Kronika

U dhunua barbarisht në 1997-ën, ndahet nga jeta gazetari i njohur i kronikës Zamir Dule

Ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare, gazetari veteran i kronikës së zezë, Zamir Dule. Zemra e tij pushoi së rrahuri pas një operacioni në zemër, në një nga spitalet private të kryeqytetit.

Lajmin e trishtë për ndarjen e tij nga jeta e kanë bërë me dije vetë familjarët e gazetarit, ndërkohë disa ditë më parë Unioni i Gazetarëve Shqiptarë bënë thirrje për ndihmë ndaj Zamir Dules. Ai prej ditësh vijonte të ishte i shtruar në spital në gjendje  të rëndë shëndetësore, pasi vuante nga problemet e zemrës.

Kujtojmë se Dule ishte gazetar gjatë vitit 1997, kur u masakrua nga pushteti i kohës dhe prej asaj kohe ai ka pasur probleme të vazhdueshme shëndetësore. Që atëherë, gazetari i njohur i kronikës së zezë u shndërua në invalid të shëndetit mendor dhe ka jetuar në fshatin e tij në kushte të mjera ekonomike.

Dule do të përcillet ditën e sotme për në banesën e fundit, në fshatin e tij të lidnjes, Miras në Korçë.

Jeta e gazetarit Zamir Dule ka qenë një dramë më vete dhe do të duhej një roman voluminoz për ta përshkruar. Ai në shkollë të mesme shfaqi talentin poetik, të cilin më pas e “konvertoi’ në gazetari. Pas shkrimeve të para në gazetën “Zëri i Rinisë”me prirje të veçanta në zhanret e kronikës, filloi korrespondent i gazetës “Koha Jonë” për Qarkun e Korçës. Në vitin 1994, duke i vlerësuar aftësitë dhe përkushtimin, botuesi Nikollë Lesi e afroi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën.

Në kulmin e tij, deri afërsisht në vitin 1996, atëhere kur shkroi edhe librin “Përbindëshi i Tropojës’” Zamir Dule u bë simbol i gazetarit të kronikës së zezë. Aq sakrifikonte për profesionin e tij, sa në një moment të karrierës, me synim që të zotëronte lajmet më të bujshme dhe në kohë të shpejtë nga Tirana dhe i gjithë vendi, bëri një “pakt me djallin”.

Këtu filloi kalvari i vuajtjeve të Zamir Dules, i cili nën presionin e përndjekjeve nisi të shfaqte probleme psikologjike. Për të cilat kishte ndikuar nga ana tjetër edhe vrasja e një prej vëllezërve të tij. Kulmin këto tortuara, e arritën natën e kobshme të djegies së redaksisë të gazetës “Koha Jonë” në fillim marsin e vitit 1997.

Asokohe, disa prej gazetarëve, një pjesë e stafit dhe truprojat e botuesit Nikollë Lesi strehoheshin për fjetje në katin e nëndheshëm të redaksisë. Natën kur u sulmua godina e redaksisë, Zamir Dule  ishte i vetmi që ndodhej në redaksi pas mesnate së bashku me një punonjës tjetër të gazetës pasi ishte fundjavë dhe të gjithë që strehoheshin në dhomat e poshtme ishin larguar me leje.

Zamir Dule u shoqërua në polici ku u torturua, tortura këto që u vunë kapak përndjekjeve të tmerrshme ndaj tij. Ai nuk e mori më veten profesionalisht, por edhe nga shëndeti mendor dhe hija e përndjekjes që nuk i ndahej. Qeveria e kryeministrit të kohës Fatos Nano i akordoi gazetarit Zamir Dule pension special, në shenjë vlerësimi për punën në kushte të përndjekjes dhe sidomos për torturimin e tij nga struktura policore.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button