Opozita e pavendosur për Kuvendin
Mediu e Ndoka pohojnë se me PD nuk kanë biseduar për bojkot apo pjesëmarrje
NGA HERION MESI
Kur kanë mbetur vetëm pesë ditë nga nisja e sesionit të ri parlamentar, opozita ende nuk ka vendosur përfundimisht se cili do të jetë qëndrimi i saj lidhur me marrëdhënien e krijuar me Parlamentin, si shkak i konfliktit fizik të dy muajve më parë mes deputetëve socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu me demokratin Gent Strazimiri. Kjo, për shkak se deri më tani nuk ka asnjë thirrje për ndonjë takim paraprak nga kreu i Partisë më të madhe të opozitës, asaj Demokratike, Lulzim Basha. Për dy aleatët e Bashës në opozitë, Fatmir Mediu i PR-së dhe Nard Ndoka i PDK-së, gjithçka do të vendoset në momentin e fundit. Por ndryshe nga Mediu, Ndoka thekson se pavarësisht vendimit që do të merret nga aleatët, ai do të jetë i pranishëm në Kuvend, ashtu siç bëri edhe kur PD-ja shpalli bojkotin parlamentar. Ndërsa, kreu i republikanëve thekson se me nisjen e punimeve parlamentare do të vijë edhe qëndrimi zyrtar jo vetëm i PD-së, por edhe i aleatëve të saj. Në një prononcim dhënë dje për gazetën “Shqip”, dy krerët e partive aleate theksuan gjithashtu, se pavarësisht thirrjes së Shoqata të Komunave të djathta për të marrë pjesë në diskutimet që do të nisin javën e ardhshme në Kuvend për reformën administrativo-territoriale pas kthimit të saj nga Presidenti i Republikës, opozita nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap konkret për këtë propozim të ri të vendorëve. Ndërkohë, i njëjti pohim vjen edhe nga burime brenda grupit parlamentar demokrat, të cilët konfirmojnë se kryetari i tyre, Lulzim Basha, nuk ka thirrur ndonjë mbledhje jashtë radhe me grupin e deputetëve demokratë, për të vendosur për qëndrimin zyrtar që do të mbajë PD-ja me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Republikanët
Për republikanët, gjithçka do të vendoset në momentet e fundit. Opozita do të dalë me një deklaratë të përbashkët, ku do të bëhen me dije edhe qëndrimet e së djathtës parlamentare. I pyetur nga gazeta “Shqip” lidhur me qëndrimin që do të ketë opozita ndaj Kuvendit, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, theksoi se gjithçka do të konkretizohet me fillimin e punimeve parlamentare javën e ardhshme. Ndërsa, theksoi se kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ende nuk ka vendosur për ndonjë tryezë me aleatët që do i paraprijë një vendimmarrjeje të momentit të fundit. “Deri më tani nuk ka asnjë njoftim apo ndonjë ftesë për zhvillimin e ndonjë takimi mes partive aleate në koalicionin opozitar për çështjen e marrëdhënies sonë me Parlamentin. Besoj se me nisjen e punimeve parlamentare, opozita do të shikojë dhe pozicionin e saj, ku pritet të dalë me një qëndrim të unifikuar, i cili patjetër që do të bëhet publik në momentin që do të vendoset”, u shpreh Mediu.
Demokristianët
Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, duke theksuar faktin se nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë tryezë të përbashkët, u shpreh dje për gazetën “Shqip”, se ai do të vijojë ta ndjekë nga afër Parlamentin, dhe për këtë u bëri apel kolegëve të tij opozitarë që të jenë të pranishëm në Kuvend jo vetëm në seancën e parë plenare. “Qëndrimi im ndaj Kuvendit të Shqipërisë ka qenë gjithmonë konstant, dhe ashtu si në javët e fundit të tij, unë do të vijoj të jem i pranishëm si në komisionet parlamentare ashtu edhe në seancat plenare, pavarësisht bojkotit të shpallur nga kolegët e PD-së. Mendoj se opozita duhet të jetë në Kuvend për të shprehur qëndrimin e saj ndaj problemeve të ndryshme. Për sa i përket pyetjes suaj, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për organizimin e një takimi mes aleatëve, por me sa kuptoj asgjë nuk duket se ka ndryshuar në qëndrimin e PD-së. Gjithsesi, ka ende ditë përpara, dhe mbase tryeza organizohet gjatë kësaj kohe”, u shpreh Ndoka. Ndërsa i pyetur lidhur me apelin e bërë nga Shoqata e Komunave për pjesëmarrjen e opozitës në diskutimet për reformën administrativo-territoriale, kreu i PDK-së pohoi se nuk ka ndonjë sinjal për pjesëmarrje nga partia më e madhe e opozitës. “Nuk shikoj ndonjë dritë jeshile në qëndrimin e tyre, pasi duhet të ketë dhe një ftesë nga mazhoranca lidhur me këtë çështje. Por besoj se gjatë këtyre ditëve, këto çështje do të jenë pjesë e axhendës së punës së opozitës, në mënyrë që dhe ajo të ketë një zë të sajin në këtë proces”, tha kreu i PDK-së, Nard Ndoka.
Mediu
“Deri më tani nuk ka asnjë njoftim për zhvillimin e ndonjë takimi mes partive aleate në koalicionin opozitar për çështjen e marrëdhënies sonë me Parlamentin”
Ndoka
“Unë do të vijoj të jem i pranishëm si në komisionet parlamentare ashtu edhe në seancat plenare, pavarësisht bojkotit të shpallur nga kolegët e PD-së”
Paloka
“Qëndrimi ynë ndaj Parlamentit nuk ka ndryshuar. Me porosi edhe të kryetarit të PD-së, nuk do të marrim pjesë në asnjë aktivitet të Parlamentit dhe të Metës”
Sesioni i ri
Të hënën, Kuvendi çel punimet e tij
Sesioni i ri parlamentar nis të hënën, me një seancë plenare, e cila do të hapet pasditen e 1 shtatorit me fjalën e kryeparlamentarit Ilir Meta. Pavarësisht vendimit të së djathtës, muaji i ardhshëm pritet të shoqërohet me një sërë zhvillimesh politike, ku mazhoranca do të shprehë qëndrimin e saj zyrtar lidhur me dekretet e Presidentit Nishani, i cili i ka kthyer Kuvendit një sërë projektligjesh të rëndësishme për reformat e shpallura nga socialistët. Kështu, në ditët e para të punimeve të tij, Kuvendi do të shqyrtojë dekretin për ligjin për ndarjen e re territoriale të vendit, ligjin për Shkollën e Magjistraturës, si dhe tri ligjet me shumicë të cilësuar votash, që Nishani i dekretoi brenda ditës, duke thelluar akoma më tej marrëdhëniet institucionale me mazhorancën e majtë. Bëhet fjalë për dekretet e 15 gushtit, ku Nishani ktheu mbrapsht ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Policinë e Shtetit dhe Gjykatën Administrative, me argumentimin se ato bien në kundërshtim me Kushtetutën.