OCCRP: “Diella”, ministrja virtuale kundër korrupsionit, u krijua nga një agjenci nën hetim për tenderë të manipuluar dhe bashkëpunim me grup kriminal
Premtimi i qeverisë shqiptare se inteligjenca artificiale do të përdoret për të pastruar tenderët publikë nga korrupsioni përballet me një paradoks serioz: agjencia shtetërore që krijoi “Diellën”, ministren virtuale të qeverisë Rama, është vetë në qendër të një hetimi të gjerë penal për manipulim tenderësh, bashkëpunim me një organizatë kriminale dhe ryshfete.
Kjo është tema e një investigimi të ri të Organized Crime and Corruption Reporting Project – OCCRP, një nga organizatat më të njohura ndërkombëtare të gazetarisë investigative për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shkrimi lidh për herë të parë në mënyrë të gjerë skandalin e AKSHI-t, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, me kredibilitetin e projektit “Diella”, të cilin qeveria shqiptare e ka paraqitur si instrument për eliminimin e korrupsionit në prokurimet publike.
Sipas OCCRP-së, drejtues të AKSHI-t dyshohen nga SPAK se kanë manipuluar tenderë në favor të një grupi kriminal që kishte arritur të siguronte akses të privilegjuar në kontratat e agjencisë.
Në një vendim gjykate të cituar nga investigimi, drejtuesja dhe zëvendësdrejtuesja e agjencisë akuzohen për shkelje të rregullave të prokurimeve dhe bashkëpunim me një organizatë kriminale. Prokurorët pretendojnë se ryshfetet përfshinin edhe kuti vere të mbushura me para.
Dy pronarë kompanish të teknologjisë së informacionit janë gjithashtu nën akuzë në këtë çështje. Njëri prej tyre u arrestua muajin e kaluar në Francë, ku, sipas OCCRP-së, rezultoi se zotëronte edhe një kështjellë.
Hetimi ka prekur edhe policinë shqiptare. Zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës është pezulluar nga detyra, ndërsa hetohet për dyshime se ka mbuluar ose bashkëpunuar me aktivitetet e paligjshme të grupit.
Në total, autoritetet kanë urdhëruar sekuestrimin e më shumë se 40 milionë eurove pasuri, përfshirë prona, automjete, llogari bankare dhe para të gatshme të lidhura me skemën e dyshuar. OCCRP thekson se hetimi vazhdon dhe personat e përfshirë nuk janë ende të dënuar nga një gjykatë.
Vetë zhvillimi i Diellës nuk ka qenë pjesë e tenderëve që SPAK dyshon se janë manipuluar. Por pikërisht këtu qëndron problemi që ngre investigimi ndërkombëtar.
Qeveria shqiptare e ka paraqitur Diellën si një mekanizëm që duhet të mbikëqyrë tenderët, të analizojë ofertat dhe të ndihmojë që prokurimet publike të bëhen “100 për qind pa korrupsion”. Por sistemi është krijuar dhe do të administrohet nga një strukturë, drejtuesit e së cilës ndodhen nën hetim pikërisht për korrupsion në prokurime.
Ekspertët e intervistuar nga OCCRP paralajmërojnë se inteligjenca artificiale nuk është automatikisht neutrale.
Eksperti i transformimit digjital Erjon Curraj thekson se edhe sistemi më i avancuar i inteligjencës artificiale varet nga njerëzit që e ndërtojnë, e ushqejnë me të dhëna, e mirëmbajnë dhe verifikojnë rezultatet e tij. Pyetja kryesore, sipas tij, është se kush kontrollon të dhënat dhe kush garanton integritetin e tyre.
Një tjetër ekspert, Bojan Perkov i SHARE Foundation, argumenton se korrupsioni nuk mund të eliminohet përmes një “teknologjie magjike” dhe se njoftimet spektakolare për përdorimin e inteligjencës artificiale shpesh rrezikojnë të shërbejnë më shumë si propagandë politike sesa si reformë institucionale.
Investigimi i OCCRP sjell edhe hollësi të forta nga dosja e AKSHI-t.
Në gusht 2025, sipërmarrësi shqiptar i teknologjisë Gerond Meçe u mor me forcë nga persona që përdorën një automjet të pajisur me sirenë policie dhe një person të veshur me uniformë që u paraqit si përfaqësues i SPAK-ut.
Meçe tregoi më pas se iu vendos një kapuç në kokë dhe u kërcënua me vdekje nëse nuk tërhiqte ankesat që kompania e tij kishte paraqitur kundër më shumë se një duzine tenderësh të AKSHI-t.
Sipas SPAK-ut, rrëmbimi dyshohet se ishte organizuar nga i njëjti grup kriminal që përfitonte nga skema e tenderëve. Pasi Meçe pranoi të tërhiqte ankesat, ai u lirua. Hetimi për këtë episod vazhdon dhe çështja ende nuk ka kaluar për gjykim.
OCCRP ndalet gjithashtu te mënyra sesi funksionon digjitalizimi i shërbimeve publike shqiptare. Rreth 95 për qind e shërbimeve shtetërore ofrohen tashmë vetëm online, por një pjesë e qytetarëve, veçanërisht të moshuarit dhe personat që nuk zotërojnë teknologjinë, janë detyruar t’u drejtohen ndërmjetësve privatë për shërbime që në teori janë falas.
Investigimi sjell rastin e një pensionisti që paguan rreth 12 dollarë në një dyqan privat vetëm për të marrë të printuar një certifikatë familjare që shteti e ofron falas në internet.
Në këtë mënyrë, sipas OCCRP-së, digjitalizimi që synon të eliminojë ndërmjetësin burokratik ka krijuar në disa raste një kategori të re ndërmjetësish privatë.
Diella u krijua fillimisht nga AKSHI në janar 2025 si asistente virtuale për portalin e-Albania. Në shtator të atij viti Rama e ngriti atë simbolikisht në statusin e “ministres”, me detyrën e deklaruar për të luftuar korrupsionin në prokurimet publike.
Qeveria ka thënë se Diella do të analizojë tenderët dhe se procesi do të jetë plotësisht i auditueshëm, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrin gjithmonë zyrtarët njerëzorë.
Por OCCRP vëren se ende mungojnë hollësi të qarta për mënyrën se si algoritmi do të marrë, përpunojë dhe vlerësojë informacionin.
Një analizë e Institutit të Bashkimit Evropian për Studimet e Sigurisë paralajmëron se, pa mekanizma të qartë kontrolli dhe gjurmueshmërie, përdorimi i Diellës mund të shtojë një shtresë tjetër paqartësie në qeverisje në vend që ta reduktojë atë.
Projektit i është shtuar ndërkohë edhe një problem tjetër ligjor.
Aktorja Anila Bisha, fytyra dhe zëri i së cilës janë përdorur për krijimin e Diellës, ka ngritur në prill një padi kundër qeverisë. Ajo pretendon se kishte dhënë pëlqimin që imazhi i saj të përdorej për një asistente virtuale të shërbimeve publike, por jo që personazhi të shndërrohej në figurë politike të kabinetit qeveritar. Qeveria e kundërshton pretendimin.
Rëndësia e investigimit të OCCRP-së qëndron pikërisht te kontradikta që ai nxjerr në pah: Shqipëria po propozon përdorimin e inteligjencës artificiale si zgjidhje për korrupsionin në tenderë, ndërkohë që institucioni që krijoi këtë teknologji ndodhet nën një nga hetimet më serioze për korrupsion në tenderët publikë.
Çështja merr peshë të veçantë edhe për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. OCCRP kujton se Brukseli vazhdon ta konsiderojë korrupsionin në sektorin publik një problem serioz për Shqipërinë dhe se përparimi në këtë fushë është një nga kushtet kryesore të integrimit evropian.
AKSHI, qeveria shqiptare dhe Zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigjën pyetjeve të OCCRP-së për investigimin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.