Opozita dhe kultura e improvizimit!
Ka disa arësye që të bëjnë të besosh se opozita shqiptare, e tregoi se do të vazhdojë të mbështetet si deri dje, në kulturën politike të improvizimit edhe gjatë këtij viti elektoral. Sepse që në ditën e parë, të nisjes së vitit të ri parlamentar dhe politik, dha provat e para për këtë.
Këto “pak” indikacione që na dha, mjaftojnë për të kuptuar, se në synimin e saj për të fituar zgjedhjet e përgjithëshme lokale të qershorit të ardhshëm, ajo nuk do të bazohet tek kultura e planifikimit. Çka përbën në realitet edhe premisën numër një, për arritjen e një fitoreje të mundshme, në ditën e votimit.
Ku e tregoi PD dhe LSI të hënën e 3 shtatorit, se ajo improvizoi që në ditën e parë të fillimit të sesionit të ri Parlamentar?
E para, sepse vendimi për ta zhvendosur prezencën fizike të dy grupeve të tyre parlamentare, jo në sallën e seancave plenare të Kuvendit pas ish- godinës së SHQUP, por dhjetra kilometra më tutje, në qytetin e Shkodrës mësohet se ishte një vendim i marë jo kohë më parë, por si një nevojë politike e ditës.
E dyta, sepse edhe pasi shkuan në kryeqendrën e veriut, për shkak se kohët e fundit ajo është tronditur nga disa vrasje mafioze ende pa autorë, treguan se ishin të papërgatitur politikisht. Ndaj, edhe atje improvizuan. Sepse, ska se si të shpjegohet ndryshe fakti që përtej fjalëve të përgjithshme të një retorike “të zakonshme”, nuk u tha asgjë e re dhe konkrete ku të përmendeshin me prova konkrete, me emra dhe mbiemra të përveçëm, duke ia vërtetuar publikut shqiptar LIVE të gjitha ato që ajo pretendon: lidhjet e krimit me qeverinë dhe me policinë e shtetit.
E treta, në përfundim të takimit “të jashtëzakonshëm” në Shkodër liderët e PD dhe LSI deklaruan se do ta shpalosin platformën e tyre “për çlirimin e qeverisë nga krimi”, pas… 10 ditësh?! Një tjetër provë kjo se gjithçka ishte e improvizuar dhe aspak e menduar. Sepse nëse do ishte shpalosur pas takimit, opozita do të tregonte se kishte vrarë mendjen dhe kishte bërë një gjetje. Duke na ofruar një nismë të menduar politike, si një provë për ta nisur ndryshe dhe fort, betejën e saj politike “për jetë a vdekje” me qeverinë, për fitoren e ardhshme elektorale.
E katërta, një nga vendimet e pakta që u morën në përfundim të takimit të Shkodrës, ishte se grupet e PD e LSI nuk do të mernin pjesë rregullisht nëpër mbledhjet e komisioneve parlamentare. Pra një lloj gjysëm bojkoti, ose e thënë ndryshe një lloj “gjysma gjeli” politik. Tjetër tregues i një kulture improvizimi, po të kemi parasysh se kjo qasje e opozitës nuk është aspak e re në veprimtarinë e saj parlamentare të këtyre 5 viteve të fundit. Përkundrazi. Eshtë thjeshtë mënyra sesi ajo ka funksionuar në vijimësi, si një vijë sjellje konstante politike në Kuvend.
Këto dhe detaje të tjera, të shtyjnë të kuptosh se ideja e një takimi në Shkodër dhe jo në sallën e Parlamentit, ishte e goditur nga ana e formës. Por, e gjitha rezultoi një shfaqje e improvizuar kur erdhi puna tek pjesa e përmbajtjes. E si çdo improvizim, sado talent që të kesh, diku- dikur do të çalojë. E mbi të gjitha kjo të bën të mos dukesh profesionit, që e bazon të gjithë shfaqjen përpara publikut tënd, mbi një skenar të mirëmenduar.
E ta medosh që kjo ndodhi në premierën e sezonit të ri parlamentar. Imagjinoni se ku mund të të çojë kultura e improvizimit, deri në fund të tij: Në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme lokale, të qershorit 2019