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt një gjë e tillë.

Me fjalë të tjera, e kuptoj që shumë njerëz po mendojnë për ditën pas mbarimit të luftës dhe për modalitetet, organizimet e me rradhë, por ndihem i brengosur se mund të jetë pak naive të mendohet që tani për atë ditë.

Mendoj se gjendja në fakt do jetë shumë më e vështirë për t’u mbajtur nën kontroll. Besoj se nga njëra anë, Izraeli do të këmbëngulë të kontrollojë sa më shumë të mundet dhe për aq kohë sa të mundet në vijim pas sulmit të 7 tetorit. Është logjikë e natyrshme që të synojë të kontrollojë më shumë nga sa kontrollonte më parë.

Pra, të them të vërtetën nuk jam shumë i sigurt për të ardhmen. Në të kaluarën i thoja vetes se mund ta shihja të ardhmen. Ndërsa tani i them vetes se e ardhmja duket shumë e mjegullt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button