Kronika

Opozita kerkon do arrestimin e Erjon Veliajt për korrupsion

Arrestimi i drejtorëve të bashkisë së Tiranës nuk mjafton për opozitën, që kërkon arrestimin e Erjon Veliajt për vjedhjen spektakolare të parave të taksave të qytetarëve.

Në protestën e thirrur nga Aleanca për Teatrin ishin thuajse të gjithë personazhet e opozitës, përveç Sali Berishës që është në arrest shtëpie dhe përveç grupimit të Lulzim Bashës, që me PD-në e tij të vulës nuk iu përgjigj thirrjes për protestë.

Një rol më specifik në protestë patën këshilltarët bashkiakë të opozitës.

Ata kërkuan që dyert e bashkisë të hapeshin për qytetarët, në mënyrë që të gjithë të futeshin brenda për një mbledhje urgjente të këshillit bashkiak.

Në fillim Ilir Alimehmeti, më pas Dorjan Teliti dhe të tjerë hynë me vështirësi në bashki, mes një situate të tensionuar ku pati përplasje mes protestuesve dhe policëve të bashkisë.

Kërkesa e këshilltarëve bashkiakë ishte e thjeshtë; zhvillimi i një mbledhjeje për të folur për transparencën mbi skandalin që përfshiu drejtorët e bashkisë me kompaninë “5D”, nxjerrjen e përgjegjësive dhe dhënien e llogarisë për këtë aferë.

“Në këtë gjendje ndodhemi, pra në një situatë kur ai (Erjon Veliaj) mendon si për veten e tij, që ka frikë të dalë apo të hyjë në këtë bashki. Ne thjesht po hyjmë në institucionin tonë, po hyjmë në godinën e qytetarëve si përfaqësues të tyreu shpreh Alimehmeti që në fillim u pengua nga policia për të hyrë brenda në godinë.

Mungonte në protestë kreu i këshilltarëve të bashkisë së Tiranës, Indrit Brahimllari.

Një nga njerëzit më këmbëngulës në denoncimin e drejtorëve të bashkisë, që çoi më pas edhe në nisjen e hetimit është Belind Këlliçi. Gjatë protestës, Këlliçi tha se Erjon Veliaj duhet të ishte në burg jo vetëm për vjedhjen e drejtorëve, por edhe për inceneratorin e Tiranës.

“Erion Veliaj iu ka vjedhur qytetarëve të Tiranës 130 milionë euro taksa për inceneratorin që nuk ekziston”, tha Këlliçi në fjalën e tij.

Si ish-kandidat për Tiranën, Këlliçi kujtoi se të njëjtët drejtorë të përfshirë në vjedhjen galopante me tendera, ishin edhe njerëzit kyçë të Veliajt në shtabin elektoral të Partisë Socialiste për Tiranën.

“I bëj thirrje nga këtu Erion Veliajt – arrestohesh apo jo, ky nuk është problemi ynë. Largohu një orë e më parë nga zyra e kryetarit të bashkisë dhe çliro Bashkinë e Tiranës! Ti hajdut i pronave publike të qytetarëve të Tiranës. Ti bandit i taksave të qytetarëve të Tiranës. Ti, i cili me bandën tënde, me organizatën tënde kriminale ‘5D’ terrorizove qytetarët e Tiranës në 14 maj. Ku e ke sot shefin e shtabit elektoral që vodhe në 14 maj votat?

Ku e ke Taulant Tushën?

Ku e ke të deleguarin politik në njësinë 4, Mariglen Qaton, që nuk ka lënë qytetar pa gjobitur? Ku e ke sot të dërguarin në njësinë nr 1, Redi Mollën? Ku do e kesh shumë shpejt Herion Rrapajn e Kombinatit që nuk ka lënë asfalt elektoral pa shtruar në Tiranë pa vjedhur qytetarët? Ku i ke banditët e tu, kryetaren e Partisë Socialiste në Laprakë, Eglantina Zëren? Ku e ke? Pse nuk dilni këtu?” ishte thirrja e Këlliçit në protestë.

Në protestë ishin edhe deputetët e opozitës të Rithemelimit. Edhe këta kërkuan dorëheqjen e Erjon Veliajt si njeriu përgjegjës për grabitjen e dhjetëra miliona eurove nga drejtorët.

“Veliaj nuk do të duhet që të ishte në zyrën e kryetarit të bashkisë, por të shoqëronte pesë vartësit e tij në burg. Ky nuk është një rast i shkëputur dhe është e njëjtë skemë e përdorur nga drejtuesi i ARRSH dhe është në çdo bashki të vendit që drejtohet nga socialistët” tha Gazment Bardhi që iu bashkua protestuesve.

Kur institucioni nisi të rrethohej nga një kordon policor, qytetarët kanë qëlluar me mollë dhe vezë në drejtim të mureve dhe të hyrjes kryesore. Mesazhi me mollët është ironik. Risjell shprehjen me të cilën kryeministri Rama shfajësohet sa herë një bashkëpuntor i tij kapet duke vjedhur dhe që siç thotë Rama “ka ngrënë mollë pas shpinës time”.

Të njëjtën filozofi dredharake ka përqafuar edhe Erjon Veliaj në rastin e drejtorëve, që po tenton t’ia hedhë duke përfituar edhe nga fakti se prokurorët e SPAK për momentin janë kufizuar në hetime.

Mesazhi me mollët nuk u la me kaq, edhe pse një nga drejtorët që gllabëronin paratë e taksave me tendera të trukuar kishte të njëjtin mbiemër. Foto më poshtë:

Protestës iu bashkua edhe Argita Berisha, vajza e liderit të opozitës që po qëndron në arrest shtëpie, edhe pse për të nuk ka asnjë akuzë konkrete.

E veshur me një bluzë ku shfaqej Sali Berisha, vajza përcolli mesazhin përmes mesazhit ku shkruhej “Lironi liderin e opozitës”.

Mesazhin nga Partia e Lirisë, e përcolli kreu i saj Ilir Meta. Në një moment gjatë fjalimit, ai mori pranë tij Nënë Lizën, gruan që u bë simbol i protestave kundër prishjes së shtëpive nga Bashkia e Tiranës në lagjen “5 Maji” duke i premtuar se një ditë do të jetë ajo që do të ulet në karrigen e bashkisë.

“Erdhi ora t’i përzëmë! Sali Berisha është i lirë sepse është në zemrat e të gjithë atyre njerëzve që kanë dinjitet. I bëjmë thirrje qytetarëve të ngrihen, se kur ngrihet populli, bie tirania. Këtë bashki do ia kthejmë qytetarëve të Tiranës shumë shpejt” ishte thirrja e Metës.

Presioni është i fortë ndaj Erion Veliajt në këto momente. Me goditjen që i dha SPAK, e ka rrënuar imazhin e politikanit që sjell një frymë të re në qeverisjen socialiste dhe që nuk i ka duart pis me krimin dhe korrupsionin. Për më tepër që afera e drejtorëve të bashkisë vjen pas asaj të inceneratorit të Tiranës, të cilën në një mënyrë apo tjetër, Veliaj kishte arritur t’i bënte bisht.

Mbetet për t’u parë nëse do t’ia hedhë edhe kësaj radhe, por e rëndësishme është edhe si do të reagojë kryeministri Rama. A do ta lëshojë Veliajn në gojën SPAK? Apo do vazhdojë ta mbajë pranë, si një rrezik i neutralizuar, nga dosja e korrupsionit në SPAK?

Vetë Veliaj, vazhdon të organizojë ceremoni më paratë e bashkisë, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Pas asaj që e quajti një “anomali” në shëndetin e organizatës, këtë të premte ishte në një ceremoni për Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “TIRANA 2024”.

Por ndërsa kryetari i bashkisë ngrinte lart imazhin e Shqipërisë, në dyert e SPAK njëri pas tjetrit u paraqitën disa drejtorë të bashkisë që nuk u arrestuan por u lanë në “detyrim paraqitje” për vjedhjen me tenderat. Çdo të premte ata duhet të paraqiten para oficerëve të BKH për të provuar se nuk janë arratisur, por vazhdojnë të qëndrojnë në Shqipëri në dispozicion të hetimeve që mund t’i çojë shumë shpejt pas hekurave./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button