Ekonomia

Padoan raporton në FMN: Shqipëria do përshpejtojë rritjen, por mbetet nën potencial

 aaaaKapaciteti rezervë është reflektuar në inflacionin që është vazhdimisht më i ulët se objektivi dhe kërkesa e dobët pengon përpjekjet e konsolidimit fiskal. Ekonomia shqiptare ka ruajtur vrullin e saj pozitiv në gjysmën e parë të vitit 2015, ka deklaruar Pier Carlo Padoan Ministri italian i Ekonomisë dhe Financave, që raporton në FMN në emër të Shqipërisë, Greqisë, Italisë, Maltës, Portugalisë, San Marino. Deklaratat janë bërë gjatë konferencës vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së që po zhvillohet në Lima të Perusë.

Rritja në Shqipëri është përshpejtuar edhe më tej, ndërsa disa tregues të rëndësishëm stabiliteti ekonomik dhe financiar janë përmirësuar. Autoritetet shqiptare kanë vazhduar të ndjekin politikat e tyre ekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe axhendën e reformave me synim rritjen.

Zhvillimet në Greqi, me të cilën Shqipëria ka tregti të gjerë dhe lidhje financiare, nxitën veprime vendimtare dhe të suksesshme nga autoritetet shqiptare në mënyrë që të shmangeshin efektet e një infektimi të mundshëm.

Rritja ekonomike u përshpejtua në gjysmën e parë të vitit, në një masë të madhe për shkak të investimeve të larta dhe përmirësimit të bilancit tregtar. Treguesit kryesorë tregojnë për rritjen e vazhdueshme në gjysmën e dytë të vitit. Megjithatë, aktiviteti ekonomik mbetet nën potencial. Kapaciteti rezervë është reflektuar në inflacionin që është vazhdimisht më i ulët se objektivi dhe kërkesa e dobët pengon përpjekjet e konsolidimit fiskal. Megjithatë, pritjet e inflacionit duket të jenë të mirë-ankoruara, borxhi publik mbetet nën kontroll, dhe faktorët për konsolidimin fiskal mbeten të pandryshuar.

Deficiti i llogarisë korente është tkurrur, ndërsa investimet e huaja direkte ishin më të larta kryesisht për shkak të investimeve të përshpejtuara në industrinë nxjerrëse dhe të naftës. “Ne presim që ritmi i rritjes të përmirësohet më tej në vitet në vijim. Ky gjallërim do të bazohet në bazat solide të ekonomisë shqiptare, dhe në përmirësimin e pritshëm në mjedisin e jashtëm ekonomik dhe financiar, dhe në reformat strukturore, që të përmirësojnë klimën e biznesit dhe marrjen përsipër të rrezikut në sektorin privat”, tha Padoan.

Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për objektivat e saj të konsolidimit fiskal, siç detajohet në Kornizën e saj makroekonomike dhe fiskale. Megjithë ka pasur një performancë të dobët të të ardhurave gjatë këtij viti, qeveria ka nisur një reformë për të luftuar ekonominë informale që është gjerësisht e përhapur, me qëllim të rritjes së të ardhurave fiskale dhe për të përmirësuar mjedisin e biznesit.

Sistemi i pensioneve është vënë në një pozitë të qëndrueshme dhe rreziqet buxhetore që lidhen me sektorin e energjisë janë zvogëluar. Procesi i konsolidimit fiskal do të vazhdojnë për të synuar përmirësime të mëtejshme në kuadër të menaxhimit të shpenzimeve publike.

Banka e Shqipërisë mbetet e fokusuar në mandatin e saj për stabilitetin e çmimev. Kjo do të kërkojë ndjekjen e një politike ekspansioniste monetare për të ardhmen e parashikueshme. Sistemi financiar mbetet i shëndoshë, fitimprurës dhe i mirëkapitalizuar. Reforma e sistemit financiar do të vazhdojë, duke zbatuar rekomandimet FSAP, me qëllimin përfundimtar të krijimit të një sistemi financiar të efektshëm dhe të shëndoshë. Reformat e fundit në qeverisje administrative dhe territoriale dhe në sistemin arsimor ishin të suksesshme. Qeveria po planifikon të fillojë një reformë të shumëpritur për të riparuar strukturën aktuale dhe funksionimin e sistemit gjyqësor. Autoritetet shqiptare mbeten të angazhuar për axhendën e qëndrueshëm e tyre të rritjes, ka përfunduar Padoan.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button